Shkruan: Eljesa Behluli, gazetare dhe prozatore
Më në fund, botova librin tim të parë. Arrita të konsiderohem autore, aq sa të më ftojnë edhe në festën që organizohet për fundvit, aty ku mblidhen gjithë artdashësit nga profesione të ndryshme. Mbrëmja po mbahej në një pallat shumë të madh…
Të linte gojëhapur rregullimi i atij vendi, duke nisur që nga oborri ku hyje brenda. Hyrja e pallatit kishte dyer gjigante dhe ndërkohë shihja njerëz të veshur aq klasik, sa që më dukej sikur kanë tërhequr mbrapa rrotën e kohës dhe jemi kthyer në vitet e tetëdhjeta. Në sfond na përcillte një muzikë klasike dhe tipike për atë mbrëmje, më ngjasonin të komponuara nga Vivaldi, Mozarti, Bethoveni, Shostakovich, e gjithë të tjerët si ata. Oh Zot, sa bukur dukej gjithçka. Ҫdo gjë ishte aty ku duhej të ishte, deri në momentin kur taka e këpucës më kishte ngelur në fustan dhe duke u përpjekur ta zgjidhja problemin sa andej e këndej, gota me shampanjë që po mbaja në dorë, përqafoi kostumin e një njeriu! Më kaploi paniku e turpi! Si ta shikoja në sy personin që i shkatërrova veshjen e mbrëmjes që sapo kishte filluar… fillova t’i jepja shikimin që nga këpucët e ngadalë lartë deri në fytyrë.
Kostumi i qëndronte fiks në trup me elegancë, ishte një burrë zeshkan me harqe të zeza në fytyrë. Prisja momentin kur do të më flakte jashtë nga festa. Për çudi, po më shikonte me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë, kjo vërehej lehtë nga buza e tij që i kishte ikur në gaz. Me një gjysmë zë i kërkova falje dhe ai mu drejtua me “të fal vetëm në këmbim të diçkaje. Më ke borxh një kërcim në pistën e vallëzimit”. Zgjati dorën e djathtë drejt meje dhe në sfond filloi muzika e “Dmitri Shostakovich- the second ëaltz”. E hutuar vazhdova drejt tij dhe filluam të lëviznim afër njëri-tjetrit në mes të pistës për vallëzim. Më dukej vetja si budallaqe, nuk kisha idenë se çfarë të bisedoja ndërkohë që vallëzoja me të. Kur ai shikonte matanë, unë shikoja fytyrën e tij që më ngjasonte me dikë, por jo nuk arrija ta finalizoja se me kë. Fillova t’i thoja se muzika në sfond ishtë një nga të parapëlqyerat e mia, rastësi si më ftoi në vals me atë melodi! Ngadalë më tha se ishte edhe muzika e tij e preferuar dhe se gjithmonë kishte ëndërruar të kërcente me dikë nën tingujt e saj. Sigurisht, mendova jo me dikë që do t’ia shkatërronte kostumin e mbrëmjes, por sidoqoftë ne ishim për gjatë vallëzimit tashmë. Pastaj, u kthye përsëri duke vazhduar fjalinë e tij se ndoshta edhe pse emri i tij me kompozitorin ishin të njejtë, kishte ndikim tek ai. Në atë moment, mjegullimet e mia për të u bënë pasqyrë. Kuptova që isha në vals me Dhimitër Paskon, i cili njihej më shumë me emrin e pendës si Mitrush Kuteli.
