Ballkani si Ontario: Tablo paqeje e jo lufte

Ballkani si Ontario: Tablo paqeje e jo lufte

Kisha vetëm njëzet minuta për ta zënë “Simplon Orient Expressin”, që po nisej nga Gare de Lyon, në cepin tjetër të Parisit, për të gjarpëruar drejt Kostandinopojës – dhe kishte vetëm një taksi.

Mjaftonte vetëm ai, por halli ishte se taksia kishte një behane. Shoferi ishte pijanec.

Dhe derisa po çanim herë andej, herë këndej, nëpër rrëmujën e trafikut të Parisit, anova trupin kah dritarja dhe pashë qafën e kuqe të shoferit, u luta që të mos godisnim askënd.

Kur mbërriti para sheshit të madh, shoferi, me saktësinë e një pijaneci, gjeti një birë midis autobusëve të gjelbër dhe taksistëve që po u binin borive, dhe u përbiruam diqysh anash trotuarit, shkruan sot Koha Ditore.

”Volia!” – bërtiti shoferi, dhe duke bërë gjeste të tjera dramatike, ma mori valixhen prej ulëses anash meje. E hodhi në trotuar.

Vetëm tani i kuptoj njerëzit e fiksuar pas gjërave të tyre të dashura. U shtanga. Madje ka një shprehje për raste të tilla: Nuk bëra vër me gojë.

Në valixhe kisha makinën e shkrimit, dhe gazetari kujdeset pak më shumë për makinën e tij të shkrimit se nëna për fëmijën e vet, ose një pronar “Fordi” për makinën e tij, ose një futbollist për këmbën e djathtë.