Ai nuk është reper por pasqyrë e gjenerates t’prishtë

Derisa muzika komerciale R&B ka arritur kulmin e saj në skenën shqiptare të muzikës, artisti kosovar nga Ferizaj, Buta pretendon se muzika e tij është “ndryshe, reale dhe e kohës”. Ai po konsiderohet si një nga revulocionizuesit e muzikës hip-hop në Kosovë.

Ai nuk është reper por pasqyrë e gjenerates t’prishtë

Ndryshe nga reperët e tjerë të skenës së hip-hopit shqiptar të cilët këndojnë për një sërë çështjesh sociale të shoqërisë në gjerësi, Buta përçon nëpër krijimet e tij artistike vetëm realitetin e tij dhe të një rrethi të ngushtë shoqëror, të cilin ai thotë se “e kam përjetuar vetë, në një mënyrë apo tjetrën”.

Mburrja, paraja, femrat dhe marihuana janë disa nga realitetet që e inspirojnë jetën personale dhe artistike të artistit të ri kosovar, i cili po konsiderohet si një revolucionar i muzikës hip-hop në Kosovë, i zhytur nën ritmet e rrymës së muzikës hip-hopit, e njohur si Trap.

Shpeshherë kritikohet se këndon për lavdi personale dhe jo për “tema shtesë” të cilat e prekin shoqërinë kosovare në përgjithësi. I pyetur se a është real ai apo personazhet që paraqet në këngët e tij, Buta shprehet i bindur se jo vetëm ai, por edhe shumë të rinj kosovarë e gjejnë veten në këngët e tij.

“Është krejt reale. E di qe tingllon cliche po une jom rritë n’mahalle e hala qaty jom.  Ma shumë njoh njerëz që e kanë këtë mënyrë jetese se që nuk e kanë. Shumica e muzikave t’mijave janë zani i njerëzve që i jetojnë ose i kanë jetu këto sene, mos t’i kisha jetu, nuk më kishte marrë kërkush seriozisht”, thotë ai.

“Flexing” është njëra nga fjalët që të bie më shpesh në vesh nga këngët e tij – fjalë që vjen nga sllengu amerikan i anglishtës, në shqip do të thotë “mburrje” apo “shkëlqim” – e që pasqyron jetën e një “djali të keq” rreth të njëzetave, i cili dominon mbi femrat, paratë apo edhe “swag”-un.

Edhe kënga e tij e fundit e titulluar “Hashish Thaçi” ka tërhequr vëmendjen për superioritetin që zotëron personazhi i këngës, i cili mendohej se kishte të bënte me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpo Buta thotë se “Hashish Thaçi” është vetë ai dhe se personazhi i pasqyruar në këngë nuk ka të bëjë me presidentin.

buta

“Se kanga s’është e dedikuar për presidentin, por për mua. Unë jam Hashish Thaci, ai o’ Hashim Thaçi. Është veç një prej nickname-ave të shumtë të mijë si: “z. Ndjenja”, “Njeri i Motit”, “Dr. Zhivago” etj..”, rrëfen artisti kosovar.

Buta insiston se kënga e tij e fundit është asgjë më pak e as më shumë se realiteti i një komuniteti shoqëror i të rinjve kosovarë.

“Nëse është interpretim, është i jetës time edhe i rrethit tim edhe krejt njerëzve që i jetojnë këto sene. Nuk e di nëse i kisha thanë “jetë luksoze”; unë s’jam tu folë për miliona, por për pare trap-i. Jom tu fol per njerëz që nuk dijnë tjetër jetë përpos kësaj”, deklaron 20-vjeçari.

I influencuar nga hip-hopi amerikan, por ndryshe nga shumë reperë të tjerë kosovarë, ai inspirohet nga reperët e rinj amerikan të njohur si “New School”, me bazë në jug të ShBA-ve, kryesisht në Georgia. “Trap” quhet rryma e re e hip-hopit e lindur në vitet 90’ në jug të Amerikës, të cilën e bën edhe “reperi” i ri i shtëpisë diskografike Hamsquad.

“Unë nuk jam reper, njerëzit më ngatërrojnë”, thotë Buta për Insajderin, derisa shton se ai bën muzikë të kohës, e cila është në trend edhe në botë momentalisht.

“Muzika ime është ndryshe, reale edhe e kohës. Është ndryshe se jam i vetmi që jam tu i fol këto sende që qindra njerëz janë tu’ i jetu. Është reale se krejt sendet çka i foli i kam përjetu, me një mënyrë apo tjetër. Është e kohës, se produksioni, tekstet edhe në përgjithësi krejt ndjesia është 2016”, thotë Buta.

Betim Januzi – Buta ka bërë disa videoklipe dhe dy “albume të limituara”, apo siç ai preferon t’i quajë, “mini-albume”.  Me këto dy albume të tij të fundit ai tregon se ka tentuar të shpjegojë entuziazmin e tepruar që përmban estrada shqiptare, e cila nuk i afrohet as kufijve të krijimeve artistike.

“Unë jam pasqyrë e kësaj gjenerate t’prishtë. Dy mini-albumet e mija t’fundit flasin per ‘rave’ skenën (skenën entuziaste) qe është futur në Kosovë e Shqipëri dy vitet e fundit, se vetë kam qenë pjesë e saj, dhe mendoj që jam i vetmi i cili e ka reprezentuar muzikalisht”, thotë Buta për Insajderin.

“Gjaku i ri” i hip-hopit kosovar shkon aq larg me ambicie, sa që thotë se dëshiron të mbetet në histori të muzikës, dhe të kujtohet edhe pas 50 viteve.

“Njerëzit shpesh harrojnë që gjithçka që bojmë ka me mbetë në histori, sidomos tash me internet që është si arkivë digjitale e të gjitha gjërave. Qëllimi im o’ ambicioz po i thjeshtë; mos me vdekë kurrë. Kam qejf që mbas’ 30 vjetësh apo 50 vjetësh fansat e kësaj muzike me e pa kush ka qenë tu bo çka edhe me më mbajtë në mend si më të fortin ose njërin prej tyre”, thotë Buta.

Muzika Trap – të cilën pretendon se e bënë edhe Buta – në botë është duke përjetuar, momentalisht, sukseset më të mëdha që prej fillimeve të saj, me artistë si Fetty Wap apo Desiigner që po dominojnë “chart”-et e muzikës në Amerikë. /Insajderi.com