Ajo që po ndodhte, nuk kishte qenë prezente as në ëndrrat e mia kur flija gjumë. Gjithë këtë e ndërlidha duke i thënë se “ty të pëlqen edhe të këndosh në disa gjuhë të botës”. Me buzëqeshje ma ktheu: ëhë, më pëlqen dhe nganjëherë këndoj në greqisht, latinisht, frëngjisht, rumanisht dhe italisht. Vazhdova me “ uou, ti kë aftësi të mira komunikimi në këto gjuhë, por gjithsesi nuk mendoj se gjuhët janë talenti dhe aktivitetet tua të vetme”. Më shikoi çuditshëm, më rrotulloi me një dorë rreth vetes dhe vazhdoi: po më jep komplimente në këto momente ose ashtu po më duket mua ? si do që të jetë, është e vërtetë që jam disi tip që pëlqej gjërat e reja, pëlqej të ndërroj sa aty e këtu me punë dhe aktivitete. Fjala “ekonomi”, të kujton diçka që mund ta ndash edhe me mua për aq kohë sa na ka mbetur ? – vazhdova menjëherë unë.
“Ajo fjalë lidhë shumë gjëra me mua, duke filluar nga ajo se çka kam studiuar. Në të njejtën kohë që studioja, punoja edhe si llogaritar. Pasi diplomova, kaluan disa vite dhe nisa punë si nënpunës i lartë në Ministrinë e Financave të Rumanisë, më tej kalova në pozitën si drejtor. E kam dashur ekonominë dhe vazhdoj ta dua. E kam përkrahur ekonominë vendase derisa e mobilizuan atë”- më spjegoi ai. Unë po të drejtohem me Dhimitër, ashtu më pëlqen të të thërras, ashtu të njoh edhe si autor. Si autor që ke diçka të veçantë në letërsi, por fatkeqësisht nuk po më kujtohet tani. Të gjithë kishin sytë nga ne që në të njëjtën kohë po vallëzonim dhe nuk po reshtnim së foluri më njëri-tjetrin, fillova të ndjehesha në siklet.
Dhimitri qeshi dhe më tha se nuk e di për çfarë saktësisht e ke fjalën, por mund të të them se unë kam filluar të shkruaj edhe për prozë moderne, shumica më veçojnë si autori i parë shqiptar që kam botuar libra kritik. Kam sakrifikuar shumë për letërsinë, sepse ajo është një pjesë e imja, është një pjesë që plotëson shpirtin tim. Që mos të fliste në vazhdimësi vetëm ai, ndërhyra duke i thënë se sigurisht që letërsia i përkiste atij dhe ai letërsisë. Kjo mund të kuptohet shumë lehtë nga veprat që kishte botuar. Por, çka është subjekt i shkrimeve të tua zakonisht? Ma ktheu: oh, subjektet e veprave të mia marrin temën nga realiteti, që zakonisht mbizotëron tema e kurbetit, gjakmarrja e këso të ngjashme. Dhimitër, edhe një gjë të fundit para se të gjunjëzohem në shenjë respekti për valsin që bëmë. Më fal që kureshtja ime nuk po prekë fundin, po nuk e kisha menduar kurrë se do të isha kështu përballë teje.
Më thuaj, me çka të njohin më së shumti lexuesit dhe çka cilëson ti arritje tek vetja ? Valsi jonë përfundoi aty. U përulëm ndaj njëri-tjetrit dhe ai shfrytëzoi ato sekonda të më thoshte se të tjerët e njohin me anën letrare, veçanërisht me tregimet e moçme shqiptare. Vazhdoi qetë: unë? Unë përveç letërsisë krenohem edhe me pjesën e ekonomisë. Shënoi ora 01:00 mesnatë, m’u desh të largohesha shpejtë nga ai vend.
Kapa me duar fustanin e gjatë dhe fillova të përshpejtoj hapat drejtë derës kryesore për jashtë, pa i lënë hapësirë të madhe zotërisë të përshëndeteshim. U futa në veturë dhe përderisa po shkoja në shtëpi, hapa kuletën të shikoja në telefon se sa kishte vajtur ora.
Aty gjeta një copëz letre, e hapa dhe mbi të shkruante: “mu duk vetja si në intervistë, në fakt atë bëre me mua. Më pëlqeu, ishte ndryshe nga mënyrat se si realizohen ato zakonisht. Mësove shumë për mua e nuk arrita të të mësoja as emrin ty. Ike në fund si Hirushja, duke lënë mbrapa dy sy që të vështruan plotë pasion dhe inspirim.” Dh.P.