Aktori i njohur shqiptar feston 62-vjetorin e lindjes

Ndriçim Xhepa feston sot 62-vjetorin e lindjes së tij.

Aktori i njohur shqiptar feston 62-vjetorin e lindjes

I lindur në Tiranë më 21 janar 1957, aktori mjaft i njohur i Teatrit dhe kinematografisë shqiptare është shpallur tri here fitues i Kupës për ‘’Aktorin më të mirë” në Festivalet e Filmit në vitet 1987, 1989 e 2000 dhe dy herë fitues i çmimit “Aleksander Moisiu” për “Aktorin më të mirë” në Festivalin Kombëtar të Teatrit me 1986 dhe 1995. Xhepa mban titujt “’Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës’’.

Xhepa e filloi karrierën e tij si aktor menjëherë pas mbarimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, më 1979. Ai është djali i “Artistes së Popullit” dhe aktores së madhe Margarita Xhepa. Në fillim të viteve ’80 dhe më tej Ndriçimi u bë një nga aktorët më spikatur të planit dramatik e psikologjik.

Ai ka interpretuar rreth 35 role në teatër, ndër të cilat mund të veçojmë: Arseni te drama “Nën dritat e skenës” e Ruzhdi Pulahes, Prometeu te drama “Prometeu” e Viktor Eftimiut, për të realizuar më pas figurën pasionale të Romeos te tragjedia “Romeo dhe Zhuljeta” të Shekspirit.

Pikën kulmintante të karrierës, Xhepa e arriti me interpretimin e rolit të Ferndandos në vitin 1995 te drama “Fernando Krafti më ka shkuar këtë letër” e T. Dorstit. Më pas me rolin e Xhejmsit te komedia Lirie Kapitulli i dytë e Nail Saimonit ndryshoi formatin dhe u fut në rrafshin e komikes dhe lirikes.

Xhepa ka pasur një karrierë mjaft të suksesshme edhe në kinematografi. Ai ka interpretuar rreth 30 role kryesore, por vëmendjen e tërhoqi për lojën e kahut psikologjik në rolin e Fredit në filmin “Hije që mbeten pas” (1982), përcjell JavaNews. Në vitin 1988 mishëroi me dramacitet rolin e Tomës në filmin “Flutura në kabinën time”. Më 1998, mbërrin në një nga figurat te realizuara, sikurse qe ajo e Alush beut në filmin “Dasma e Sakos”./ Insajderi.com