Frika nga autoritarizmi i Kurtit – lavdëron “Kalin e PDK-së”, askush në VV nuk shpreh pakënaqësi

Frika nga autoritarizmi i Kurtit – lavdëron “Kalin e PDK-së”, askush në VV nuk shpreh pakënaqësi

Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marr përmasat e një lideri të pakontestueshëm në këtë parti. Kurti shpall tradhtarë, lavdëron persona të caktuar, akuzon, etiketon persona me epitete të ndryshme kur atij nuk i shkojnë për shtati.

Në vijë me liderin e tyre, janë deputetët, anëtarët e kryesisë së partisë që drejton, e deri të aktivisti i fundit, duke mos guxuar ta shprehin asnjë pakënaqësi apo kundërshtim ndaj deklarimeve të tij, shkruan Insajderi.

Por, kursin nuk e ndërrojnë as kur lideri i tyre i “harron” sharjet, akuzat, etiketimet ndaj personave që kanë pasur apo kanë ende funksione institucionale e partiake, e që dikur i shante, akuzonte e etiketonte me lloj lloj epitetesh.

Të gjithë pa dallime, pa kundërshtime e pa asnjë pakënaqësi e përkrahin liderin e tyre për gjithë ato çfarë thotë, e çfarë ka thënë, edhe kur prijësi i tyre ndryshon qëndrimin ndaj personave të cilët i kishte sharë, etiketuar me lloj lloj emrash, e deri të shpallja tradhtar.

Kjo, shton frikën se Albin Kurti, po shkon drejt autoritarizmit, ku deklarimi i tij është i pandryshueshëm dhe i padiskutueshëm nga kushdo brenda partisë që ai e drejton.

Kështu, pas zgjedhjeve të vitit 2014, Isa Mustafa ishte bërë kryeministër, meqë kishte vendosur ta braktiste të ashtuquajturin blloku VLAN, që për gjashtë muaj kishin mbajtur peng krijimin e institucioneve.

Pas kësaj Albin Kurtit, i kishte mbetur fort hatri në Mustafën, sa që kishte filluar ta etiketonte me emra të ndryshëm, derisa e kishte shpall edhe tradhtar. E kishte quajtur argat të Serbisë, Esat Pashë, e çka jo tjetër.

Me të gjitha këto aktivistët, deputetët aso kohe, e të gjithë ata që e përkrahnin Kurtin, ia kishin bërë “aminin” deklarimeve të Kurtit, duke mos shprehur asnjë kundërshtim apo pakënaqësi.

Mirëpo, vitin e kaluar, kur Mustafa i nevojitej Kurtit për të bërë marrëveshje për krijimin e Qeverisë, quditërisht, kryetari i LDK-së, u shndërrua në profesor i nderuar, nga ai argati i Serbisë, e tradhtari si Esat Pasha.

Sikurse herën e parë ashtu edhe tani deputetët e VV-së, aktivistët e anëtarët tjerë, u pajtuan me liderin e tyre, ani se ndryshimi ishte i madh në vlerësimin që po i bënte Mustafës.

Kurti nuk kishte ngurruar ta quante “Kali i PDK-së” as Enver Hasanin, aso kohe kryetar i Gjykatës Kushtetuese. Kurti do ta etiketonte edhe me një emër tjetër Hasanin, duke e quajtur Enver Sahani.

As këtu, nuk doli deputet, aktivist a përkrahës i VV-së që ta kundërshtonte Kurtin në ato që po i thoshte.

Pas disa viteve, pikërisht tani kur Kurti u rrëzua nga qeveria, ndryshoi kursin për Enver Hasanin. Tani, po e citon “Kalin e PDK-së”. Madje, po i referohet edhe si profesor.

Ndryshimi i mendimit të Kurtit për Hasanin do të thotë ndryshim edhe për mbështetësit e tij, deputetët, aktivistët e bashkëpartiakët, të cilët nuk guxojnë ta thonë asnjë fjalë ndryshe nga lideri i tyre.

Kjo, tregon se Kurti frikshëm po shkon kah autoritarizmi, ku askush nuk guxon ta dal kundër mendimeve të tij dhe se duhet pajtuar në unison që të gjithë me të. Madje, edhe kur ndryshon mendimin e tij.

Ndryshe nga Kurti dhe partia e tij është në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku ndaj mendimeve të kryetarit dalin shumë deputetë, anëtarë e aktivistë të tij, kur jep një mendim a qëndrim rreth ndonjë personi të caktuar me peshë në Kosovë.

Argumenti i fundit është rrëzimi i Qeverisë Kurti, kur vendimin e Mustafës dhe kryesisë së partisë që drejton e kundërshtuan dhe shprehen pakënaqësi disa deputetë, e madje edhe vet zëvendësja e tij, Vjosa Osmani. /Insajderi.com