Profil | Kapiteni që mori mbi supe shpëtimin e njerëzve gjatë fundosjes së anijes së madhe

Njomza Salihi

Profil | Kapiteni që mori mbi supe shpëtimin e njerëzve gjatë fundosjes së anijes së madhe

Fotografinë për 20 vjetorin e partisë e kishin bërë gati. Edhe festën e zbehtë të ditëlindjes… Por jo edhe atë fitores – sepse gjithçka për PDK-në – më 6 tetor ishte kthyer në kontrafestë.

Kadri Veseli në mbrëmjen e vonshme të 6 tetorit kishte marrë rrugë për në selinë e partisë.

I veshur me një këmishë të bardhë, të bërë enkas për fushatën e tij e ku shkruante PDK, ai doli para popullit dhe medieve dhe kumtoi një lajm pikërisht për këtë parti.

“Së bashku me PDK-në kemi punuar shumë që t’i fitojmë këto zgjedhje, por nuk fituam. Qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre dhe ne e pranojmë. PDK do të kalojë në opozitë”.

Nuk foli shumë, por dha deklaratën më të vështirë politike – që shpesh politikanët nuk e thonë, apo edhe s’e pranojnë.

Si për ta dëshmuar këtë qëndrim, kreu i PDK-së, vetëm tri ditë pas zgjedhjeve ka takuar kryetarët e degëve të PDK-së dhe shefat e shtabeve zgjedhore.

Në këtë takim – të gjithë në mënyrë unanime – kanë mbështetur qëndrimin e udhëheqësit që PDK-ja të jetë në opozitë.

Dhe, sipas tyre “PDK-ja do të jetë opozitë e fuqishme”.

Ky vendim tashmë i partisë së tretë në vend erdhi pas rezultateve preliminare të dala nga KQZ, sipas të cilave PDK ka marrë 169 mijë e 211 vota apo 21.24%.

Për këtë rezultat nuk kanë folur më në PDK, pavarësisht insistimit të Insajderit prej disa ditësh.

Ndonëse Kadri Veseli gjatë fushatës ‘lajmërohej’ vet në telefon kur e thërrisnin hallexhinjtë në 112 – njëjtë nuk u bëri kur e kontaktoi Insajderi – për të ju treguar po atyre hallexhinjve për arsyet e humbjes së tij, shkruan Insajderi.

20 vjet PDK – nga ‘lufta’ për pushtet tek politika opozitare

Si për rastësi vetëm katër ditë pas këtyre rezultateve jo të favorshme për PDK-në – kjo parti, më 10 tetor, mbushi 20 vjet.

Kësaj here “dhuratën” e ditëlindjes e morën nga sovrani, shkuarjen në opozitë.

Po nga roli i opozitarit, Veseli, e bëri edhe urimin e ditëlindjes së partisë.

“Ky 20 vjetor e gjen Partinë Demokratike në një rol të ri, si liderë opozitare, por gjithmonë në shërbim të kombit dhe shtetit”, kishte shkruar Veseli mbi fotografinë që tregonte numrin e ditëlindjeve të PDK-së.

Sikurse fotografinë, PDK gati e kishte bërë edhe festën e ditëlindjes, por jo edhe të fitores – sepse gjithçka për këtë parti – më 6 tetor u kthye në kontrafestë, shkruan Insajderi.


|Momenti i festës së 20 vjetorit të PDK-së|

Por si erdhi Kadri Veseli në krye të PDK-së?

Vetëm shtatë vjet më parë, më 3 nëntor 2012, Veseli kishte hyrë zyrtarisht në PDK, në një lagje të Mitrovicës, vetëm si anëtar i thjeshtë.

Burri i ardhur nga Broboniqi i Mitrovicës kaq të “thjeshtë” e kishte pasur edhe ngjitjen në parti.

Dikur udhëheqësi i Shërbimit Informativ i shuar më 2008, më 7 maj 2016, ishte ringjitur në krye të Partisë Demokratike të Kosovës në Konventën e 7-të të jashtëzakonshme zgjedhore.


|Momenti kur Kadri Veseli u zgjodh kryetar i PDK-së për herë të parë, 7 maj 2016|

Ky ishte “Fillimi i ri” për Kadri Veselin – slogan që kulmoi në zgjedhjet e 2017-ës, në cilat PDK së bashku me AAK dhe Nismën në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare morën 245 mijë e 627 vota apo 33.74%. Bashkë dolën të parët, duke lënë pas Vetëvendosjen dhe LDK-në.

