Profil- Kush është Agron Thaçi, drejtori i Infrakosit, për të cilin u shkarkuan bordi i Infrakos

Profil- Kush është Agron Thaçi, drejtori i Infrakosit, për të cilin u shkarkuan bordi i Infrakos

Qeveria e Kosovës në krye me kryeministrin Albin Kurti, ka marrë vendim ditën e sotme për shkarkimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Hekurudhat e Kosovës”, “Infrakos”.

Shkarkimi i bordit në fjalë u bë me propozimin e Ministres së Ekonomisë, Rozeta Hajdarit, ndërsa arsyetimi ishte se ndërmarrja publike i ka shkelur detyrat dhe ka pasur performancë të dobët.

Përveç përformancës së dobët të bordit, punë të pista dyshohet se ka kryer edhe drejtori i “Infrakosit”, Agron Thaçi.

Prokuroria Themelore në Prizren dy muaj më parë, kishte ngritur aktakuzë ndaj tij. Dyshimet e Prokurorisë në fjalë, ishin se Thaçi gjatë vitit 2013, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër S.P., N.K., V.I., B.N., B.K., A.Th., dhe N.A., në cilësinë e personave zyrtarë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Agron Thaçi, siç shkruan Gazeta Insajderi, akuzohet se nuk ka vepruar sipas Ligjit, duke i shkaktuar dëme ndërmarrjes që e udhëheqë, Infrakosit. Ai së bashku me Nijazi Kryeziun, këshilltar i ish-kryeparlamentarit Kadri Veselit, ishin përfshirë në aferën e rastit “Pronto”, të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e Komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale. Me çka ka në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, ishte njoftimi tutje i Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Gazeta Insajderi javën e kaluar ka raportuar edhe për një skandal të ndërmarrjes publike “Infrakos”, të udhëhequr nga Agron Thaçi.

Sipas hulumtimit, hapësira publike në Komunën e Prishtinës, përgjatë rrugës “Tirana”, është dëmtuar nga një biznes privat. Hapësira në fjalë, është në pronësi të Infrakosit, që gjendet ngjitur me Stacionin e Trenit.

“Shikoni, ne pronën e komercializojmë. I japim leje të përkohshme për komercializim, për krijimin e qirave dhe konkretisht krijimin e të hyrave në Infrakos. Sipas shprehjeve të interesit, ne i pajisim të gjithë ata që janë të interesuar – kur kemi shprehje të interesit si ndërmarrje”, i ka thënë Thaçi, Insajderit, në një bisedë telefonike javën e kaluar.

Për lëshimin e lejeve të përhershme, Thaçi ka deklaruar se është përgjegjëse Komuna e Prishtinës.

“Ne japim pëlqim paraprak të përkohshëm, dhe në qoftë se komuna i pajisë me leje – varësisht prej planit rregullativ – atëherë ne vazhdojmë me raporte kontraktuale për qiradhënie”, ka thënë kryeshefi i Infrakosit./Insajderi.com/