Borell: Mali i Zi i pari në radhë për anëtarësim në BE

Borell: Mali i Zi i pari në radhë për anëtarësim në BE

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell tha se Mali i Zi është vendi që ka përparuar më së shumti dhe mund të bëhet anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian.

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, theksoi se tani, sidomos pas zgjedhjeve presidenciale, në vend ekziston një vullnet i qartë politik për përfundimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Në fillim të bisedës me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, Borell vlerëson që presidenti i ri zgjodhi kryeqytetin e BE-së për vizitën e parë zyrtare, duke theksuar se kjo është shenjë e përkushtimit të Malit të Zi për integrim në BE.

Borell tha se gjatë dekadës së fundit, Mali i Zi u rreshtua me pozicionet dhe vendimet e BE-së dhe se niveli i pajtueshmërisë është njëqind për qind, por gjithashtu se ka akterë që “po përpiqen të minojnë sigurinë malazeze dhe rrugën e tij drejt BE-së. “.

Shefi i diplomacisë së BE-së theksoi se BE-ja do të forcojë mbështetjen veçanërisht në luftën kundër ndikimeve të huaja dhe kërcënimeve kibernetike.

Ai gjithashtu thekson se në momentin e agresionit rus kundër Ukrainës, ruajtja e orientimit strategjik të Malit të Zi është më e rëndësishme se kurrë.