Fragment nga libri “Të njohësh vetveten” nga Delia Steinberg Guzman|
Nuk e di se si i ruan librat apo shënimet e tua dhe as se sa ke, por nëse nuk i mban me rregull dhe me përkujdesje, kjo ndodh sepse ende nuk ke zbuluar një nga pasuritë më të mëdha që të përkasin.
Fillo duke i parë si gjëra të çmuara dhe gjeju një vend të rëndësishëm në ambientin tënd. Mos i keqtrajto, mos i gris dhe as mos i lër të pahapur aq sa t’i marrë malli për prekjen e duarve te tua, kalimin e lapsit apo përkëdheljen e syve të tu që i përshkon në thellësi! Përpiqu t’i shohësh si qenie të gjalla sepse fjalët e shkruara aty nuk janë thjesht shenja pa kuptim. Ato janë zëra të gjallë që rikuperojnë energjinë e tyre me anë të zemrës që ti ve te leximi.
Nëse lexon me sytë e zemrës, të vërtetat statike të rreshtave dhe faqet do te kthehen në qenie inteligjente që do të të vijnë pranë për të te ndihmuar çdo herë që do te kesh nevojë. Ato do te të kujtojnë se çfarë është e volitshme, kur të vuash apo kur të qeshësh, kur të dyshosh apo kur të zbulosh një te vërtete që deri atëherë ka qenë e mbuluar. Do të të këshillojnë në mes të dyshimeve dhe konfuzionit; do të të konfirmojnë vendimet e tua të mira; do të të zgjerojnë vizionin për botën; do të të afrojnë pranë njerëzve të tjerë dhe do te të ngjallin respekt për të diturit dhe dashuri për ata që dinë me pak…
Leximi të lejon te jesh vetëm, teksa ndan qenien tënde me te gjithë universin, të mëson që të përqendrohesh pa shumë mundim, me natyrshmërinë që ke ndërsa flet me një mik te vjetër. Leximi konfirmon kujtesën dhe sjell kujtime te reja, rregullon disiplinën dhe zhvillon anën artistike dhe te jep ndjesinë e rregullit dhe shkëputjen që sjell poezia.
Të lexuarit i bën simbolet grafike një botë krijesash te vogla që bashkëjetojnë brenda teje dhe dalin jashte si zëra që tingëllojnë, si një dije e vogël e jotja dhe e të gjithëve.