15 kallëzime penale janë ngritur ndaj shitësve ambulant të thëngjillit ndërkohë që në të paktën dy vende: tek “Xhamia e Llapit” dhe tek “Pazari i Kerreve” në hyrje të Fushë Kosovës, vazhdon të shitet pa pengesa. Gazeta Insajderi ka gjetur se thëngjilli që merret në fshatin Zhilivod po shitet nga 80 euro deri në 100 euro.
Me uljen e temperaturave në vend, kryeqyteti alarmohet nga cilësia e ajrit të dëmshëm me ç’rast sipas llogaritjeve që bënë Ambasada Amerikane në Kosovë për ajrin, kryeqyteti jonë radhitet në mesin e vendeve më të ndotura në botë, me vlerën e ndotjes që shkon deri në 163, e që llogaritet si e pashëndetshme.
Shkaktarët e kësaj ndotje janë të shumtë, por sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ndër ndotësit më të mëdhenj janë përdorimi i ngrohjes në sezonin e dimrit përmes thëngjillit, shkruan Insajderi.
Ndonëse kjo lëndë djegëse është e ndaluar me ligj, ai shitet në mënyrë ilegale në shumë vende të Kosovës nga shitës ambulant.
Gazeta Insajderi, ka evidentuar dy vende në Prishtinë ku shitet ilegalisht: në lagjen tek “Xhamia e Llapit” dhe tek “Pazari i Kerreve” në hyrje të Fushë Kosovës.
Foto: Shitja e thëngjillit – “Pazari i kerreve”, Fushë Kosovë
Në dy këto vende, shitësit ambulant parkohen në vende më pak të dukshëm dhe vazhdojnë ta zhvillojnë këtë veprimtari. Në mënyrë anonime këta shitës kanë treguar për Insajderin, se furnizimin me thëngjill e bëjnë në fshatin Zhilivod në Komunën e Obiliqit.
Ata thonë se shitjen e thëngjillit e bëjnë me metër e cila fillon nga 80 euro deri në 100 euro. Derisa tregojnë se deri në këto dy vende nuk kanë pas ndonjë rast të inspektimit, nga institucionet përgjegjëse.
Foto: Shitja e thëngjillit – “Xhamia e Llapit”, Prishtinë
Konfiskim të thëngjillit dhe 15 kallëzime penale
Vetëm brenda këtij viti Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës përafërsisht në 30 vende në të gjithë Kosovën kanë konfiskuar nga tregtarët ilegal, thëngjill.
Selvije Kadriu, nga Komisioni për Miniera dhe Minerale, komision ky që është përgjegjës për inspektimin e shitësve ambulant dhe për ata që përdorin në mënyrë ilegale thëngjillin, ka treguar për Gazetën Insajderi se deri më tani janë dërguar 15 kallëzime penale lidhur me përdorimin ilegal të thëngjillit.
“Në bashkëpunim me Inspektoratin e MMPH-në dhe Policinë e Kosovës nga viti i kaluar është konfiskuar lënda minerale-qymyri te të gjithë ata (tregtarët ambulant) që janë takuar në ato vende (përafërsisht 30). Lënda minerare është kthyer në KEK”.
“Në vitin 2019 për operimet ilegale nga KPMM-ja janë dërguar 15 kallëzime penale në Prokuroritë përkatëse kurse kallëzimet tjera në bazë të planit Operativ i ka procesuar Policia e Kosovës”, ka thënë Kadriu.
Derisa Kadriu ka shtuar se “Gjykata i zvarritin lëndët dhe gjykatat ndonjëherë i lëshojnë dënimet me një shumë, shumë simbolike”.
Por sipas KPMM-së, po del të jetë numri i vogël i inspektorëve dhe kjo po pamundëson gjetjen e secilit vend të shitësve ilegal.
“Është e pa mundur dy inspektorë me gjet secilin vend, sepse përveç detyrës që e kanë për t’i evidentuar shitësit ilegal atë duhet të bëjnë vazhdimisht raporte për kompanitë për licencim, për shfrytëzim”, ka treguar Kadriu për Insajderin.
Ndërsa Leutrim Sahiti nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), thotë se janë duke punuar që në disa lagje të Prishtinës ta zgjerojnë rrjetin e koogjenerimit, në mënyrë që qytetarët të mos kenë nevojë për përdorim të thëngjillit.
Masat parandaluese të ndotjes së ajrit
Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IShPK), është alarmuar për gjendjen e cilësisë së ajrit në Prishtinë kështu ka rekomanduar që të ndërmerren disa veprime gjatë kësaj kohe.
IKSHP-ja, propozon që qytetarët t’i reduktojnë daljet në qytet dhe hapjen e dritareve, pikërisht në kohën kur niveli i ndotjes është i lartë.
“Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë dhe alarmojnë që, nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet, e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratorë, do të jetë shqetësuese”, thotë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Derisa shtojnë se “nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese”.
Mirëpo për Ministrinë e Mjedisit gjendja e ajrit nuk po del të jetë alarmante. Ndonëse ata thonë se masat të cilat i kanë ndërmarr janë duke ndikuar, kjo nuk po duket në realitet.
Vetëm gjatë javës së kaluar në dy ditët e vikendit, niveli i ndotjes në Prishtinë sipas matjeve të Ambasadës Amerikane, ka arritur në 163.
Ata thonë se sipas vendimeve të cilat i kanë marr janë duke ndikuar dhe që do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes së ajrit.
“Përveç vendimeve që kemi marrë për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje në shkolla dhe në objektet e institucioneve publike, ndalimin e dhënies falas të thëngjillit për punëtorët e KEK-ut, ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme që ministritë e linjës të kryejnë përgjegjësitë që kanë në reduktimin e ndotjes së ajrit”, ka thënë Sahiti për Insajderin.
Ndotja e ajrit është shqetësuese për çdo vit në kryeqytet. Kujtojmë që në vitin 2017 Komuna e Prishtinës dhe Ministria e Mjedisit kishin marr vendim për ndalimin e hyrjes së veturave në Prishtinë, përdorimin e shitjes së thëngjillit e që ky vendim u respektua vetëm për dy ditë. /Insajderi.com