Jehona Zhuniqi
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHP), aktualisht ka vetëm 3100 teste për të detektuar të infektuarit me COVID-19.
Prej tyre 2100 kanë arritur para disa ditësh, ndërsa sot janë pranuar edhe 1000 teste të tjera si donacion nga Serbia në kuadër të bashkëpunimit të shteteve të rajonit kundër COVID-19, shkruan Insajderi.
Kurse, sonte në mbrëmje në Kosovë do të arrijnë edhe 2000 teste të tjera, ndërsa 2000 të tjera javën që vjen, sipas zotimeve të operatorit të kontraktuar.
Kështu ka bërë të ditur për Insajderin zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.
“Para disa ditësh, IKSHPK-ja nga kontrata e MSH-së dhe IKSHPK-së për teste është furnizuar më 2100 teste. 2000 teste të tjera nga kjo kontratë pritet të arrijnë sonte në mbrëmje, ndërsa 2000 të tjera javën që vjen sipas zotimeve të operatorit të kontraktuar. 1000 teste të tjera sot janë pranuar nga Serbia si donacion, në kuadër të bashkëpunimit të shteteve të rajonit kundër COVID-10”.
Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, kishte njoftuar më 28 mars se në Kosovë kanë mbërritur 7 mijë teste të reja të cilat do të shfrytëzohen për të detektuar sëmundjen COVID-19.
“Shtatë mijë teste mbërritën sot në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për RT-PCR. Ato do të shërbejnë për të detektuar sëmundjen COVID-19. Ndërkohë, u iniciua kërkesa për furnizmin edhe me dhjetë mijë teste të tjera. Nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) mbërriti një pjesë e donacionit me material mjekësor mbrojtës kundër COVID-19. Në ditët në vijim mbërrin edhe donacioni nga UNICEF me materiale shtesë. Përmes Bankës Botërore kanë përfunduar proceduarat e aktivitetit të prokurimit për material mjekësor mbrojtës. Ndërsa në Ministrinë e Shëndetësisë, është në fazën finale prokurimi për materiale mbrojtëse, pajisje dhe barna”, kishte deklaruar ministri Vitia.
Por, kjo deklaratë e ministrit Vitia po del të jetë e pavërtetë.
Të pyetur për këtë deklaratë të ministrit në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk kanë dhënë detaje vetëm se kanë deklaruar se kjo ministri ditë më parë ka lidhur kontratë për 6900 teste.
“MSh, ka lidhur kontratë kontratë ditë më parë për 6900 raste, Disa janë sjellë, sikur përshkruhet në përgjigjen më lartë, kurse disa të tjera sillen sot (2000) dhe ditët ën vijim. Përveç 6900 testeve, MSh ka zhvilluar edhe një tender për 10.000 teste të tjera(me mudnësi të sigurimit deri në 13000 për shkak se kontrata është kornizë), dhe sot pritet shpallja e fituesit”, ka thënë Hoti për insajderin.
Ndërsa, gjatë ditës së djeshme Organizata Botërore e Shëndetësisë në Kosovë ka alarmuar se në Kosovë aktualisht ka gjithsej 600 teste dhe pret këto ditë arritjen e 2.000 të tjerave për konfirmimin e rasteve me koronavirusin e ri.
Që në Kosovë po bëhen pak teste ka reaguar edhe Partia Demokratike e Kosovës.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, më 13 prill ka thënë se që nga fillimi i pandemisë, Kosova ka kryer shumë pak testime, siç tha ai përkundër thirrjeve të vazhdueshme që ky numër të rritet.
“Që nga data 8 shkurt e deri dje, më 12 prill, në Kosovë janë bërë vetëm 3256 testime. Pra, mesatarisht janë bërë vetëm 50 testime në ditë! Kjo është jashtëzakonisht pak! Me këtë ritëm është e pamundshme që të identifikohet niveli i vërtetë i prevalencës së koronavirusit në vendin tonë. Dhe për më keq, numri i testimeve ditore është rritur minimalisht dhe ende është shumë larg numrit të nevojshëm që në rastin e Kosovës, do të duhej të jetë së paku 1000 testime në ditë në këtë fazë”.
Kurse, sot për numrin e testeve ka reaguar edhe Adri Nurellari, këshilltari i kreut të PDK-së, Kadri Veseli, i cili ka akuzuar ministrin në detyrë të Shëndetësisë Arben Vitia, se ka gënjyer për 7 mijë teste lidhur me pandeminë COVID-19.
Përmes një shkrimi në Facebook, Nurellari ka thënë se nuk ka parë ndonjëherë që një ministër në kohë krize “të gënjejë kaq shumë popullin e vet”.
Nurellari ka thënë se, sipas përllogaritjeve, i bie që ministri Vitia ka gënjyer me numrin e testeve që kanë mbërritur në Kosovë në fund të muajit të kaluar.
“Para 20 ditësh ka thënë se kishin mbërritur 7000 teste ndërkohë që dje është raportuar se kanë mbetur vetëm 600 e deri tani janë bërë 3720 vetë. Pra kjo 7 mijësha e shumëpërmendur nuk ka mbërritur kurrë sepse ka qenë rrenë e pastër”.
Nga data 08 shkurt deri më 16 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 3.915 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.
Ndërsa, deri më 16 prill janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 5 mijë e 448 kontakte të rasteve.
Deri më tani numri i të infektuarve në Kosovë me koronavirus është 449, ku prej tyre 79 janë shëruar, ndërsa 12 kanë vdekur./Insajderi.com