Dëshmitarët pretendojnë se kanë parë mjekë duke ua marrë gjakun viktimave për analiza. Ata kanë thënë se pos serbëve kishte edhe shumë prostituta që janë dërguar në Shqipëri. Kanë përmendur edhe dy vajza nga Veriu i Shqipërisë si viktima të trafikimit.
Dëshmitari i identifikuar si burimi i #2 ka thënë se udhëtimi i tij i dytë ishte realizuar në fund të vitit 1999. Pretendon se kishte dërguar disa femra dhe katër serbë në Burrel.
“Po vozisja një makinë tjetër, një kamionetë Mercedes. Në të i futën katër burra serbë. Ishin të ri dhe të shëndoshë. Dy persona ishin me ne duke na shoqëruar rrugës drejt një shtëpie në jug të Burrelit”, u ka thënë hetuesve ai. Ka sqaruar se shtëpia në të cilën kishte shkuar ishte ajo që tashmë njihet si shtëpia e verdhë.
“Aty kishte shumë burra dhe dy mjekë”, ka thënë ai. Ka sqaruar po ashtu se nga këta dy burra e kishte kuptuar se ata ishin mjekë.
“Njëri ishte arab dhe tjetri ishte shqiptar, i njohur si doktor Admiri. Serbët ishin të shqetësuar. U nxorën nga kamioneta dhe u dërguan në kasollen prapa shtëpisë kryesore”, ka thënë ai.
Udhëtimi i tretë
Udhëtimin tjetër ka thënë se e kishte kryer në pranverën e vitit 2000. Sërish në Burrel. Atje ka thënë se kishte dërguar një burrë dhe një grua të nacionalitetit serbë.
:Ajo ishte e re dhe ata flisnin serbisht. Ishin miqësorë. Në një moment, serbi na kërkoi që t’i vrisnin menjëherë. ‘Nuk duam të na copëtojnë’, tha ai. I dërguam në të njëjtën shtëpi në jug të Burrelit, me të rënë terri”, pretendon ai.
Gjatë kohës sa kishte dërguar njerëz ka thënë se kishte parë se si u merrej gjak të rrëmbyerve.
“Dërgesën e parë në Burrel, mendova se vetëm po ua bënin analizat, duke ua marrë mostrat e gjakut. Më herët kisha dëgjuar se ata po ua merrnin të rrëmbyerve mostrat e gjakut. Kjo më hutoi mua. Pse”, ka pyetur ai.
Por, pas udhëtimit të tretë, ka thënë se kishte marrë vesh se diçka tjetër po ndodhte. Ka thënë se kishte hyrë në dhomën e parë të shtëpisë, në jug të Burrelit për të pirë ujë. Dhoma sipas tij ishte e pastër dhe ndihej era e fortë e preparateve mjekësore.
“Kjo ma kujtoi spitalin dhe kjo më shkaktoi një ndjenjë të keqe. Mendoja se kjo ishte e vetmja shtëpi ku unë sillja njerëz, por prej saj asnjëherë nuk e merrja askënd”, ka thënë dëshmitari.
“Kësaj herë unë dëgjova nga djem tjerë, që po flisnin për organe, veshkë dhe udhëtime prej shtëpisë për në aeroport”.
Udhëtimi i katërt
Dëshmitari ka thënë se udhëtimi i katërt u krye në fund të majit ose në fillim të qershorit të vitit 2000.
“S. S. më urdhëroi në Burrel që me një burrë tjetër të shkonim në Mirditë, për të marrë dy femra dhe për t’i sjellë ato në shtëpinë në veri të Burrelit ku po mbaheshin ‘prostitutat e serbët’”, ka thënë dëshmitari.
Ka sqaruar se kompleksi ndodhej në periferi dhe ishte i rrethuar, me dy shtëpi, me njëfarë hangari dhe një shtëpi të vjetër. Aty ka thënë se e kishte parë mjekun arab, që po kujdesej për burrat.
“I morëm vajzat në Mirditë dhe i dërguam ato në të njëjtën shtëpi. Ishte ajo kohë kur unë dëgjova se në atë shtëpi në veri të Burrelit kishte pajisje ultratingulli”, pretendon ai.
