Kompania telefonike “Z Mobile” pronë e “Devolli Group” ka njoftuar përmes llogarisë së saj në Facebook, se ka fituar edhe një betejë tjetër me Telekomin e Kosovës, për padinë që ajo i ka bërë duke rezultuar me një dënim prej 26 milion eurosh në dëm të buxhetit të të shtetit.
Gjykata e Lartë Angleze, me seli në Londër, ka hedhur poshtë ankesën e Telekomit të Kosovës ndaj vendimit të Tribunalit të Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC), është bërë e ditur sot nga kjo gjykatë.
“Gjykatësi ka gjetur se paraqitësi i ankesës, përkatësisht Telekomi i Kosovës nuk ka bazë për ankesë dhe se Vendimi i Tribunalit mbetet në fuqi. Përveç tjerash Gjykata e Lartë Angleze ka caktuar masën e kompenzimit të shpenzimeve dhe për këtë rast ndaj Dardafon.net L.l.c, në shumën prej 65 mijë funtesh”, thuhet në njoftim, citon “Z Mobile”.
Tribunali i Arbitrazhit të ICC-së, sipas njoftimit të Z Mobile, pas procedurës që ka zgjatur prej 2 vitesh, në dhjetor të vitit të kaluar, ka konstatuar shkelje të detyrimeve kontraktuese nga ana e Telekomit të Kosovës. Vendimi për shkelje të kontratës, i vërtetuar nga ICC-a, konsiston në katër pika themelore, për të cilat arbitrat ndërkombëtarë kanë gjetur shkeljet nga Telekomi i Kosovës, siç janë mosfurnizimi me SIM Kartela, mosfurnizimi me numra, mosofrimi i shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe ulja e cilësisë së shërbimeve.
“Mohimi i këtyre shërbimeve të parapara me kontratë e ka bërë të pamundur funksionimin normal të një kompanie që ofron shërbime të telekomunikacionit”, thuhet në njoftim.
Telekomi i Kosovës sipas Z Mobile, deri më tash nuk e ka bërë asnjë hap përpara në respektimin e kontratës bazë me Dardafon.net L.l.c , e as nuk ka respektuar vendimin e Arbitrazhit të ICC-së.
“Pas hudhjes poshtë të ankesës me edhe një vendim gjyqësor ndërkombëtar, të cilës i ishte drejtuar vetë Telekomi i Kosovës, ne presim që të respektohen vendimet sa më shpejtë, në mënyrë që klientët tanë të mos vazhdojnë të humbin nga mungesa e shërbimeve”, thuhet në njoftim.
“Siç e kemi cekur edhe herën e parë, ne, përgjatë gjithë këtyre viteve të vështira, me humbje tepër të mëdha, kemi bërë përpjekje maksimale që të mos e mbyllim kompaninë”.
Tribunali i Arbitrazhit të Odës Ndërkombëtare të Tregtisë, sipas Z Mobile e përzgjedhur nga palët kontrakuale gëzon reputacionin si një ndër insitucionet më të besueshme të arbitrazhit për zgjidhjen e kontesteve komerciale në nivel ndërkombëtar.
“Dëshirojmë të theksojmë sërish se ne gjatë gjithë kohës kemi shpresuar se mosrespektimin e kontratës do ta zgjidhin me mirëkuptim të drejtpërdrejt nga Telekomi i Kosovës dhe se asnjëherë nuk e kemi dëshiruar që për këtë kontest t’ i detyrohemi të kërkojmë drejtësi pranë arbitrazhit ndërkombëtar. Ne shpresojmë që vendimi i ICC-së, si dhe tash vendimi i Gjykatës së Lartë Angleze, do ta rikthejë normalitetin në marrëdhëniet ndërmjet dy kompanive me partneritet të mirëfilltë e profesional”, thuhet në njoftim./Insajderi.com
Kompania e Blerim Devollit: Rexhë Gjonbalaj deshi të na shkatërrojë