-Romani “Lamtumirë armë” i shkrimtarit amerikan Ernest Heminguej
Nga Preç Zogaj
Në origjinal e ka me dy kuptime, më thoshte Rudolf Marku për titullin e romanit të Heminguejt. Kuptimi i parë, i drejtpërdrejti, është ai i lamtumirës së armës, uniformës ushtarake dhe luftës. Kuptimi i dytë ka të bëjë me sinonimin e fjalës ‘armë’ në anglisht (arms), që do të thotë ‘krahë’, domethënë ‘përqafim’, ‘dashuri’.
Poeti dhe mësuesi ynë sokratik në Lezhën e fundviteve shtatëdhjetë dhe fillimviteve tetëdhjetë ishte një ithtar i madh i shkrimtarit amerikan Ernest Heminguej, fama e të cilit mbështillte sferën e globit me madhështinë dhe origjinalitetin e librave që kishte shkruar, por edhe me ngjarjet e një jete të stuhishme plot aventura, qejfe dhe shakara të rrezikshme, derisa më në fund, ndërsa as gjuetia e kafshëve të egra, as udhëtimet e gjatë me avionë të pasigurt dhe as alkooli nuk ia kishin bërë peshqesh vdekjen, kishte vrarë veten. Fenomeni “Heminguej” kishte dërguar rrezatimin e vet edhe në një ‘tokë pa kontinent’ si Shqipëria, ku ai kishte fansat e tij, të pakët në numër, për arsye të njohura, por që ngjanin të kishin diçka të veçantë nga të tjerët, diçka elitare dhe superiore, që nuk ishte gjë tjetër, siç e kam menduar me vonë, veçse epërsia e letërsisë së çlirët heminguejane me shumëkuptimësinë dhe nënkuptimësinë e saj karakteristike. Në fakt Heminguej erdhi në botën tonë të shkrim-leximit të atyre viteve pikërisht me mitin apo aureolën e shkrimtarit të “ajsbergut”, që ka një të tetat mbi ujë dhe shtatë të tetat në ujë, pra të shkrimtarit që duhej ndjekur e shijuar në shtresimet e padukshme kuptimore. Dykuptimësia në titullin e romanit “Lamtumirë armë” ishte si vitrina që reklamon dhe paralajmëron shumëfishimin e mallit në brendësi të magazinës, domethënë librit. Por kur e lexova librin nuk e gjeta atje ajsbergun e shumëpërfolur, madje as mendova për të, pasi vetë romani, mbi ujë dhe nën ujë, siç janë të gjitha veprat e mira, ishte jashtëzakonisht tërheqës, prekës dhe ndikues, sa më bëri jerm dhe nuk fjeta mirë disa net me radhë. Mendoja e mendoja pa pushim për aventurën e arratisjes së rrezikshme të personazhit kryesor, Henrit me të dashurën e tij Ketrin (Catherine) nga Italia në Zvicër, nëpërmjet liqenit të Komos, natën, me një varkë të vogël me rrema që ua kishte huajtur një miku i tyre italian. Po të zbuloheshin nga rojet italiane Henrin e priste pushkatimi si dezertor. Ndoshta edhe Ketrin do të kishte të njëjtin fat. Ata ishin dy vullnetarë amerikanë që ishin bashkuar me trupat italiane në frontin e veriut gjatë Luftës së Parë Botërore. Henri si shofer dhe sanitar me ambulancat e kryqit të kuq amerikan, Ketrin si infermiere në prapavijë. Ishin njohur e pëlqyer reciprokisht, i ishin dhënë njëri-tjetrit pa ndonjë qëllim për të krijuar një lidhje të fortë dashurie. Por dashuria e tyre kishte filluar ta shkruante vetë historinë e saj dhe në këtë pikë Heminguej kishte rrëfyer si një mjeshtër i madh morfologjinë biologjike dhe shpirtërore të lindjes së një dashurie të thjeshtë e të thellë, që shtrin dalëngadalë sundimin e saj në çdo gjest dhe mendim të protagonistëve, pa i tjetërsuar megjithatë, pa i bërë të huaj e të bezdisshëm për të tjetër. Kjo dashuri do të futet në hullinë e saj të lulëzuar e të ndritshme në kohën kur Henri plagoset rëndë në front gjatë një përpjekjeje për të tërhequr të plagosurit nga transheja dhe transportohet për t’u kuruar në spitalin amerikan të Milanos, ku shërben Ketrin. Por dy heronjtë nuk janë të tillë që në dalldinë e pasionit erotik të errësojnë apo harrojnë detyrat e luftës dhe nderit. I nderuar me medalje për aktin që ka kryer, Henri kthehet sërish në front pasi shërohet. Atje, mes shokëve të vjetër dhe mes kujtimesh për ata që janë vrarë ndërkohë, ai përpiqet të rilidhë fillin e kuptimit të luftës. Por e ka gjithnjë e më të vështirë, gjersa fillon të mendojë për kotësinë dhe absurdin e saj, ndërsa askush nuk fiton dhe askush nuk humbet, ndërsa ushtarët vetëm vriten dhe tokat vetëm shkretohen. Henri përjeton disfatën e Caporetos, tërheqjen në panik të trupave. Urrejtja dhe lehtësia për të vrarë baresin nga të gjitha anët si bisha të tërbuara; tani janë nacionalistët italianë të cilët, në emër të nderit, ndalojnë dhe pushkatojnë me gjyqe të sajuara të gjithë oficerët që po tërhiqen me trupat. Henri ndalohet dhe dërgohet për “gjykim” gjithashtu. E ka të qartë se fati i keq po e çon drejt një vdekjeje banale dhe të kotë. Ndërsa po pret radhën për të dalë para “trupit gjykues”, vërvitet mes errësirës në lumin dimëror që gurgullon poshtë “gjykatores” dhe arrin të shpëtojë duke kaluar nëpër rreziqe të paimagjinueshme. Kthehet në Milano si klandestin, duke e marrë me mend se po e ndjekin, takon Ketrin dhe bashkë me të, me ndihmën e një miku të besuar italian, bëjnë planin e arratisjes me varkë në Zvicër.