Kadri Veseli para dy vjetësh kishte vendosur që postin e kryeministrit t’ia linte Ramush Haradinajt dhe vetë ta drejtonte Kuvendin e Republikës.

Por më insistues për pushtet duket të ketë qenë Hashim Thaçi, kryetari i parë i PDK-në, i cili këtë parti e drejtoi rrafsh për 17 vjet.

Ish-Drejtori Politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, më 10 tetor 1999 kishte vënë themelet e Partisë Demokratike të Kosovës – vetëm katër muaj pas përfundimit të luftës në Kosovë.

Dhe, që nga themelimi i partisë, Thaçi kishte për synim pushtetin. Fillimisht në vitin 2000 ai ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme për t’u bërë më pastaj deputet në dy legjisltarura më 2001 dhe 2004 – derisa më 17 nëntor 2007 – PDK u konfirmua si forca e parë politike në vend.

Më 9 janar 2008 Thaçi ishte bërë kryeministër dhe këtë post e kishte mbajtur deri më 2014, më pas ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme deri më 2016 kur edhe u bë president.  Kohë kjo kur edhe e la ‘zyrtarisht’ Partinë Demokratike të Kosovës, shkruan Insajderi.


|Momenti kur Hashim Thaçi i zgjodh President mes gazit lotsjellës, protestave dhe arrestimeve, 26 shkurt 2016|

Rruga e Veselit për identitet dhe “prania” e Thaçit në  PDK

Derisa Veseli nisi rrugën për ndërtimin e imazhit tashmë të prishur të PDK-së, aty në prapaskenë gjithmonë e gjente ish-shefin, Thaçin.

Përplasja e tyre e madhe ndodhi më 2018.

Atëherë kur Hashim Thaçi bashkë me ish-ministrin e Drejtësisë Abelard Tahirin, njeriun e afërt të tij dhe me Bedri Hamzën ish-shefin e Financave befasishëm lundruan nëpër Liqenin e Ujmanit.


|Lundrimi i Thaçit në Ujëman bashkë më ‘mbështetësit’ e tij, 29 shtator 2018|

Kadri Veseli për herë të parë, publikisht, e kritiko rëndë paraardhësin e tij në parti, Hashim Thaçin dhe krejt kjo pasi dukej se kreu i tanishëm i PDK-së nuk mund ta duronte udhëheqjen paralele të ish-kreut.

Pas kritikave të Veselit, ish-këshilltari i Thaçit për 10 vjet, Abelard Tahiri, u përfol se ofroi dorëheqjen e tij nga posti i ministrit. Kjo çështje më pas kaloi në “heshtje”.

Veseli nën hije e “shefit” ishte edhe kur ai e nisi zhbërjen e Gjykatës Speciale, kur tentoi ta bënte “bashkimin” e Luginës me Kosovën apo edhe kur shpërtheu skandali i kidpanimit të gjashtë turqve.

Ndonëse për të fundit, Veseli, premtoi se do ta zbulonte skandalin, më vonë heshti, siç heshti edhe për dy rastet e para.

Megjithatë disa nga këto veprime të Thaçit ishin konsideruar antikushtetuese, siç ishte konsideruar edhe një takim i tij në rolin e Presidentit me mësimdhënësit e Kaçanikut, të cilëve madje u kishte premtuar edhe rritje të pagave, punë kjo që do të mund t’i takonte Veselit.

“Sa i përket pjesëmarrjes në aktivitete partiake mund të konsiderohet shkelje kushtetuese nëse është pjesëmarrje aktive. Duhet kujtuar se Fatmir Sejdiu u hoq prej Gjykatës Kushtetuese nga funksioni i presidentit pikërisht sepse u konstatua se ushtroi edhe funksion partiak”, pati thënë analisti politik Ramush Tahiri, në nëntor të 2016-ës.

Ish-opozitarja, Albulena Haxhiu, pati thënë se “Thaçi nuk gëzon besim as në mesin e subjekteve politike e as tek qytetarët e Kosovës”, duke pretenduar se ai e ka humbur fuqinë edhe brenda partisë së tij të dikurshme.

“Përderisa nuk e paraqet unitetin e popullit, ai po tenton që këtë rol ta luajë të paktën brenda PDK-së, ku tashmë edhe aty e ka humbur mjaft shumë ndikimin”.

