“Një ushtar i UÇK-së po merrte në pyetje disa serbë. Njëri prej tyre tha se ishte Dragan Jaqinoviç nga Shillova. Ishte katërdhjetë vjeç. Shillova është afër Gjilanit. Serbët tjerë ishin nga Ratmilja. Opterusha dhe Gjilani. Ata ishin futur me forcë në kamion”, ka thënë dëshmitari.
Task Forca për hetimin e pretendimeve të raportit të Dick Martyt ka thënë “se tash për tash nuk ka prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë për trafikim organesh”. Megjithatë, “trafikimi” është damka më e madhe që i është vënë Kosovës.
Dyshimet për këtë veprimtari janë mbështetur në dëshmitë e tetë dëshmitarëve të Hagës, kredibiliteti i të cilëve nuk është i verifikuar.
Në pjesën e dytë të shkrimit për dosjen hetimore të Tribunalit të Hagës, Insajderi sjell detaje nga raporti dhe pretendimi i dëshmitarëve.
Hetuesit thonë në përmbledhje se kah mesi i vitit 1999 (mbase edhe më herët), “100 deri në 300 persona ishin rrëmbyer dhe dërguar me kamion dhe kamionçinë në qendra të burgosjes në qytezat e afërta veriore shqiptare të Kukësit dhe Tropojës”.
Aty thuhet se shumica e këtyre personave ishin burra serbë nga Kosova që ishin rrëmbyer si pengje ndërmjet qershorit dhe tetorit të vitit 1999.
“Dërgesa e fundit e pengjeve në shtëpinë/klinikë ishte raportuar në pranverën ose verën e hershme të vitit 2000”, pretendon raporti.
Raporti pretendon se përveç pengjeve që ishin dërguar për së gjalli në Shqipëri, një numër i panjohur trupash të serbëve të vrarë civilë në Kosovë ishin transportuar në Shqipëri dhe ishin varrosur në lokacione të panjohura të thella.
“Së paku katër burime kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në transportimin e së paku 90 serbëve etnikë dhe të tjerëve në qendrat e burgosjes në Shqipërinë veriore dhe qendrore. Prej tyre, tri burime kanë marrë pjesë në dërgimin e pengjeve në shtëpinë/klinikë në jug të Burrelit, dy burime kanë pranuar se kanë marrë pjesë në heqjen eshtrave afër shtëpisë dhe një burim ka pranuar se ka marrë pjesë në dërgimin e gjymtyrëve të trupave dhe/ose organeve në aeroportin afër Tiranës”, pretendon raporti.
“Asnjëri prej burimeve nuk ka qenë dëshmitar i operimeve mjekësore”.
Hetuesit thonë se sipas të gjitha burimeve, transportet dhe procedurat kirurgjike ishin kryer me dijeni dhe/ose përfshirje të oficerëve të nivelit të lartë dhe të mesëm të UÇK-së, si dhe të mjekëve nga Kosova dhe jashtë saj.
“Operacioni ishte mbështetur prej burrave që kishin lidhje me operativë të policisë sekrete shqiptare të ish-qeverisë së Sali Berishës”.
Viktimat
Raporti liston emrat e disa të zhdukurve serbë që pretendohet se janë dërguar në Shqipëri. Emrat e tyre edhe sot figurojnë si të zhdukur në Librin e Kujtimit të publikuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Vlastimir Stevanoviq thuhet se është parë në Kosovë prej burimet #2 dhe #1 në mesin e grupit të serbëve të transportuar prej një fshati afër Suharekës në Shqipëri në fund të korrikut ose fillim të gushtit 1999.
Dragan Jaçinoviq pretendohet është parë prej burimit #2 në të njëjtin grup të serbëve të transportuar prej një fshati afër Suharekës në Shqipëri në fund të korrikut ose fillim të gushtit 1999.
