“Bajrami dhe Pashkët erdhën bashkë 20 vite më parë”

“Bajrami dhe Pashkët erdhën bashkë 20 vite më parë”

Shkruan: Tinka Kurti

Bajrami dhe Pashkët më 1 prill 1999 erdhën bashkë, në të njëjtën ditë lufte. Ne na gjetën në një dhomë barake, myslimanë e katolikë bashkë, 40 veta. Ishim strehuar aty që nga data 24 mars kur kishin filluar bombardimet e NATO-s kundër ushtrisë serbe. Mes 40 personash nuk njiheshim secili me secilin. Në ditën e nëntë të strehimit i bëmë dy lloj ushqimesh pasi kremtonim dy festa përnjëherësh dhe i bëmë të njëjtat lutje e urime. Natyrisht zëulët e në terr pasi dritaret e dhomave ishin të mbuluara me batanije. Secila shtëpi me të izoluar dukej kështu. Athua për të krijuar përshtypjen e braktisjes nga frika e hakmarrjes së forcave serbe ndaj bombardimeve të NATO-s. Ato 9 nëntë ditë kishin kaluar kryesisht me bukë e djathë të kriposur shtesë. Natën e 1 prillit kishim fjetur të veshur edhe me pallto. Gati për ikje. Mbaj mend se të nesërmen ne u detyruam ta lëshojmë Kosovën drejt Shqipërisë. Ecëm nga Gjakova në këmbë, përfshirë gjyshja ime 60 vjeçe dhe motra 4. Dy të tjerat edhe më të vogla i bartnin nëna dhe babai im.

Bombardimet ishin shpresa jonë shtesë.