Lumnije Muqaj – Sopi për 11 muaj ka ushtruar postin të cilin të enjten ia dorëzoi bashkëshortit të saj, Agim Sopit.
Ky pranim-dorëzim i detyrës së postit të drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës është bërë pas zgjedhjes së Agim Sopit drejtor të TKK-së dhe ushtrimit të këtij posti nga bashkëshortja e tij për afro 1 vit.
Zgjedhja e Sopit drejtor të TKK-së ka ngjallur shumë reagime duke e cilësuar atë si njeri të Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti kjo që drejton tash Ministrinë e Kulturës që menaxhon me Teatrin Kombëtar të Kosovës.
E fakti që Sopi ka marrë këtë post pikërisht në ditën kur bëhën 10 vite që ka vdekur lideri i LDK-së, e ka emocionuar atë.
“Aksidentalisht sot është edhe 21 janari , kur Presidenti historik Ibrahim Rugova shënon 10 vjetorin që është ndarë nga jeta . Kjo datë me tingëllon si amanet që të përpiqem ta hedh një gurë me vlera në këtë shtetin e quajtur Kosovë “ , shpreh Sopi .
Por bashkëshortja e Sopit, nuk e ka përmendur fare Rugovën. Ka thënë se ushtrimi i këtij posti nuk ka qenë fare i lehtë. I ka uruar sukses bashkëshortit.
“Ka qenë një periudhë jashtëzakonisht që ja vlen të mbahet mend. Ja kemi dal me sjell një stabilitet me shlyerjen e borxheve dhe shpresoj që Agimi ta vazhdoj këtë rrugë “, tha Muqaj-Sopi.
I zënë me homazhet për Rugovën, në këtë ceremoni ka munguar ministri Kujtim Shala, që është edhe zëvendëskryeministër i Qeverisë së drejtuar nga lideri i LDK-së, Isa Mustafa.
Sopi ka në dispozicion 340 mijë euro buxhet që të realizoj planin e tij vjetor në TKK.
Ai merr postin e të parit në TKK, pas një periudhe jashtëzakonisht problematike në këtë institucion, të cilin para Sopit e ka drejtuar Valdet Avdiu, njeriu i afërt me PDK-në. Atëherë MKRS-në e udhëhiqte Memli Krasniqi nga PDK-ja.