Zlatko Antiq pretendohet se është parë prej burimit #2 në mesin e serbëve të transportuar nga një lokacion afër Prizrenit për në Shqipëri në fund të korrikut ose në fillim të gushtit 1999. Burimi #1 thekson se një shok gjithashtu kishte parë Antiqin në mesin e një grupi të serbëve të rrëmbyer, por beson se Antiqi mund të jetë vrarë para se të arrinte në Shqipëri
Sinisha Vitosheviq pretendohet se është parë prej burimit #7 në qendra të mbajtjes afër Tropojës në fund të korrikut ose në fillim të gushtit 1999.
Gradimir Majmareviq thuhet se është parë prej burimit #7 në një qendër të mbajtjes afër Tropojës në fund të korrikut ose në fillim të gushtit 1999.
Dragoljub Sllavkoviq pretendohet se është parë prej burimit #7 në qendra të mbajtjes afër Tropojës në fund të korrikut ose në fillim të gushtit 1999.
Mladen Vasiq pretendohet se është parë prej burimit #7 në qendra të mbajtjes afër Tropojës në fund të korrikut ose në fillim të gushtit 1999.
Mileta Gjukiq pretendohet po ashtu se është parë prej burimit #7 në qendra të mbajtjes afër Tropojës në fund të korrikut ose në fillim të gushtit 1999.
Pera Ristiq është parë prej burimit #7 në qendër të mbajtjes afër Tropojës në fund të korrikut dhe fillim të gushtit të vitit 1999.
Slgjana Fan thuhet se është parë prej një miku të burimit #1 në një qendër të mbajtjes në Peshkopi në shtator dhe tetor, 1999. Burimi #1 thekson se ka parë një grua në Shqipëri që i përngjante me Fanin dhe beson se ajo ishte dërguar në shtëpinë/klinikën e Burrelit.
Raporti thotë se shumica e burimeve ishin të gatshëm vetëm të ofronin përgjigje të shkurta dhe mundoheshin të mos jepnin rolet specifike në operacion.
“Kjo ka ndodhur pjesërisht për shkak të frikës se informacionet do të mund të përdoreshin kundër tyre”.
Mungesa e provave
Por një raport tjetër i marsit të vitit 2004 i hartuar nga pesë ekspertë ndërkombëtarë të Tribunalit të Hagës dhe Kombeve të Bashkuara thotë nuk ka dëshmi bindëse se është derdhur gjak në ”Shtëpinë e verdhë” si rezultat i akteve kriminale.
“Bazuar në ekzaminimet tona, për mendimin tonë nuk ka dëshmi bindëse se personat kanë derdhur gjak si rezultat i akteve kriminale në shtëpinë në jugperëndim të Burrelit të Shqipërisë”, thuhet ne raport.
Thashethemet që kanë qarkulluar për shumë vjet të cilat kishin shpërthyer në nivel ndërkombëtar pas raportit të senatorit zviceran, Dick Marty, lidhur me pretendimet për krime të kryera gjatë dhe pas luftës nga ish-krerë të UÇK-së, kundër serbëve të rrëmbyer dhe të vrarë për heqje të organeve e tyre në muajt pas luftës në Kosovë, në bazë të tri hetimeve paralele ndërkombëtare, nga hetues për krime luftës nga Serbia, Bashkimi Evropian, dhe Këshilli i Evropës, kanë dështuar për të zbuluar ndonjë provë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka trafikuar organet e robërve.
Pasi kishte dështuar t’i vërtetonte pretendimet se dhjetëra të burgosurve kryesisht serbë u janë hequr organet në të ashtuquajturën “shtëpi e verdhë” në afërsi të Burrelit në Shqipërinë e veriore nga qershori 1999 deri maj 2000, i kishte publikuar ish-kryeprokurorja e Hagës, Carla Del Ponte në librin e saj “Unë dhe kriminelët e luftës”. Sipas disa dëshmitarëve anonim ajo pretendon se organet e serbëve janë hequr në mënyrë sistematike dhe të shitur.
Hetimet e kryera nga hetuesit e Hagës të cilave u printe zyrtari i UNMIK-ut, Jose-Pablo Baraybar, thotë se megjithëse nuk u gjeten prova se në këtë shtëpi janë kryer operacione kriminale, në bazë të hulumtimit me anë të një materie kimike e quajtur luminal ka pasur reaksione se në pesë dhoma të shtëpisë prej guri ka pasur reaksione të gjakut.
