Artistja shqiptare që e vuri në siklet Edi Ramën në New York

Artistja shqiptare që e vuri në siklet Edi Ramën në New York

Kryeministri Edi Rama, ka hapur ekspozitë me artin e tij në New York. Aty ka pasur edhe një bashkëbisedim me kuratorin e njohur Hans Ulrich Obrist, por nuk ka kaluar fare mirë.

Edhe pse është munduar të flas vetëm për artin e tij, artistja e njohur shqiptare, që jeton në Amerikë, Eriola Pira, ia ka përmendur të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri, prej ardhjes së tij në pushtet.

“Në takimin që kryeministri shqiptar/piktori Edi Rama nga Tirana mbajti sonte në NY, pata mundësi t’i drejtoj atij një pyetje. Edhe pse nuk prisja shumë, përgjigjja e tij autokratike ishte se ‘unë thjesht nuk po e kuptoja (you don’t get it); teksa të gjithë ata që ishin në sallë, përfaqësues të botës së artit në NY, e pranuan në heshtje se nuk e kanë idenë për politikat e Ramës në Shqipëri”, ka shkruar Pira.

Ja pyetja e saj, që në video mund ta dëgjoni në minutazhën 01:50

“Siç doli qartë gjatë diskutimit sot pasdite, arti i Ramës është i ndërthurur ngushtë me politikën. Por kjo ka lidhje në radhë të parë me statusin e tij si politikan dhe jo me politikat e tij. Në fakt, siç e provon vetë arti që pamë, është statusi i tij si politikan që provon dorën me art që na ka mbledhur këtu. Politika në përgjithësi dhe veçanërisht politikat e tij mungojnë krejt, janë të padukshme, ose të shpëlara me art. Dhe meqë Rama tani së fundi po njihet edhe për mënyrën si i shpërfill kritikët e vet dhe ata që nuk pajtohen me të, pavarësisht nëse nga opozita apo nga shoqëria civile, unë po ia drejtoj pyetjen – në mënyrë njëfarësoj retorike – publikut: Sa prej jush dinë diçka për politikën e Ramës, përtej propagandës së ‘bojatisjes së qytetit’? Dhe më lini t’u ndihmoj me këtë. Sepse ka pasur…

– Shkatërrim sistematik të institucioneve publike, të tilla si të arsimit të lartë, që ka çuar në burgosjen dhe përndjekjen e protestuesve studentë

– korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë dhe përzierje sistematike me mafian e ndërtimit dhe të drogës

– kontroll autokratik ndaj mediave mainstream, që është pasuar nga censurimi i mediave alternative dhe sociale

– përdorimi i artit si vegël propagandistike për t’i estetizuar të gjitha këto probleme e ka vënë artin në pozicionin më të vështirë, madje edhe po të përfshijmë në krahasim 8 vjetët e një qeverie të djathtë.”

Rama fillimisht nuk ka dashur të komentojë këto akuza duke thënë se “artistja nuk e kupton Shqipërinë”.

Pora Pira, kishte pyetje shtesë për Ramën.

“Si mendoni se duhet të protestojnë artistët ndaj politikave tuaja?”, pyeti Pira.

E Rama ka folur për Bashkimin Evropian. Ka thënë se Shqipëria ka filluar bisedat për anëtarësim në BE dhe se shqiptarët po ndjejnë rritje ekonomike dhe po bëhen të përgjegjshëm në kryerjen e obligimeve ndaj shtetit.