Historiani dhe publicisti kosovar, Jusuf Buxhovi, kujton qëndrimet politike të shkrimtarit austriak, Peter Handke, i cili të enjten u shpërblye me Çmimin Nobel për Letërsi.
Në takimet që ka pasur me të, Buxhovi thotë se ai vazhdimisht e mbronte politikën e Millosheviqit.
Por, thekson Buxhovi, në aspektin letrar, Handke njihet si një nga prozatorët më të mirë bashkëkohorë.
“Akademia e Shkencave e Suedisë ndan Çmimin Nobel për të arritura letrare, në bazë të kritereve të veta. Në këtë kuptim, mendoj se nuk mund t’i bëhen vërejtje asaj, sepse Handke si shkrimtar është i mirë, është një ndër shkrimtarët më të mirë bashkëkohorë në gjuhën gjermane”, ka thënë Buxhovi për REL.
“Është një prozator shumë i mirë. Edhe në arsyetimin e Akademisë së Shkencave përmendet shumëllojshmëria e tij e gjuhës”.
“Por, natyrisht se duhet të flitet edhe për aspektin politik. Siç e thatë edhe ju më herët, ai ka qenë i angazhuar gjithë kohën në anën e Millosheviqit, para, gjatë dhe pas ofensivave të tij. Pra, ka qenë një militant i politikës së Millosheviqit. Handke e ka nënën sllovene. Dy-tri herë, në esetë e tij, në shkrimet e tij, ka thënë se e ndjen veten sikur të ishte serb”.
“Edhe në librin e tij të fundit, për të cilin është polemizuar mjaft, thotë se Serbisë i është bërë e padrejtë, se serbët janë popull që meritojnë vëmendje… Këtu dua të them se Akademia e Shkencave objektivisht e respekton aspektin letrar, megjithatë nuk mund të ndahet as kjo pjesë. Handke ka pasur kritika dhe vërejtje edhe nga vetë shkrimtarë të njohur gjermanë, si Gunter Grass e tjerë”.
Buxhovi ka treguar edhe për takimet që ka pasur me Handke.
“E kam takuar disa herë. Si korrespondent i Rilindjes në Gjermani, diku në vitet ’85 – ’86, kam qenë me të në një mbledhje, ku ka marrë pjesë edhe Guneter Grass. Grass ka qenë shumë i ashpër ndaj tij, sepse edhe atëherë ai ishte mbështetës i Millosheviqit. E kam takuar edhe në vitin ’88 apo ’89 në Panair të Librit në Frankfurt. Aty kishte një konferencë për shtyp dhe po ashtu mbronte politikën e Millosheviqit. Dhe, e kam takuar në vitin 2003 apo 2004 kur ka marrë një shpërblim shumë reprezentativ nga Panairi i Frankfurtit. Edhe aty hapur ka thënë se bombardimi që i është bërë Serbisë, ka qenë i njëanshëm dhe nuk i përfillte fare argumentet se bëhet fjalë për mbrojtjen e një populli kundër gjenocidit”.
Çmimet Nobel për Letërsi i fitojnë Olga Tokarczuk dhe Peter Handke
insajderi.com