Ben Godeni dhe Fjolla Rraci do të shfaqen në Time Square për t`i treguar botës lidhjen e tyre të veçantë.
Më 14 shtator në zemër të New York-ut, në njërin prej ekraneve të Time Square-it, si pjesë e video prezantimit të “National Down Syndrome Society” do të shfaqen shumë foto të personave me sindromën Down duke punuar, luajtur, mësuar apo pranë më të dashurve të tyre. Siç transmeton rtk, për herë të parë këtë vit do të paraqitet edhe një fëmijë nga Kosova.
Djaloshi kosovar, Ben Godeni do të paraqitet përkrah Fjolla Rracit, vajzës që e do shumë. Fjolla e konfirmon që Beni ia ka ndryshuar jetën dhe që ai e meriton të shihet nga e gjithë bota për arritjen e tij më të madhe njerëzore – dashurinë.
Çdo vit ‘National Down Syndrome Society’ ia kujton botës në mënyrën më madhore të mundshme se personat me sindromën Down janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë, duke shfaqur imazhet e tyre në Time Square.
Fjolla thotë që mezi po pret 14 shtatorin, qe ta festojë ekzistencën e Benit, e bota ta njohë shokun e saj te vogël që i jep dashuri të madhe.