Të nesërmen ka thënë se ishte kthyer në veri të Burrelit sipas urdhrit për t’i dërguar dy burra dhe tri gra serbe.
“Burrat ishin sjellë nga një tjetër lokacion, afër Peshkopisë. Ma merr mendja se gratë ishin nga Evropa Lindore. Ata i dërguam në shtëpinë në jug të qytezës. Pas pak dëgjova prej një miku, që po ashtu ishte shofer, se dy vajzat nga Mirdita gjithashtu ishin dërguar në shtëpinë/klinikën dhe se po përdoreshin për ‘pjesë rezervë’”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari ka thënë se ishte ndjerë keq kur ishin rrëmbyer edhe dy vajza shqiptare nga Veriu i Shqipërisë.
“Ato ishin të reja. Në fillim nuk e mora vesh se çfarë po ndodhte, derisa herën e dytë mendova se gjithë kjo punë lidhej me prostitucion. Por herën e tretë, kur e mora vesh se çfarë po ndodhte, u tmerrova dhe thjeshtë doja të fshihesha”, ka thënë ai.
“Këta ishin ushtarë të mirë, por vërtetë më zhgënjyen. Mendoja se ata po bënin luftë, por kjo ishte diçka krejt tjetër”.
Nuk kishte pranuar të udhëtonte më për në Shqipëri. Ka thënë se ndjehej i tmerruar.
“Pas udhëtimit të katërt, u thashë se jam i sëmurë. Është e vërtetë se isha i sëmurë, por komandantit tim i thashë se kisha pneumoni dhe duhet të largohesha”.
Hetuesit kanë analizuar dëshminë e dëshmitarit. Kanë thënë se dëshmitari kishte kuptuar pas udhëtimit të tij të fundit se dyshimet e tij ishin korrekte.
“Ai foli edhe me ish-bashkëluftëtarë të UÇK-së, që kishin bërë dërgesa të ngjashme dhe të cilët i kishin kryer këto punë natën vonë dhe herët në mëngjes prej shtëpisë/klinikës në drejtim të aeroportit të Rinasit”, thonë hetuesit në raport.
“Burimi ka thënë se këto makina ishin përdorur një hyrje të prapme të aeroportit (ne besojmë se burimi mund të fshehë rolin e tij për punën e dërgesave në drejtim të aeroportit)”, pretendojnë hetuesit.
Ata thonë se i kishin paraqitur burimit fotografi të tetë shtëpive të ndryshme në Shqipëri. Dëshmitari kishte drejtuar gishtin te shtëpia e dyshuar në jug të Burrelit. Kishte theksuar se ky ishte vendi ku ishte bërë dërgesat në Shqipërinë qendrore dhe ku pa shenjat e një klinike ndarëse.
“Burimi ishte i habitur të shikonte se shtëpia ishte ngjyrosur me të bardhë (një fotografi e mëhershme e shtëpisë që e kemi ne tregon se më herët kishte ngjyrë të verdhë të ndritshme). Burimi na tha se ishin varrosur mbetje mortore prapa shtëpisë dhe te varrezat e afërta”.
Burimi #3
Për dëshmitarin e koduar me numër tre hetuesit kanë thënë se ka refuzuar të specifikojë rolin e tij në transportimin e serbëve në Shqipëri, por ka lënë të kuptohet se si shofer dhe oficer sigurie kishte kryer së paku tri dërgesa në rrethin e Burrelit më 1999 dhe 2000, dhe se lidheshin pjesërisht me serbë të rrëmbyer që po mbaheshin në Shqipëri. Burimi ka përshkruar një udhëtim në të cilin e kishte vozitur eprorin e tij (operativ i UÇK-së) në një shtëpi në jug të Burrelit.
Atje, thuhet se eprori i tij i komandonte burrat që po varrosnin e rivarrosnin mbetje mortore në qese najloni. Burimi ka thënë se ka parë prej makinës së tij dhjetë deri në njëzetë kufoma të varrosura në një palë varreza të vogla nja një kilometër larg shtëpisë. “Dëshmitari ka thënë se burri që po drejtonte varrimin e kufomave ishte B. V.
