Lumturia e shoqërisë varet nga edukata e grave

Lumturia e shoqërisë varet nga edukata e grave

Disa fjalë nga Sami Frashëri për Gratë

Shumica e njerëzimit përbëhet nga gratë, përvec rritjes së fëmijëve dhe punëve të shtëpise, që i kanë detyrë kryesore, gratë mund të gjejnë kohë edhe për t’u marrë me ndonjë punë tjetër.

Ka shumë mjeshtëri që gratë i njohin më mirë se meshkujt, fjala vjen gratë janë shumë më të zonjat në punët e dorës për të prerë, për të qepur dhe për të përdorur gjilpërë e gërshërë, dhe jo vetem kaq por gratë janë të talentuara edhe në qëndisje, për të bërë ojna për të larë e për të qepur petka grash po edhe petka burrash. Mjeshtërinë e rrobaqepsisë ato mund t’ua marrin burrave nga dora.

Edhe në punët e mjekësisë gratë mund t’i kalojne burrat. Cili është ai burrë që mund t’i shërbejë një të sëmuri më mirë se një grua? Shumë herë ndodh që i sëmuri dëshpërohet nga sjelljet e ashpra të mjekut mashkull, dhe nga brenga sëmundja i shtohet, fjalët e ëmbla të saj mund t’ia largojnë të sëmurit dyshimet e keqësimit. Profesioni i farmacisë është një mjeshtëri që gratë ndoshta do ta kishin kryer më mirë se burrat.

Punën e tregëtisë gruaja patjeter e kryen më mirë se mashkulli; duke shërbyer në dyqan ose në magazinë, u tregon klientëve plackat që dëshirojnë, u jep cmimet dhe mban rregjistrin e llogarive.

Duke mos pëlqyer që gruas t’i prishet bukuria e brishtësia e të mos rëndohet trupi i tyre me punë të vështira, në mbështesim rrugën që të priret nga ato punë, të cilat i ka për natyrë.

Edukata dhe dituria që ka fituar një mashkull mbeten vetem tek ai, kurse gruaja bën pjestarë në diturinë e në edukatën e saj fëmijet e vet, ndoshta edhe shërbyesit, dhe gjithë pjestarët e tjerë të familjes me të cilët ajo bashkëjeton.

Gruaja i përngjet tokës pjellore e të frytshme, të gjitha cilësitë që ajo ka: dituri, edukatë, moral të mirë, ua kalon fëmijëve të saj. Dituria e shkenca që dëshirohet t’i jepen shoqërisë njerëzore duhet t’u mësohen grave.

Djali i një gruaje të ditur, në vend që të dëgjojë përralla imorale, me të cilat i prishin sjelljen, nga nëna e ditur dhe e edukuar ka për të dëgjuar anekdoda të bukura, zëra të ëmbël, e këshilla të dobishme, që fëmijës i zhvillojnë mendjen e i zbusin zemrën.

Nëna që nuk ka dituri e edukatë, ku do ta gjejë përgjigjen për t’ia dhënë djalit?

Për të arritur atë shkallë qytetërimi e edukate që shoqeria njerëzore e ka për qëllim, duhet që menjëherë pas lindjes t’u jepet edukata njerëzve.

Shumica e njerëzve të mëdhenj kanë pasur nëna të edukuara. Kanti, i famshmi filozof, pohon se nëna e tij kishte pak njohuri shkencore, baza të diturisë, nga ajo kishte marrë që në fëmijëri disa mësime natyrore të thjeshta: ” Nëna është ajo që më ka rrënjosur në zemër farën e mirësisë”.

Gjendja e një populli kurdoherë është e varur nga gjendja e grave. Lumturia e shoqërisë varet nga edukata e grave.

Kur dikush bën një vrasje, në vend që shoqëria njerëzore të pakësohej më tej duke e vrare, do te ishte më mirë ta parandalonte, t’i thaheshin rrënjët krimit para se të ndodhte ngjarja. Kjo mund të pengohet vetëm nga edukimi i grave.

Kur Bonaparti e pyeti gruan e njohur madamë Kampanin, se nga vinin të metat e fëmijëve në Francë e si duheshin edukuar, ajo iu pergjigj në mënyrë filozofike:”Nënat”