Hetimi kundër policit nipit të kryeprokurorit Reshat Millaku, Behar Millakut dhe grupit të tij ka zbuluar se si kishte kërkuar 300 mijë euro nga pronari i kompanisë së lojërave të fatit, “EGTK II” për t’ia mbyllur hetimet. Millaku dyshohet se cak të vetëm kishte zhvatjen.
Hetuesi Behar Millaku, dyshohet se ua ka rënduar përgjegjësinë penale të dyshuarit Skender Fetaj, – pronar i kompanisë së lojërave të fatit “EGTK II” dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Këtë e ka bërë me qëllim të zhvatjes së parave në këmbim të heqjes së veprave penale siç është krimi i organizuar. Në këmbim, dyshohet se ka kërkuar 300 mijë euro.
Bazuar në kallëzimin penal të dorëzuar nga ekipi i hetuesve të kryesuar nga Behar Millaku, që është djali i vëllait të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku, prokurori Haki Gecaj ka nxjerr vendim për fillimin e hetimeve.
Në anën tjetër, hetimi paralel kundër hetuesit Behar Millaku dhe grupit të tij që dyshohet se kishin kërkuar 300 mijë euro nga pronari i kompanisë së lojërave të fatit, “EGTK II” ka zbuluar se hetuesit kanë fryrë rastin për ta zhvatur biznesmenin.
Prokurori Haki Gecaj pretendon se të pandehurit Skender Fetaj, – pronar i kompanisë “EGTK II”, Ramadan Latfi – pronar i bastores sportive N.SH.H “Planet Ëin 365”, Arjan Kastrati, Driton Haxhijaj dhe Burim Ismajli, si grup kriminal i organizuar që nga viti 2015 e në vazhdim, kanë vepruar si grup kanë organizuar lojëra të paligjshme të fatit me aparate të markave të ndryshme si dhe lojëra të tjera të ndaluar “KENO”, “Lojëra me qenë” në Prishtinë , Pejë, Mitrovicë, Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Deçan, Prizren, dhe jashtë Kosovës.
Ata dyshohen se në lokacione të ndryshme kanë mbajtur punuar me aparate të palicencuara të markave “Kajot”, “APEX”, “Merkury”, ose aparate të tjera të “Lojërave me qenë”, “KENO” dhe tavolinat e pokerit.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë ata kanë kryer krim të organizuar.
Në bazë të kallëzimit penal, grupi dyshohet se i janë shmangur obligimeve tatimore.
Kallëzimi është paraqitur nga hetuesi, Behar Millaku, i cili dyshohet se ka rritur përgjegjësinë penale të të dyshuarve me qëllim të përfitimit material. Pos kësaj, ai dyshohet se u ka premtuar të dyshuarve fshehjen e provave fajësuese kundër tyre me qëllim të shmangies së dënimit. Hetuesi dyshohet se me anë të ndërmjetësit, Ilir Sadrijaj ka komunikuar me përfaqësuesit e kompanisë që po hetonte, duke u premtuar se nëse paguajnë para do të hiqen veprat e rënda penale, dhe do të lehtësohet përgjegjësia e tyre para gjyqit.
Si rezultat i bashkëpunimit me një grup tjetër hetimor të Policisë, është arrestuar Behar Millaku dhe ndërmjetësi, Ilir Sadrijaj. Atyre u janë zënë bankënota të regjistruara dhe fotografuara që janë dhënë nga Skender Fetaj.
Për shkak të dyshimit se Prokuroria Speciale mund të jetë e njëanshme, mbrojtja ka kërkuar përjashtimin e kësaj Prokuroria. Ka kërkuar që rastin ta marrë Zyra e kryeprokurorit të Shtetit.
Në kërkesën për përjashtimin e Prokurorisë Speciale drejtuar kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mbrojtja pretendon se që nga fillimi i hetimit, përfaqësuesit e Kompanisë “EGTK II”, në vazhdimësi janë sulmuar në mënyrë të paskrupullt nga disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, duke kërkuar ryshfet në mënyrë që kinse të i ndihmojnë në shpalosjen e provave shfajësuese.
Në kërkesë thuhet se duke u gjendur në një situatë të tillë, dhe duke qenë të bindur se rasti është tërësisht i montuar nga ana e disa pjesëtarëve të korruptuar të Policisë së Kosovës, disa përfaqësues të Kompanisë “EGTK” II, vendosin të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, në zënien e këtyre policëve të korruptuar.
Si rezultat është udhëhequr një aksion i Prokurorisë Themelore në Pejë së bashku me Inspektoriatin Policor të Kosovës, duke arrestuar në flagrancë, duke i marrë paratë, një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe një person i cili kishte shërbyer si ndërmjetësues.
“Pjesëtari i Policisë së Kosovës i cili është arrestuar quhet Behar Millaku ndërsa personi tjetër Ilir Sadrijaj”, saktëson avokati, Granit Vokshi.
Foto: Facebook
Sipas tij, kjo situatë paraqet një rrethanë të re e cila në mënyrë të qartë tregon se i gjithë procesi hetimor ishte i kontaminuar për shkak se zyrtarët përgjegjës policorë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore nuk kishin për qëllim arritjen e të vërtetës objektive dhe trajtimin e provave në mënyrë të pavarur, të ndershme dhe profesionale.
“Kjo tregon se ky hetim penal është tërësisht i montuar nga disa zyrtarë të korruptuar policor dhe se të njëjtit kishin për qëllim vetëm përfitimet personale, duke përdorur shantazhe të ndryshme”, pretendon Vokshi. “Duke u gjendur në një situatë të tillë, kompania ‘EGTK II’, në fakt paraqitet si e dëmtuar, e për më tepër, i pandehuri Driton Haxhijaj paraqitet si viktimë e veprimeve korruptive të disa personave të pandërgjegjshëm”.
Avokati Granit Vokshi ka shprehur konsideratë të lartë për kryeprokurorin Reshat Millaku, megjithatë, ka shprehur dyshime se hetimi kundër nipit të tij, Behar Millaku mund të jetë i ndikuar.
Në këto rrethana, ka thënë se kryeprokurori Millaku ka konflikt interesi në mënyrë të drejtpërdrejtë në këto dy raste penale. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale sipas tij duhet të përjashtohet nga rasti.
“Në rastin konkret, ne konsiderojmë se as prokurori Special përgjegjës për rastin Z. Haki Gecaj e as Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Reshat Millaku nuk mund të udhëheqin në mënyrë të paanshme dhe objektive rastin”, e ka arsyetuar kërkesën, Vokshi.
Por, kjo kërkesë është hedhur poshtë nga kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Haxhi Dërguti. Sipas arsyetimit që ka dhënë ai, hetimi është i pavarur. Dërguti pretendon se po të mos ishte i tillë, nuk do të arrestohej Behar Millaku./Insajderi.com
Arrestohet nipi i kryeprokurorit të Speciales, dyshohet së kërkoi 300 mijë euro ryshfet