“Ne i kemi treguar burimit fotografitë e dhjetë shtëpive nga Shqipëria dhe ai zgjodhi të njëjtën shtëpi të identifikuar prej të tjerëve. Burimi gjithashtu ka thënë se i kujtohej shtëpia, që ishte ngjyrosur me të bardhë në fotografi, se dikur ka qenë e verdhë.
Burimi #4
Hetuesin thonë se ky burrë ishte përfshirë në varrosjen e serbëve të vrarë në rrethinën e Gjakovës. Ai gjithashtu ishte përfshirë në së paku tre transportime të të rrëmbyerve nga Kosova në Shqipërinë veriore.
Dëshmitari ka thënë se kishte edhe ngarkesa kamionësh me pajisje dhe furnizime mjekësore nga Prishtina, Gjakova dhe Prizreni dërguar në Shqipëri.
“Më urdhëruan prej burrave të njësitit të Xh. E., i cili komandonte njësitin special 128 të UÇK-së që kishte uniforma të zeza për të ndihmuar me transportimet. Na thanë të shkonim njëherë në Kukës, pastaj në Bicaj. Katër prej nesh na kishin urdhëruar të vepronin kështu, por kishte edhe të tjerë”, ka thënë dëshmitari.
Ai pretendon se në grupin e parë ishin pesëmbëdhjetë ose njëzetë persona, të gjithë burra, shëndosh e mirë të moshës 20 deri në fund të dyzetave. Të gjithë qytetarë serbë.
“Grupi i parë ishte nga Zoçishta, Rahoveci dhe Mushtishti, Lubizhda dhe Retimlje. Kamioni i përdorur ishte i zakonshëm, si kamion me kontejner frigorifer. Nuk kishte kondicioner ajri ose diçka tjetër. Mendova se do të vriteshin por ne ishim nën urdhra striktë të mos i lëndonim të rrëmbyerit, të mos i rrihnim dhe t’u jepnin atyre ushqim dhe ujë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se dy makina i përcillte gjatë gjithë rrugës për tu siguruar se askush nuk do të provonte t’i ndalte.
“Rruga në territorin shqiptar ishte e keqe dhe na mori dy orë derisa arritëm në Bicaj. Ne shkuam te një shtëpi në periferi të fshatit. Një grup i dytë (burrash shqiptarë) ishte atyre dhe i mori tre të rrëmbyerit që i dërguan në shtëpi. Aty ishte një person që burrat e quanin mjek. Ishte shqiptar nga Kosova. Njerëzit në shtëpi prapë po flisnin se si nuk duhej të keqtrajtoheshin të rrëmbyerit”, pretendon dëshmitari.
Transporti i dytë
Transporti i dytë ka thënë se ishte kryer katër apo pesë ditë më vonë. Ishin 20 apo 25 burra, kryesisht nga Rahoveci dhe Gjakova.
“I morëm ata afër një auto shkolle në Prizren. Ndodhi midis dite. Burrat ishin të së njëjtës moshë, shëndosh e mirë. Nuk e njoha asnjë prej tyre. Në kamion ishte errësirë”, ka thënë ai.
“U nisëm në drejtim të kufirit. Kësaj here përgjatë rrugës së ngushtë të Nashecit sipër maleve të Pashtrikut. Afër kufirit, ia dorëzuam burrat një grupi tjetër, që i çoi ata në Shqipëri në Tropojë”, ka përshkruar udhëtimin dëshmitari.
“Pas kësaj dërgese, nuk më përdorën më, por e di prej të tjerëve se vazhduan transportimet së paku gjatë vitit 1999. Ata mundoheshin të mos përdornin të njëjtin grup shumë herë për transport nga Kosova”, ka thënë ai.
Burimi ka thënë se më vonë vizitoi një qendër të burgosjes afër Kukësit ku po mbaheshin më shumë serbë. Ai ka thënë se i kishin thënë eprorët se disa të rrëmbyer po dërgoheshin në Shqipërinë qendrore. Ka thënë po ashtu se kishte dëgjuar se të rrëmbyerve po u kryheshin teste dhe analiza të gjakut e urinës. Ka thënë se shumë operues të nivelit të ulët i kishin folur për serbët që po përdoreshin për organet e tyre dhe se heqja e organeve po kryhej diku në Shqipërinë qendrore. /Insajderi.com
Nesër: Analiza e dëshmive dhe përfshirja e komandantëve në trafikim.