Derisa ish-politikani Azem Vllasi e kishte parashikuar edhe rënien e PDK-së pas “ikjes” së Thaçit.

“Do të thotë pas Hashim Thaçi PDK në strukturën e brendshme dhe në mënyrën e udhëheqjes do të ketë ndryshime. Nuk është e thënë se do të ketë rënie, por ndryshime gjithsesi do të ketë. Sepse secili udhëheqës e ka stilin e vet, mënyrën e vet, e ka mënyrën personale të komunikimit me bashkëpunëtor. Do të thotë nuk do të jetë krejt si ka qenë, ndryshime do të ketë, nuk do të thotë që do të ketë rënie, por edhe kjo nuk është e përjashtuar”.

Nga 2007 në 2019 – ngritja e PDK-së në epokën ‘Thaçi’ dhe rënia e saj në epokën ‘Veseli’

Partia Demokratike e Kosovës kulmin e saj e kishte më 2007 duke fituar gjithsej 19 komuna në zgjedhjet lokale – duke qenë kështu e para në vend me 34.3%  ose 196 mijë e 207 vota.

Atë kohë PDK nën udhëheqjen e Hashim Thaçit kishte “marrë” marrë Drenasin, Skenderajn, Shtërpcën, Zubin Potokin, Gjilanin, Dragashin, Kaçanikun, Klinën, Kamenicën, Mitrovicën, Lipjanin, Rahovecin, Prizrenin, Shtimen, Suharekën, Ferizajn, Vitinë, Vushtrrinë dhe Malishevën.

Dy vjet më pas, më 2009, në zgjedhjet komunale PDK kishte rënë në 13 komuna, por vazhdonte të ishte partia e parë. Kishin fituar Drenasin, Skenderajn, Shtimen, Ferizajn, Zubin Potokin, Dragashin, Kaçanikun, Klinën, Mitrovicën, Rahovecin, Vitinë, Vushtrrinë, Malishevën.

Ndërsa nëzgjedhjet parlamentare që u mbajtën vetëm një vit më pas, më 2010 – PDK sërish ishte e para dhe kishte marrë 224 mijë e 339 vota ose 32.11%.

Avazi i rënies së PDK-së nëpër komuna vazhdoi edhe më 2013 – kur PDK kishte fituar vetëm në 10 komuna: Drenasin, Skenderajn, Dragashin, Klinën, Kamenicën, Rahovecin, Prizrenin, Vushtrrinë, Kaçanikun dhe Lipjanin.

Në zgjedhjet për Parlament të mbajtura më 2014, partia që vazhdonte të drejtohej Thaçi kishte marrë 30.38% të votave ose 222 mijë e 181 vota.

Viti më i “rëndë” i PDK-së duket të jetë më 2017 – kohë kjo kur udhëheqjen e PDK-së e kishte marrë Kadri Veseli – nga 10 komuna sa kishte kjo parti tashmë kishte fituar vetëm në pesë prej tyre.

Ngjashëm ndodhi edhe më 2019, PDK në zgjedhjet e parakohshme, u rendit e treta, ndërsa fitoi vetëm në Mitrovicë, Drenas, Skenderaj dhe Shtime, shkruan Insajderi.

Por a ndodhi kjo rënie e PDK-së për shkak të vetë Kadri Veseli, njeriut të nëntokës dhe pafuqisë së tij brenda partisë?

Sipas analistiti politik, Imer Mushkolajt “fuqia e Veselit është vetëm deri tek disa njerëz”.

“Por, kur flitet për ato figura të rëndësishme të cilat Sami Lushtaku tha se e kontrollojnë gjithë Kosovën, ato 4, 5 apo 6 figura, aty i has sharra në gozhdë. Njerëzit e rëndësishëm si thotë një shprehje ‘nuk ia varin fort’ këtyre kërkesave të Veseli, i thonë se t’i nuk na ke zgjedhur, por strukturat partiake… e kam fjalën Elmi Reçicën, për Xhavit Halitin e kështu me radhë, figura që janë shtylla të PDK-së”.

“Pronto”, e përbashkëta e Thaçit dhe Veselit

Njerëzit, nuk janë të prirë të mbajnë mend numra dhe përqindje – që i bie se në ‘histori’ nuk do të mbesin për votat që morën, por për diçka tjetër siç tha edhe Veseli.