Ja, këtë udhëtim nëpër liqen kujtoja unë, udhëtim real dhe jo mitik si ai i Odisesë. Mjeshtëria e shkrimtarit më kishte bërë të përjetoja me zemër të ngrirë çdo detaj të atij lundrimi me kokë në torbë dhe të klithja me gëzim kur lundra të prekte tokën e Zvicrës, ku ata të dy do të kërkonin një leje qëndrimi të përkohshme, duke iu dedikuar me gjithçka njëri-tjetrit dhe dashurisë. Por tragjedia që e kishte kursyer këtë dashuri nga goditjet fatale në front apo në aventurën e arratisjes, ka zënë pritë në peizazhin përrallor të Zvicrës, ku Ketrin që ndërkohë është në muajin e nëntë të barrës, nuk ia del të sjellë në jetë fëmijën që ka në bark, dhe akoma më tej, do të shuhet edhe vetë në spital nga hemorragjia, duke e lënë Henrin vetëm me dhimbjen e tij pafund. Nuk pajtohesha dot më këtë padrejtësi, nuk e pranoja dot humbjen në paqe, nuk mësohesha dot me shembjen mizore të gjithë asaj ngrehine miqësie e dashurie, të cilën, si gjithë lexuesit e tjerë, e kisha parë të ngrihej ditë pas dite si dikush që është privilegjuar të jetë dëshmitar i një vepre perëndie.
Skena finale kishte ngjashmëri me fundin e romanit “Tre shokët”. Henri i përgjunjur para kufomës së Ketrin. I shtangur, pa fjalë. Ajo dhimbje e tij për Ketrin, si dhimbja e Robit për Patin, ishte përtej gjuhës, e pakapshme prej saj. Por përqasjet mes dy romaneve ishin shumë më shumë se kaq. “Lamtumirë armë” ishte varianti amerikan i testamentit të një brezi që doli i shkatërruar nga Lufta e Parë Botërore, i “brezit të humbur”, që pa të shkërmoqeshin në atë kasaphanë njerëzore idealet e atdheut dhe humanizmit. Në këto kushte shkrimtarë si Remarku dhe Heminguej ngritën kultin e dashurisë si alternativë luftës, por si për t’i dhënë tragjedisë statusin e predestinimit, edhe dashuria i godet me rrufe bijtë e vet.
Gjithsesi, romani “Lamtumirë armë” solli në përfytyrimet dhe ndjesitë e brezit tim pamjet e zhveshura të luftës në finalizimin e saj, atje ku ushtarët vriten; solli një botë të re, botën e Heminguejt, aq e thjeshtë dhe aq e vërtetë në tragjizmin e saj të brendshëm; solli një model dashurie që harliset vetvetiu, pa retorikë dhe patetikë; solli një kuptim të ri për raportin e detyrës me intimen, duke e ngritur dashurinë në lartësinë e të vetmes gjë për të cilën ia vlen të jetosh. Në kontekstin e kohës, ky roman solli një kuptim gjithashtu të ri për fuqitë e kufizuara të njeriut përballë jetës, çfarë ishte një provokim dhe diversion i pastër ndaj klisheve mendore që kultivonte ideologjia e kohës. Të gjitha këto dhe vlera të tjera kanë bërë që “Lamtumirë armë” të jetë një prej librave me ndikim të madh në botëkuptimin dhe botëndijimin e lexuesve shqiptarë të viteve shtatëdhjetë-tetëdhjetë, por edhe të atyre që erdhën më vonë, padyshim.
Më vonë do të mësoja se subjekti i romanit pasqyronte pjesërisht një përvojë personale të shkrimtarit. Si shumë të rinj amerikanë të brezit të tij, ai kishte shkuar vullnetar në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare në Itali, gjatë Luftës së Parë Botërore, ku ishte plagosur rëndë nga një shpërthim. Distancimi i tij doktrinar nga arma në kuptimin e luftës nuk u përmbyll me një lamtumirë ndaj armës në kuptimin konkret të fjalës. Heminguej, i forti i brishtë, vrau veten me armë zjarri në vitin 1962, duke u shndërruar në kurban të diktonit se njeriu është i pafuqishëm përballë jetës.