Dosja Grande IV- Shteti italian: Ukë Rugova, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve dhe drogës

Insajderi në Dosja Grande IV sjell material ekskluziv të autoriteteve italiane që e përshkruajnë Ukë Rugovën si të përfshirë në trafikim të drogës, armëve e mallrave.

Dosja Grande IV- Shteti italian: Ukë Rugova, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të armëve dhe drogës

Ukë Rugova shihet si shumë i rrezikshëm nga autoritetet shtetërore italiane. Vlerësimet e autoriteteve italiane që janë bërë për Rugovën e  paraqesin atë si figurë ndërkombëtare e krimit të organizuar, që përfshinë trafikun e armëve dhe drogës dhe kontrabandimit të mallrave.

Profili i tij përshkruhet në procesverbalin e seancës dëgjimore kundër ish-ambasadorit italian në Kosovë, Michael Giffoni.

Ai ishte dëgjuar më 26 majit të vitit 2014 nga Bordi Disiplinor i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. Ishte vendosur për shkarkimin e tij, pasi ishte gjetur se kishte pasur keqadministrim të sektorit të vizave gjatë udhëheqjes së ambasadës nga Giffoni.

Për më keq, autoritetet italiane vlerësuan se keqadministrimi ishte bërë për favor të një politikani të dyshimtë kosovar.

Insajderi e ka siguruar procesverbalin e kësaj seance dëgjimore, ku tregohen dyshimet e shtetit italian për ish-deputetin, Ukë Rugova.

“Burime të ndryshme dhe të besueshme, brenda dhe jashtë zyrës italiane në Kosovë (të dyja konsiderohen si konfidenciale), na njoftuan për klanin e udhëhequr nga Ukë I. Rugova, djalin e ish-Presidentit të Republikës, Ibrahim Rugova”, thuhet në këtë procesverbal.

Këto burime, sipas këtij dokumenti,  i kishin thënë autoriteteve italiane se Ukë Rugova dyshohet se është i përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të drogës, armës dhe kontrabandimit të mallrave.

Në këtë dokument tregohet arsyeja se pse ishin mbledhë informacione për Ukë Rugovën. Arsyeja kishte të bënte me vizat e lëshuara nga ambasada italiane në Prishtinë.
[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=u6wq84OdQCo&feature=youtu.be”/]

Giffoni, më 26 maj të vitit 2014, ishte ftuar në seancë dëgjimore nën dyshimet se i kishte shërbyer klanit të udhëhequr nga Rugova.

“Qëllimi i takimit është pjesa gojore e procedurës disiplinore të iniciuar kundër ambasadorit M. L. Giffoni, për të cilën Drejtori i Përgjithshëm për Burime dhe Inovacion ka emëruar Bordin Disiplinor”, tregohet në këtë dokument.

Giffoni kishte mohuar se kishte qenë në shërbim të klanit të udhëhequr nga ish-deputeti, Ukë Rugova.

Kishte thënë se vetëm ka ndihmuar familjen Rugova duke i favorizuar në dhënien e vizave me procedurë të shpejtë. Por, sipas tij, ishte Florian Petani ai që e mashtroi duke ia prezantuar një rreth të gjerë të njerëzve si anëtarë të familjes Rugova.

Por versioni i Giffonit nuk kishte qenë shumë bindës për eprorët e tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kishin marrë vendim që ta shkarkonin nga pozita e ambasadorit të shtetit italian në Kosovë.

Për parandalimin e këtij vendimi, nuk kishin qenë të mjaftueshme as lutjet e tij për mos dëmtim të imazhit të një njeriu që ka shërbyer me vite të tëra me besnikëri ndaj shtetit italian.

 Ukë Rugova, shoqëri të afërt me të dënuarin me burgim për trafik të drogës

Përveç dyshimeve nga shteti italian për përfshirje në trafik të drogës, Ukë Rugova, bazuar në dëshmitë e dosjes ‘Grande’, ka miqësi të afërt me një të kërkuar nga Interpoli, i cili ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës.

Është Izet Beqiri, i bashkakuzuar me Ukë Rugovën si drejtues e mbikëqyrës i grupit të akuzuar kriminal që përfitonte shuma të mëdha parash nga njerëzit që kishin nevojë të pajiseshin me Viza Shengen.

Ukë Rugova e Beqiri në intervistat e dhëna para hetuesisë i kanë mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë mbi ta.

Madje Rugova e ka përshkruar si humanist, i cili ka përdorur autoritetin e tij për të ndihmuar njërezit që kanë pasur në nevojë të dalin jashtë vendit.

Ndërkaq Beqiri është kërkuar vazhdimisht nga autoritetet italiane, nëpërmjet Interpolit për ta vuajtur dënimin me burg në Itali.

Nuk kanë arritur ta kapin.

Që të dy, Rugova e Beqiri, do të dalin para gjyqit gjatë vitit të ardhshëm për t’u përballur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Përveç tyre, para gjyqit do të dalin edhe tetëmbëdhjetë veta tjerë që akuzohen se u kanë shërbyer dy bosëve të tyre, Rugovës e Beqirit.

Më shumë për Dosja Grande:

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=jMGxdadMk-s&list=PLIKGlbXyvgfjg89cYApXRQ78Ul9rI_sNM”/]