Kjo materie kimike e cila përdorët në errësirë të plotë në vende ky dyshohet se ka pasur ndonjë krim tregon se kur hidhet ai në formë të sprejit krijon pamje ultra vjollcë është konstatuar se në të paktën pesë dhoma ka pasur shenja gjaku të cilat nuk është mundur të vërtetohet se çfarë shenjash ishin ato.
Hetuesit kishin kërkuar edhe jashtë shtëpisë. Në zonat përreth saj afërsisht 15 metra larg shtëpisë ishin bërë kërkime. Në atë pjesë ishin gjetur shiringa, tasa plastike e disa mjete materiale tjera mjekësore.
Zyrtari i OKB-së, peruani Jose-Pablo Baraybar, i cili ka udhëhequr shumë kërkime në Kosovës është paditur nga familjarë të viktimave në Kosovës për eksperimentimin pa autorizim të mbetjeve mortore të 400 viktimave të luftës.
Dëshmia
Burimi #1 thotë se ka marrë pjesë në tri dërgesa të të rrëmbyerve dhe të eshtrave njerëzore nga Kosova, në Shqipëri, si dhe dy dërgesa të të rrëmbyerve në shtëpinë/klinikë në Shqipërinë Qendrore.
“Dërgesa ime e parë nga Kosova ka ndodhur rreth 20 korrikut, e dyta rreth 23 korrikut dhe e fundit në fillim të gushtit”, pretendon dëshmitari.
Ai thotë se në mëngjesin e 20 korrikut 1999 ka ishte afër fshatit të tij, në lindje të Pejës. Kishte shkuar për ta takuar eprorin e tij P. A. Ai thotë se eprori i kishte thënë se R. Z i kishte kërkuar të gjente dikë si shofer.
“E dija se ky grup ishte e rrezikshme, për atë për të cilin iu kishte dalë zëri: vrasjen e serbëve në Pasinosello”, ka thënë dëshmitari.
Ai tregon se i kishin thënë se duhej të voziste një kamion. Thotë se P. A e kishte këshilluar ta kryente këtë punë, ta mbyllte gojën, të harronte për sa të jetë gjallë.
Ai ka thënë se ka shkuar në Suharekë
“U ktheva në të djathtë. Aty ishte një shtëpi e madhe tri katëshe, në anën e djathtë dhe unë u ktheva në të djathtë dhe vozita rreth 100 deri në 200 metra më larg. Aty ndodheshin rreth tridhjetë të rrëmbyer, përfshirë një grua, që po na priste, së bashku me rreth dhjetë ushtarë të UÇK-së”, thotë dëshmitari.
“Një ushtar i UÇK-së po merrte në pyetje disa serbë. Njëri prej tyre tha se ishte Dragan Jaqinoviç nga Shillova. Ishte katërdhjetë vjeç. Shillova është afër Gjilanit. Serbët tjerë ishin nga Ratmilja. Opterusha dhe Gjilani. Ata ishin futur me forcë në kamion”, ka thënë ai.
Prej Suharekës thotë se ishte kthyer në Prizren.
“P. A. zbriti në Prizren dhe dy ushtarë UÇK-së, që më ishin bashkuar në kabinë, qëndruan gjatë gjithë rrugës. Ata nuk kishin uniforma. Kamionin tonë e përcillte në mënyrë diskrete një veturë Golf 2 me katër ushtarë të UÇK-së brenda”, pretendon ai. “Njëri nga ushtarët e UÇK-së në kabinë ishte tejet i pasjellshëm. E pyeta për destinacionin, por ai më tha ta mbyll gojën dhe të vazhdoja rrugën. Teksa po dilnim nga Prizreni, ne u dashtë të ndaleshim, pasi që njëra nga makinat kishte problem me gomën”.
Nesër: Transporti i parë për në Shqipëri. Si e kishin kaluar kufirin ata? Si është e mundur të dërgoheshin pengje në Shqipëri kur në Kosovë kishte 50 mijë ushtarë të NATO-s?