Insajderi në serinë e trembëdhjetë të ‘Dosja Grande’ sjell detaje nga raportet konfidenciale që tregojnë për dyshimet për pastrim parash nga biznesi privat i Ukë Rugovës, i cili nuk e paguante tatimin ndaj shtetit.
Insajderi ka siguruar raporte ekskluzive që tregojnë për veprimet e dyshimta të biznesit, ku ishte aksionar ish-deputeti Ukë Rugova.
Biznesi “Cafe Uliksi/ Zero 8” kishte shpërfillur Administratën Tatimore, duke mos ia paguar tatimin shtetit.
Por, përveç borxheve ndaj shtetit, raportet konfidenciale të EULEX-it, të siguruara nga Insajderi, tregojnë se llogaria bankare e biznesit të Ukë Rugovës kishte aktivitet të pazakonshëm. Ukë Rugova dyshohet se përgjatë viteve ka qenë i përfshirë në pastrim parash.
Në llogarinë bankare të këtij biznesi nuk figuronin transaksione që dëshmojnë për pagesa të konsumatorëve, pagesa të shërbimeve apo paga për punëtorët.
Por, kishte shume deponime te parave kesh, prejardhja e te cilave nuk deklarohej nga deponuesit.
Në këtë llogari biznesi kishte deponuar dhjetëra mijëra euro Ukë Rugova dhe ortaku i tij, Suel Bajrami si dhe Izet Beqiri, i kërkuar kohë të gjatë nga Interpoli.
Ukë Rugova ishte pyetur nga hetuesit e EULEX-it për kë to veprime. E kishte bërë përgjegjës ortakun e tij, Suel Bajramin.
[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=KeLAuPOHEkM&feature=youtu.be”/]
Qindra mijëra euro të dyshimta janë deponuar në llogarinë e biznesit të Ukë Rugovës
Insajderi ka siguruar raportet e hetuesve të Njësisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, e cila operon në kuadër të EULEX-it.
Raportet tregojnë për dyshimet se biznesi i Ukë Rugovës ishte i përfshirë në pastrim të parave.
Raportet janë pjesë e dosjes “Grande”, ku Ukë Rugova dhe nëntëmbëdhjetë të tjerë akuzohen për përfshirje në biznesin e shitjes së vizave italiane.
Një raport i ishte dërguar gjykatës së procedurës paraprake, Anna Adamska-Gallant më 23 maj 2014, ndërsa një tjetër më 30 qershor të vitit 2014.
Bazuar në këto raporte, hetuesin kishin zbuluar se në llogarinë bankare të biznesit “Caffe Uliksi/Zero 8”, kishte pasur deponime në shumë të mëdha parash, për të cilat deponuesit nuk kishin deklaruar prejardhjen e tyre.
Suel Bajrami kishte deponuar mbi 115 mijë euro në llogarinë e biznesit në një periudhë kohore prej gjashtë muajsh, nga data 2 qershor 2011 deri më 27 janar 2014.
Ndërkaq, Ukë Rugova kishte deponuar në kesh 35 mijë e 454 euro në periudhën e ngjashme. Deponime kishte bërë edhe Izet Beqiri. Ai kishte deponuar 11 mijë e 300 euro nga data 10 maj 2013 deri më 19 dhjetor 2013.
Deponues në shumë më të vogla kanë qenë Edmond Kuqi, Fisnik Aliu dhe Qefser Baholli.
Kuqi kishte deponuar 9 mijë euro më 30 dhjetor 2013, Aliu kishte deponuar 2 mijë e 500 euro më 31 janar 2011 ndërsa Qefser Baholli kishte deponuar 2 mijë e 345 euro më datën 31 janar 2011.
Bazuar në raportet e siguruara nga Insajderi, në këtë llogari bankare të biznesit të “Cafe Uliksi/Zero 8”, ka pasur të hyra prej 372 mijë e 790 eurosh. Këtu përfshihet edhe kredia prej 187 mijë e 902 eurosh e marrë në një bankë private në Kosovë.
“Deklaratat financiare të llogarisë bankare nuk përmbajnë shenja të ndonjë transaksioni specifik biznesor siç janë: pagesa të konsumatorëve, pagesa për furnizime/shërbime, pagesa të punëtorëve. Në të njëjtën kohë, aktiviteti i shtuar të keshit nuk tregon për prejardhjen e të hyrave. Prejardhja e rrjedhjes së keshit të sipërpërmendur për këtë arsye nuk mund të konstatohet”, theksohet në raportin e Njësisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, të cilin e ka siguruar Insajderi.
Po ashtu, hetuesit kanë zbuluar se kjo kompani private posedonte edhe një llogari tjetër biznesi të hapur në një bankë tjetër në Kosovë. Edhe kjo llogari biznesi ishte e dyshimtë.
“Transaksionet në llogarinë nuk përputhen me biznesin e deklaruar – kafe, restorant, nuk përmban transaksione lidhur me shpenzimet e biznesit siç janë: furnizimet, shërbimet, pagesat nga personelit. Transaksionet e debitit përbëhen kryesisht nga tërheqjet në kesh nga Suel Bajrami prej €1,320.00 gjatë periudhës nga 21 dhjetori 2011 deri më 12 mars 2013 dhe transfere në llogarinë personale të Ukë Rugovës prej €1,093.40 për periudhën nga 1 gushti 2012 deri më 15 mars 2013”, theksohet në raport.
Hetuesit konkludojnë se ”Transferet në llogari personale dhe tërheqjet në kesh nga llogaria e kompanisë mund të shërbejnë si tregues të shpërdorimeve të pronave “Zero 8” Shpk apo për fshehje të prejardhjes së pasurive”.
Më tej, raporti i hetuesve konludon se është veprim i dyshimtë fakti që llogaritë biznesore kanë pasur për aktivitet financiar vetëm marrjen e kredive dhe deponimin e shumave të mëdha të parave në kesh, pa e deklaruar prejardhjen e tyre.
“ Shenjat e shpërdorimit të pronës së kompanisë “Zero 8” Shpk konfirmojnë tezën e keqpërdorimit të kompanisë për qëllime që nuk kanë lidhje me biznes, e që është fshehja e prejardhjes së të ardhurave”, theksohet në raportin konfidencial.
Po ashtu, hetuesit i kanë rekomanduar prokurorit që të kërkojë nga Administrata Tatimore e Kosovës të gjitha informatat lidhur me biznesin “Cafe Uliks/Zero 8”.
“NjHKO rekomandon lidhur me përfundimin Nr 1,2 që të kërkohet nga Administrata Tatimore e Kosovës të gjitha informatat lidhur me Cafë Uliksi Shpk/Zero 8 në mënyrë që të verifikohet përputhshmëria e të dhënave financiare e zbuluar nga kjo analizë me ato të dhëna të deklaruara për qëllime tatimore në mënyrë që të elaborohet evazioni i mundshëm fiskal”, theksohet në raportin konfidencial.
ATK-ja kishte njoftuar prokurorinë se ky biznes nuk paguante tatimin ndaj shtetit. Kur hetuesit e kishin pyetur Ukë Rugovën për borxhet ndaj shtetit, kishte pohuar se Suel Bajrami, ortaku i tij, merrej me kryerjen e obligimeve ndaj shtetit.
Ortaku i Ukë Rugovës: Paratë i siguroja nga babai, shitja e veturave dhe merrja borxh te shokët
Ortaku i Ukë Rugovës, Suel Bajrami, ishte zënë ngushtë nga hetuesit e EULEX-it kur i ishin treguar dëshmitë bankare me emrat e deponuesve të dhjetëra mijëra eurove në llogarinë bankare të biznesit të tij. Ai para se t’i tregoheshin dëshmitë bankare kishte pohuar se nuk kishte miqësi me Izet Beqirin dhe disa deponues tjerë .
Po ashtu, Bajrami ishte pyetur për një deponim të dyshimtë që e kishte bërë vetë.
Bajrami kishte deponuar katër herë para në llogarinë e biznesit të përbashkët me Ukë Rugovën.Një prej depozitave kishte vlerën e mbi 20 mijë eurove.