“Si bartëse e proceseve më të rëndësishme në vend – lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit, Partia Demokratike e Kosovës ka lënë shenjat e saj të pashlyeshme në historinë e Kosovës”, tha Veseli në urimin e 20 vjetorit të partisë.

Po, PDK, ka lënë shenja të pashlyeshme në histori dhe atë për aferën më të madhe korruptive ndonjëherë në Kosovë, “PRONTO”.

“Si krijuese e projekteve të mëdha për vendin, e përkushtuar për ndryshime rrënjësore dhe me një energji shembullore, me njerëz të ndershëm që kanë dhënë kontribut aq shumë të çmuar, si dhe me shumë të reja e të rinj, Partia Demokratike e Kosovës ka transformuar Kosovën dhe veten, duke e bërë secilin të ndjehet krenar”, Veseli në 20 vjetorin e PDK-së foli edhe për njerëzit e të ndershëm dhe me vlera të partisë, por të kundërtën e dëshmoi “Pronto”.

Adem Grabovci, ishte njëri nga më të fuqishmit – që kjo aferë e shpërfaqi.

Fuqia e tij para tri vjetësh dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës u dëshmua me një seri përgjimesh telefonike që i kishte publikuar Insajderi.

Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, ai kishte punësuar qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. Heq nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. Ndërron komisione për konkurse. Madje i anulon konkurset në ato raste kur njerëz të tij nuk marrin pikë të mjaftueshme. Pos kësaj, Grabovci punëson njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedh prokurorë e gjyqtarë.

Gjithë këto veprime “shefi” i kishte bërë me dijeni dhe në bashkëveprim me Hashim Thaçin, dhe Kadri Veselin.

Insajderi pati sjellë një seri bisedash të Grabovcit me Hashim Thaçi, Kadri Veselin, Shaip Mujën, Ramë Bujën, Ilhami Gashin, Hajdar Beqën, Latif Gashin, Azem Sylën, e zyrtarë tjerë shtetërorë e partiak.

Dhe, krejt këto veprime Kadri Veseli donte t’i zhbënte derisa gjatë fushatës zotohej për luftë kundër korrupsionit nëse do ta merrte pushtetin.

Luftën kundër korrupsionit e kishte nisur qysh në qershor, kur për herë të dytë u zgjodh kryetar i Partisë.

“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore – si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit”, tha Veseli më 16 qershor 2019, shkruan Insajderi.


|Momenti kur Kadri Veseli u zgjodh kryetar i PDK-së për herë të dytë, 16 qershor 2019|

Dhe vetëm 3 ditë më pas, më 19 qershor ai liroi nga detyra ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqajn, zëvendësministrin e FSK-së, Agim Çekun dhe këshilltarin e tij, Nijazi Kryeziun – të tre këta në procese gjyqësore.

Dhe që nga ajo kohë Veseli në secilën paraqitje ka folur për luftën e tij kundër korrupsionit.

Kauza e tij kundër kësaj dukurie u bë edhe më e fuqishme gjatë fushatës zgjedhore. Sidomos kur në listën zgjedhore për deputet nuk la persona me akuza siç qe edhe rasti i Adem Grabovcit.

Por duket se “Dekada e re” këtë “luftë” tashmë do të bëj nga opozita – anija e dikurshme e madhe është fundosur dhe nuk shehë shpëtim, për shkak të vijave të kuqe të mandatarit Albin Kurti.

Duket se Veseli e ka arritur qëllimin: nga fundosja e anijës ka shpëtuar disa njerëz.

I kanë mbetur afër vetës një grup njerëzish që mund të jenë të zëshëm në luftën kundër korrupsionit, nëse ky premtim nuk mbetet vetëm zgjedhor.

Një proces vettingu i bërë në parti ka mundësuar largimin e Beqajt, Çekut, Kryeziut dhe Grabovcit.

I njëjti proces ka bërë që menaxhimin e partisë ta marrin njerëz si Uran Ismaili, i cili ka marrë në Prishtinë 6584 vota, Abelard Tahiri, i cili poashtu në Prishtinë i ka 2679 vota dhe Memli Krasniqi, i cili në kryeqytet i ka marrë 2202 vota dhe ka afruar afër vetes të tjerë të suksesshëm jashtë politikës si Eliza Hoxha dhe Gentiana Beqa, për të cilët dikur PDK-ja e kriminalizuar nuk ishte joshëse./Insajderi.com