Mijëra bujq qiramarrës jetonin në një varfëri të thellë. Duke mos qenë në gjendje të blinin mish, si dhe shumë ushqime të tjera, njerëzit rritnin pataten, që " />

Vdekja e bukës dhe emigrimi masiv – historia e trishtë e popullit irlandez

Rreth fillimit të shekullit të 19-të, Britania e kishte shtrirë sundimin e saj mbi një pjesë të madhe të botës. Këtu përfshihej edhe Irlanda. Pjesa më e madhe e tokave të Irlandës ishte nën zotërimin e pronarëve anglezë, shumë prej të cilëve jetonin në Angli. Këta pronarë që nuk jetonin në Irlandë, iu vinin qira të larta qiramarrësve të tyre irlandezë dhe u jepnin paga të ulta për punën e tyre.

Vdekja e bukës dhe emigrimi masiv – historia e trishtë e popullit irlandez

Mijëra bujq qiramarrës jetonin në një varfëri të thellë. Duke mos qenë në gjendje të blinin mish, si dhe shumë ushqime të tjera, njerëzit rritnin pataten, që në kushtet e tyre ishte bima me më pak shpenzime, më e lehtë për t’u rritur dhe më ushqyese.

Rëndësia e patates

Patatja u soll për herë të parë në Irlandë rreth vitit 1590. Ajo u përhap shumë, sepse klima e butë dhe e lagësht e Irlandës ishte e përshtatshme për rritjen e saj dhe gjithashtu mund të rritej edhe në toka shumë të varfra me lëndë ushqyese. Ajo përdorej si ushqim për njerëzit, dhe për kafshët. Nga mesi i viteve 1800, rreth një e treta e tokës së punueshme përdorej për rritjen e patates. Pothuajse dy të tretat e prodhimit përdoreshin si ushqim për njerëzit. Zakonisht, meshkujt irlandezë hanin çdo ditë patate dhe fare pak gjëra të tjera.

Meqenëse ushqimi i kaq shumë njerëzve varej plotësisht nga patatja, kishte mjaft të ngjarë që kjo rrethanë të krijonte kushtet e përshtatshme për një katastrofë. Ç’do të ndodhte sikur të mbjellat të prisheshin?

Prishja e parë e të mbjellave

Në të kaluarën kishte ndodhur që të mbjellat të ishin dëmtuar. Për t’ia dalë mbanë, merreshin masa lehtësuese dhe pastaj vitin pasues, kur prodhimi ishte i mbarë, vështirësia ekonomike ndihej shumë pak. Kështu, në vitin 1845, kur të mbjellat e patates u prishën, autoritetet nuk panë ndonjë arsye për t’u shqetësuar.

Por këtë radhë, gjendja ishte shumë më e rëndë. Tashmë dihet, që sëmundja kërpudhore, Phytophthora infestans, e njohur ndryshe si vrugu, shkaktoi prishjen e të mbjellave në vitin 1845. Kjo kërpudhë, që përhapet me anë të ajrit, përparoi me shpejtësi nga njëra fushë e mbjellë me patate te tjetra. Patatet e infektuara që ndodheshin akoma në tokë u kalbën, kurse ato që mbaheshin në depo thuhej se po «shpërbëheshin». Meqenëse ishte mbjellë vetëm një varietet i patates, të gjitha të mbjellat vendase u infektuan. Dhe duke qenë se fara për vitin vijues u mor nga prodhimi i atij viti, kjo kërpudhë pati një ndikim shkatërrues edhe në prodhimet e tjera që erdhën pas tij.

Prishja e dytë e të mbjellave

Patatet e përdorura si farë, të cilat ndonëse kishin një cilësi të ulët arritën të shpëtonin nga kalbja, u mbollën për vitin vijues 1846, por vrugu i shkatërroi për herë të dytë edhe këto të mbjella. Meqenëse nuk kishin ç’të mblidhnin nga prodhimi, shumë bujq humbën punën e tyre. Pronarët e tokave nuk ishin në gjendje për t’i paguar.

Qeveria krijoi fronte të ndryshme pune për t’u ardhur në ndihmë, duke i punësuar, kryesisht në ndërtimin e rrugëve, shumë nga këta njerëz të varfër, në mënyrë që të mbanin familjet e tyre.

Disa mundën të gjenin punë vetëm në disa institucione të quajtura «shtëpitë e të varfërve». Këto institucione punësonin njerëzit e skamur. Në shkëmbim të punës së tyre, punëtorëve u jepej ushqim dhe strehim. Puna ishte e rëndë. Shpesh ushqimi ishte i prishur dhe kushtet shumë primitive. Disa punëtorë nuk arritën të mbijetonin.

Këto masa ndihmuan disi. Por më e keqja duhej të vinte ende. Dimri i vitit 1846-1847 ishte shumë i ftohtë, dhe kjo shkaktoi që shumica e punëve që bëheshin jashtë të mbylleshin. Agjenci të ndryshme nga qeveria shpërndanin ushqim pa para. Megjithatë pas dy vjetësh, fondet e qeverisë për këto masa lehtësuese filluan të shteronin dhe e gjithë ndihma e siguruar ishte krejtësisht e pamjaftueshme për njerëzit e dobësuar, që vërshonin gjithnjë e më tepër. Më pas një fatkeqësi tjetër shkatërruese goditi Irlandën.

