Në ditët e sotme çështja dhe preokupimi kryesor i qytetarëve e sidomos i të rinjve/rejave është punësimi. E pikërisht për këtë, ditë më parë u dha një shfaqje e cila prek këtë temë e përfshin të rinj e të reja në të.
Me regji të Branislav Stankovic, shfaqja “Try”, u mirëprit në Mitrovicën e Veriut, pikërisht në Civic Energy Center – CEC.
Në këtë shfaqje në mënyrë të mrekullueshme është e paraqitur ballafaqimi i të rinjve me probleme të ndryshme gjatë aplikimit për punësim si dhe mënyra se si trajtohen nga personat që janë në pozita kyçe. Sipas regjisorit Branislav Stankovic, kjo temë u zhvillua me humor dhe shumë të qeshura nga publiku në sallë. Po assesi nuk kishte se si t’i mungonte në fund një diskutim i hapur me audiencën dhe personazhet.
Krejt kjo punë e madhe vjen falë organizatës Artpolis, e cila gjatë vitit 2019-të, numëron shumë shfaqje, forum teatër, debate, punëtori, e gjithçka tjetër, që mundëson involvimin e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë dhe jo vetëm. Po ashtu, theks i veçantë është diskriminimi, i cili ishte fjala kryesore në këtë shfaqje.
Branislavi Stankovic, u shpreh shumë i lumtur që realizoi edhe një bashkëpunim me Artpolisin, ani pse tregoi që punon një kohë të gjatë me këtë organizatë.
“Jemi munduar të sjellim një shfaqje interesante dhe me një mesazh të fortë. Kjo është përcjellë me të qeshura nga publiku që edhe neve na kanë bërë të ndihemi mirë. Unë kam disa vite që punoj me Artpolisin, dhe jam shumë i lumtur për këtë”, është shprehur ai.
Ndërsa njëri nga aktorë e kësaj shfaqje, që kishte rolin e drejtorit të kompanisë, Stefan , tha se kanë punuar që të sjellin diçka të bukur. Ai tregoi për rolin e tij, dhe për punën tashmë 5-6 vjeçare që e bënë me Artpolisin.
“Unë kam pasur rolin e drejtorit të kompanisë, ku i kam përzgjedhur punëtorët e duhur për pozitat që nevojiteshin në firmë, përmes aktrimit ne prezantuam disa shembuj të diskriminimit”, u shpreh Stefan.
Branislav dhe Stefan e theksuan se kjo nuk është hera e parë që bashkëpunojnë me Artpolis, ndërsa këta të fundit e vlerësojnë shumë bashkëpunimin me ta dhe me gjithë të tjerët.
“Branislav dhe Stefan bashkëpunojnë me Artpolis prej më shumë 3 vite përmes trajnimeve për teatër, shfaqjeve me të rinj dhe shfaqjeve profesionale. Duke pas parasysh situatën në veri dhe tensionet politike të kohë pas kohëshme, ne për dallim si Artpolis kemi kontakte të mirëfillta profesionale, aktivizimi dhe miqësore me te rinj dhe artistët serb e shqiptarë në veri të Mitrovicës”, u shprehën nga Artpolis.
Nga kjo organizatë treguan po ashtu edhe për pritjen e publikut ndërsa pohuan se të pranishëm kanë qenë të rinj dhe të reja të komuniteteve shqiptare, serb, romë dhe ashkali.
E sa i përket vullnetit të kësaj organizate për të bashkëpunuar me komunitete të ndryshme, thanë se pavarësisht situatës në Kosovë ata si komunitet i aktivistëve dhe artistëve mbajnë kontakte gjatë gjithë vitit, për shumë vite me radhë, andaj bashkëpunimi i tyre me raste sfidues është çdo herë produktiv.
“Përfshirja e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë është pjesë e misionit tonë dhe kulturë e integruar e organizatës dhe stafit të Artpolis, e kjo falë angazhimit të përditshëm për promovimin e të drejtave të njeriut përmes aktiviteteve të edukimit jo-formal dhe artistik”, përfunduan deklaratën e tyre nga organizata Artpolis.
Shfaqja “Try” implementohet nga Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet në kuadër të Koalicionit të Kosovës për Pajtim dhe përkrahet nga Bashkimi Evropian në Kosovë, përmes projektit “Transformimi i perceptimeve konfliktuale përmes rritjes së angazhimit qytetar dhe komunitar në Kosovë”.