“Në pikëpamjen se kjo depozitë e dytë përbëhej nga shuma prej 20,600.00 euro, që do të thotë mbi limitin e 10,000.00 Euro, siç parashihet në ligjin kundër pastrimit të parave, ju lutem a mund të na e shpjegoni origjinën veçanërisht të asaj depozite?”, ishte pyetur Bajrami nga hetuesit e EULEX-it.
“Ishin paratë e mia. Ndjehem sikur po akuzohem”, kishte pohuar Bajrami.
Ai kishte shtuar se familja e tij gjithmonë mbante para në shtëpi dhe se siguronte para nga miqtë e tij për të paguar këstin e kredisë. Bajrami thoshte se 10 mijë i kishte marrë nga babai i tij dhe tjerat nga shokët e tij.
Bajrami ishte pyetur edhe për deponim prej 25 mijë eurosh që ishte bërë nga Ukë Rugova.
Kur Ukë Rugova ishte intervistuar nga hetuesit lidhur me këto para, ai kishte përmendur emrin e ortakut të tij. “Partneri im Suel Bajrami mi ka dhënë 25 000 euro për ti depozituar”, kishte thënë Rugova.
Bajrami ishte pyetur për origjinën e këtyre parave. Kishte thënë se 7 mijë i kishte ndërsa 15 mijë i kishte siguruar nga shitja e veturës së tipit Audi A4.
Më pas, Bajrami ishte pyetur nëse e njihte Izet Beqrin. Kishte thënë se e njihte përmes Ukë Rugovës, por që personalisht nuk ka asnjë lidhje biznesi me të.
Bajrami ishte përballur nga hetuesit me dëshmitë bankare që tregonin për deponimet që kishte bërë Izet Beqiri në llogarinë e biznesit të tij. Po ashtu i kishin treguar se Ukë Rugova më herët ishte deklaruar lidhur me këto deponime.
“Kur Z. Ukë Rugova është pyetur në lidhje me këto shuma, ai u përgjigj: Izet Beqiri është mik i mirë i imi dhe gjithashtu i Suelit. Nuk më kujtohen këto data saktësisht, por e di se herë pas here kur Sueli i kishte dhënë para Izetit që të shkojë dhe t’i depozitojë paratë. Ju lutem shpjegoni përse ju do t’i jepnit para një personi, i cili sipas asaj që thatë, nuk është në këtë biznes dhe nuk është mik i juaji?”, ishte pyetur Bajrami nga hetuesi i EULEX-it.
Bajrami kishte dhënë një përgjigje, e cila nuk i kishte bindur hetuesit.
“Arsyeja pse ia dhashë paratë ishte se ai (Izet Beqiri) po dilte nga restoranti dhe i thashë atij meqë del merri këto para dhe depozitojë ato”, kishte pohuar Bajrami.
Ngjashëm si për Beqirin, Bajrami kishte deklaruar edhe për Edmond Kuqin. Kishte thënë se nuk kishte marrëdhënie biznesi me të.
Hetuesit e kishin pyetur se si kishte mundësi që njerëzit me të cilët nuk kishte marrëdhënie biznesi depozitonin shuma të mëdha parash, pikërisht në biznesin e tij.
“Unë e njoh Edin. Në qoftë se të njoh për një muaj dhe të kërkoj që të shkoni të depozitoni para për mua, ju do ta bëni”, kishte pohuar Bajrami.
“Është pak e çuditshme. Për këta njerëz që ne po i përmendim, ju thoni se nuk keni as marrëdhënieve private e as të biznesit dhe as familjare. Atëherë si ju besoni atyre që t’ua jepni 9000 euro që t’i depozitojnë për ty”, kishte pasuar pyetja e hetuesit të EULEX-it.
Bajrami kishte thënë se përkundër që nuk ka raporte biznesi, ai ju beson njerëzve që i njeh. Kishte marrë shembull një shok të tij, të quajtur Ideal.
“Ai (Ideali) madje do ta jepte jetën për mua”, kishte pohuar Bajrami. Por, hetuesit e EULEX-it gjatë intervistimit i kishin thënë se “miku i tij që do ta jepte jetën për të”, nuk figuron që ka deponuar ndonjëherë para në llogarinë e biznesit të tij.
Më shumë për Dosja Grande:
[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=KeLAuPOHEkM&list=UUEWaSKzJ2D4jOaFd7bLfX9Q”/]