Eset Berisha, Drejtor i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, ka deklaruara se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e NATO-s për këtë proces. Ai thotë se së shpejti do të mbahet një takim në nivel ekspertësh, me të cilët do të përcaktohen koordinatat për korridoret ajrore të nevojshme prej hapësirës ajrore të Kosovës në drejtim të shteteve fqinjë
![Drejtori i aviacionit civil tregon se kur do të nis linja ajrore Prishtinë – Beograd](https://insajderi.com/wp-content/uploads/2020/01/linja-Prishtine-beograd-730x440.png)
Eset Berisha, Drejtor i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, i cili nënshkroi të martën në Berlin, deklaratën e përbashkët të interesit me Lufthansën për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, e ka quajtur këtë marrëveshje si hap historik drejt normalizimit të hapësirës ajrore të Kosovës.
Berisha në një intervistë për DW Shqip tha se institucionet e Kosovës, e kanë dhënë premtimin se do ta përkrahin, sa i përket pajisjes me licenca, leje, autorizime të ndryshme kompaninë gjermane Lufthansa e ka shprehur interesimin për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.
Berisha tha se kjo do të bëhet në kuadër të procesit për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës, e cila udhëhiqet nga NATO, në kuadër të mekanizmit për normalizimin e hapësirës ajrore të gjithë Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova.
Për më tepër Berisha tha se kjo është një nismë e ambasadorit, Richard Grenell për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave edhe nëpërmjet rrugëve ajrore.
“Ky është një hap drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve, sepse nuk mund të të bëhet transporti ajror mes dy shteteve, pa pasur kontakt me autoritetet e aviacionit civil dhe kontrollor të dy shteteve”, tha Berisha.
I pyetur se cilët janë hapat e mëtejshëm për realizimin e linjës ajrore, Berisha ka deklaruar se kjo do të varet edhe nga një marrëveshje që do të bëjnë tani autoritetet e Kosovës me autoritetet e NATO-s në kuadër të normalizimit të hapësirës ajrore të Kosovës.
“Pasi NATO-ja është përgjegjëse për hapësirën ajrore të Kosovës në bazë të marrëveshjes tekniko-ushtarake të vitit 1999, në të cilën ka marrë përgjegjësinë për hapësirën ajrore të Kosovës pas ndërhyrjes së trupave tokësore të NATO-s, sipas marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës mes NATO-s dhe Forcave Ushtarake të Ish-Jugosllavisë, përgjegjës për hapësirën ajrore të Kosovës është komandanti i KFOR-it dhe NATO-ja”.
“Dhe autoritetet kosovare kanë bashkëpunim të ngushtë, të ndërsjellë, me zyrtarët e KFOR-it për koordinimin dhe për aprovimin, miratimin e të gjitha fluturimeve, të cilat realizohen në hapësirën ajrore të Kosovës. Në kuadër të normalizimit të hapësirës ajrore të Kosovës do të bëhet edhe mbartja e kompetencave tek autoritet vendore, pra, tek Autoriteti i Aviacionit Civil dhe tek Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Por kur mund të bëhet zbatohet kjo marrëveshje?
Berisha thotë se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e NATO-s për këtë proces, ndonëse sipas tij ka pasur takime edhe vitin e kaluar.
“Do të kemi edhe tash së shpejti një takim në nivel ekspertësh, me të cilët do të përcaktohen koordinatat për korridoret ajrore të nevojshme prej hapësirës ajrore të Kosovës në drejtim të shteteve fqinjë. Pas dakordimit do të vendosen koordinatat për korridoret ajrore që do të mund t’shërbejë edhe ky fluturim”, tha Berisha.
Gazeta Insajderi, ka publikuar draftin e marrëveshjes së kompanisë gjermane “Lufthansa – Euroëings” me shtetin e Kosovës për linjën ajror Prishtinë – Beograd.
Në këtë draft marrëveshje thuhet se kjo linjë do të kontrollohet nga KFOR-i. Sipas kësaj draft marrëveshjeve thuhet se dy palët edhe ajo e Kosovës dhe e Serbisë janë shprehur të gatshme për krijimin e linjës Prishtinë – Beograd. /Insajderi.com
Për më shumë nga kjo temë lexo: