Vjosa Osmani flet për koalicionin me Vetëvendosje, thotë se kanë shumë sfida para vetes

Vjosa Osmani flet për koalicionin me Vetëvendosje, thotë se kanë shumë sfida para vetes

Kandidatja e LDK’së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit ka treguar që qeverinë e ardhshme duhet ta udhëheqin partitë që kanë qenë deri dje në opozitë, LDK’ja dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo ka thënë se tashmë e vetmja sfidë përpara është arritja e këtij koalicioni, gjithmonë në interes të Republikës së Kosovës.

“Më në fund, qytetarët, jo vetëm që votuan, por, ajo votë ishte thirrje për ndryshim e ndëshkim ndaj qeverisjes së keqe. Qytetarët, poashtu, përcaktuan qeverinë e re, e cila duhet të përbëhet nga opozita e deridjeshme. Për mua nuk ka asnjë alternativë tjetër. Koalicioni LDK-VV ka shumë sfida para vetes, por duhet ta ketë vetëm një interes: atë të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Osmani.

“Unë do të punoj dhe do t’i shërbej vendit tim, pavarësisht se ku jam. Ashtu siç e kam thënë gjithnjë: në secilën betejë, do të jemi së bashku, deri në fund!”, tha ajo.

Kjo deklaratë e Osmanit vjen edhe pas deklarimeve të Albin Kurtit që nëse nuk arrihet koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës atëherë vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje.

Kurti kishte thënë se partisë së parë që do t’i trokasë në derë për koalicion është partia që udhëhiqet nga Isa Mustafa.

Edhe Mustafa pas takimit që kishte pasur dje me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, ka thënë se do të takohen me Albin Kurtin, dhe do të vazhdojnë punën për koalicion aty ku e kishin lënë para zgjedhjeve.