Kur Kim Jong-uni e trashëgoi kontrollin mbi Korenë Veriore në fund të 2011-s, duke u bërë “Trashëgimtari i madh” i babait të tij, Kim Jong-il.

Biografia e Kim Jong-unit shpërfaq anën e panjohur të liderit komunist

Biografia e Kim Jong-unit shpërfaq anën e panjohur të liderit komunist

Kur Kim Jong-uni e trashëgoi kontrollin mbi Korenë Veriore në fund të 2011-s, duke u bërë “Trashëgimtari i madh” i babait të tij, Kim Jong-il.

Gjithandej mbizotëronte skepticizmi se ky 27-vjeçar i llastuar dhe adhurues i basketbollit nuk e kishte gjatësinë e duhur për ta udhëhequr shtetin më totalitar të globit, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Ishte ky një shtet që i kishte bërë ballë shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, vdekjes së liderit themelues, një urie dhe transformimit të Kinës, mirëbërëses së fundit të tij. Shumëkush besonte se familjes Kim fati i kishte ikur nga dora.

“Koreja Veriore, të cilën e njohim, ka marrë fund”, më kishte thënë ish-këshilltari korean i presidentit të mëhershëm amerikan, George W. Bush. Që prej udhëtimit tim të fundit në Fenian më 2005 dhe testit të parë bërthamor të Koresë Veriore vitin pasues, ekonomia e vendit është rënduar edhe më shumë dhe izolimi ndërkombëtar është thelluar.

Kam biseduar që atëherë me dezertorët koreanoveriorë për jetën përbrenda vendit dhe kam qenë dëshmitare e urrejtjes së thellë ndaj regjimit Kim. Ama kur u ktheva në Korenë Veriore më 2014, në udhëtimin e parë që prej marrjes së pushtetit nga Kim Jong-uni, “Trashëgimtari i Madh” dukej se jo vetëm që kishte mbijetuar, por edhe po ngrihej. Feniani e kishte një fasadë të re. Ndërtesa të reja të larta qenë ngritur, aty ishte edhe një birrari gjermane dhe kafene që shesin kapuçino me fytyra arinjsh të vegjël vizatuar mbi shkumë.

Ama përtej kësaj fasade, gjithçka ishte akoma e çarë. Shtëpitë e thjeshta ende reflektonin kohët e moçme, blloqet e ndërtesave shumëkatëshe nuk kishin furnizim me ujë apo ashensorë funksionalë. Ama Kimi dukej qartë se po mundohej që ai 1-përqindëshi i atyre që e mbajnë në pushtet të ketë arsye për t’i qëndruar besnik.

Për dallim prej perceptimit popullor të një amatori, Kim Jong-uni është dëshmuar të jetë kalkulues dhe mizor. E për ta dëshmuar këtë, intervistova shumë njerëz për librin tim biografik “The Great Successor: The Secret Rise and Rule of Kim Jong-un”. Kam biseduar me kuzhinierin japonez që u vendos në Kore të Veriut për t’i gatuar sushi familjes pushtetare.