Kompania “Alumil-Ko”, i detyrohej shtetit mbi 12 mijë euro. Ajo nuk e pagoi detyrimin. Administrata Tatimore vendosi t'ia fal borxhin kësaj kompanie. Insajderi ka zbuluar se aksionar në këtë kompani është deputeti Shaip Muja
Një kompani e tregtimit të metaleve e mineraleve ku është aksionar Shaip Muja, ish-deputeti i pasur i PDK-së që tash është i pavarur, ka përfituar nga falja e borxheve.
Megjithëse deputetët janë të thirrurr që të mbikëqyrin zbatimin e ligjeve krejtësisht ndryshe ka vepruar kompania ku është hisedar deputeti Muja.
Insajderi ka zbuluar se kompania “Alumil-Ko” është treguar e parregullt në pagesën e detyrimeve ndaj shtetit, përkatësisht Administratës Tatimore të Kosovës.
Dokumenti i ATK-së, që përmban emrat e bizneseve që iu kanë falur borxhet, tregon se biznesi i Shaip Mujës është ndëshkuar për mos kryerjën e obligimeve.
Vlera e ndëshkimit ka qenë në vlerë prej 5 mijë e 392 euro. Dokumenti nuk tregon vitin se kur është shqiptuar ndëshkimi dhe Administrata Tatimore nuk ka dhënë shpjegime shtesë kur është pyetur nga Insajderi.
Por ndëshkimi, bazuar në këtë dokument, nuk është paguar pasi që kompanisë i figuron edhe borxhi prej 7 mijë e 338 eurosh si Interes i papaguar.
Shaip Muja, i kontakuar nga Insajderi, ka thënë se kjo çështje është e mbyllur.
“Unë jam jashtë shtetit dhe kjo temë për interesin tuaj ka mbi 12 vite. Dhe kjo është hera e dytë që i merrni por me forma tjera. Është e sqaruar dhe e mbyllur si aktivitet. Cili është qëllimi i juaj për një informatë të tillë publike apo është e njejta sikurse për Restaurant Rrethi?”, ka thënë Muja.
Ky biznes është themeluar më 12 maj të vitit 2015. Ka për aktivitet primar tregtinë me shumicë të metaleve dhe mineraleve.
Kapitali themelues ka vlerën e 2 mijë e 500 eurove.
Kompania ka nëntë pronarë. Përveç deputetit Shaip Muja aksione në kompani kanë edhe katër vëllëzërit e tij: Arsimi, Shabani, Fatmiri e Naimi.
Ndërsa katër aksionarët tjerë janë: Nevila Rama, Dimitrios Gavrril, Aldi Kuzmi dhe Edlira Guri.
Adresa e kompanisë, bazuar në çertifikatën e regjistrimit të biznesit, është restaurant Te Rrethi (Gllas House).
Po ashtu afër këtij hoteli operon edhe një kompani tjetër që merret me tregtinë e metaleve. Është kompania “Ci-Kos” që figuron në pronësi të Fatmir Mujës, vëlla i deputetit të PDK-së.
Por hapësira ku operojnë këto biznese dyshohet se është uzurpuar nga vëllëzërit Muja dhe se prona i përket ndërrmarrjës shoqërore “Auto Prishtina”.
Kjo ndërmarrje kishte nam deri në vitin 1991 kur u ndërpre puna pas largimit me dhunë të punonjësve të saj.
“Auto Prishtina”, ishte servis i autorizuar për mirëmbajtjen dhe shitjen e veturave “Iveco”, , “Opel”, e “Zastava”.
Po ashtu ishte e mirëmbajtjen, riparimin e kontrollin teknik si dhe shitjen e veturave të tipit “Magirus”.
Aziz Sefedini që mbante pozitën e drejtorit në këtë ndërmarrje i pati thënë Gazetës Jeta në Kosovë, në janar të vitit 2012, se restaurant “Te Rrethi” ishte një prej uzurpatorëve të hapësirës së ndërmarrjës shoqërore. Ky restaurant, sipas tij, kishte uzurpuar rreth 5 mijë metra katrorë pronë shoqërore.
Historia e uzurpimit kishte nisur me një vendim të Azem Sylës, ministër i Mbrojtjës në Qeverinë e Përkohshme në vitin 1999. Ai kishte marrë nën administrim gjithë hapësirën e ndërmarrjës shoqërore për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjës. Pas këtij vendimi situata më nuk ishte nën kontroll të drejtorisë së ndërmarjës shoqërore.
Kjo, sipas Sefedinit, kishte quar deri tek uzurpimi i aseteve. Përkundër akuzave vëllëzërit Muja vazhdimisht kanë deklaruar se e shfrytëzojnë këtë hapësirë në mënyrë të ligjshme.
Fatmir Muja, në një sqarim për publikun, ka deklaruar se objekti u ndërtua me leje të organeve komunale të Prishtinës të vitit 1999.