Shumë nga pronarët e tokave, të cilët nuk banonin në Irlandë dhe që po përballeshin me borxhe të mëdha, vazhdonin t’i kërkonin qiratë. Shumë prej qiramarrësve nuk ishin në gjendje për të paguar dhe, si pasojë, mijëra u dëbuan nga tokat e tyre. Disa, thjesht lanë tokën dhe shkuan në qytete, duke shpresuar për një jetë më të mirë. Por, ku mund të shkonin ata, ndërkohë që ishin pa ushqim, pa para dhe pa strehë? Për një numër njerëzish që sa vinte e shtohej, emigrimi u bë e vetmja mundësi.

Emigrim në masë

Emigrimi nuk ishte diçka e re. Që nga fillimi i shekullit të 18-të, gjithmonë kishte ekzistuar një pakicë emigrantësh që shkonin nga Irlanda për në Britani dhe në Amerikë. Pas dimrit të vitit 1845, kjo pakicë u kthye në një mori njerëzish. Rreth vitit 1850, në qytetin e Nju-Jorkut 26 për qind e banorëve ishin irlandezë, madje kishte më shumë qytetarë irlandezë atje, sesa në kryeqytetin e Irlandës, Dublin.

Gjatë gjashtë viteve të zisë së bukës, pesë mijë anije bënë udhëtimin e rrezikshëm prej 5.000 kilometrash duke përshkuar Atlantikun. Shumë prej tyre ishin të vjetra. Disa kishin shërbyer më parë si anije skllevërish. Ato vazhduan të përdoreshin vetëm për shkak të situatës së ngutshme. Përmirësime të vogla iu ishin bërë vendeve ku rrinin njerëzit, në të cilat të zihej fryma. Kushtet nuk ishin aspak higjienike dhe pasagjerëve iu duhej të mbijetonin me sasinë minimale të ushqimit.

Mijëra pasagjerë, që tashmë ishin të dobësuar për shkak të urisë, u sëmurën. Shumë vdiqën ndërsa ishin akoma në lundrim. Në vitin 1847, anijet që lundronin drejt Kanadasë u quajtën anijet e vdekjes. Nga rreth 100.000 emigrantë, që këto anije transportuan, mbi 16.000 vdiqën ndërsa ishin akoma në det ose pak pas zbarkimit. Megjithëse letrat e dërguara miqve apo të afërmve në Irlandë tregonin për këto kushte të rrezikshme, një numër shumë i madh emigrantësh vazhdonin të iknin.

Pak nga pronarët e tokave i ndihmuan qiramarrësit e tyre të mëparshëm. Për shembull, njëri prej tyre mori me qira tri anije dhe ndihmoi për udhëtimin e një mijë qiramarrësve të tij. Sidoqoftë, shumica e emigrantëve duhej të bënin përpjekje të mëdha për ta siguruar vetë biletën e udhëtimit. Shpesh vetëm një ose dy pjesëtarë të një familjeje të madhe mund të përballonin shpenzimet e udhëtimit. Përfytyroni dhembjen që përjetohej në vendin pranë dokut, ndërkohë që mijëra pjesëtarë të familjeve thoshin lamtumirë, ndoshta duke e parë njëri-tjetrin për herë të fundit.

Sëmundje dhe një prishje e tretë e të mbjellave

Pas dy prishjeve të njëpasnjëshme të të mbjellave të patates dhe dëbimeve masive, popullsia që tashmë ishte zvogëluar shumë duhej të luftonte kundër një fatkeqësie tjetër të rëndë. Sëmundjet! Tifoja, dizenteria dhe skorbuti morën jetë të tjera. Shumë nga të mbijetuarit duhet të kenë menduar që gjërat s’mund të shkonin më keq se kaq, por gaboheshin.

Në vitin 1848, të inkurajuar nga prodhimi i mbarë i vitit 1847, bujqit e trefishuan sipërfaqen e mbjellë me patate. Atëherë ndodhi katastrofa! Ajo verë qe shumë e lagësht. Vrugu goditi përsëri. Prodhimi u prish për të tretën herë në katër të mbjella. Agjencitë qeveritare dhe shoqatat bamirëse kishin arritur në kufijtë e mundësive të tyre. Por edhe atëherë të këqijat s’kishin marrë fund. Në vitin 1849, një epidemi kolere mori jetën e 36.000 njerëzve të tjerë.

Pasojat

Gjithsesi, ajo epidemi shënoi një pikë kthese. Prodhimi vijues i patates qe i mbarë. Dalëngadalë gjërat filluan të përmirësoheshin. Qeveria nxori ligje të reja të cilat i falnin të gjitha borxhet që kishin ardhur si pasojë e zisë së bukës. Popullsia filloi të rritej përsëri. Megjithëse në vitet që pasuan vrugu dëmtoi prapë disa të mbjella, nuk pati më kurrë diçka që t’i afrohej asaj situate të tmerrshme të viteve tragjike të Zisë së Madhe të Bukës, që shkaktoi vdekjen e më shumë se çerekut të popullsisë së Irlandës.

Sot, në të gjithë Irlandën, mure të shkatërruara dhe shtëpi të rrënuara qëndrojnë si përkujtues të zymtë të kohëve të vështira që sollën si pasojë diasporën mjaft të përhapur irlandeze. Vetëm në Shtetet e Bashkuara, mbi 40 milionë njerëz mund të pohojnë se kanë prejardhje irlandeze. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Xhon F. Kenedi, si dhe Henri Ford, shpikësi i makinës së tipit Ford, janë pasardhës të drejtpërdrejtë të emigrantëve që erdhën me anije nga Irlanda, në kohën e zisë së bukës.

Prishjet e përsëritura të të mbjellave me patate ishin natyrisht një shkak kryesor i kësaj historie të dhimbshme të vdekjes dhe emigrimit.