Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin për rritjen e tavanit të borxhit

Dhoma e Përfaqësuesve miraton ligjin për rritjen e tavanit të borxhit

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar ligjin për rritjen e tavanit të borxhit federal, të bazuar në marrëveshjen mes Presidentit Joe Biden dhe Kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy.

Ligji u miratua të mërkurën me 314 vota pro dhe 117 kundër, tani duhet të miratohet nga Senati para se të marrë nënshkrimin e Presidentit Biden.

Biden dhe McCarthy u angazhuan me intensitet të lartë për të siguruar mbështetje për miratimin e ligjit për rritjen e tavanit të borxhit, që përfshin edhe shkurtimet buxhetore të kërkuara nga republikanët.

Sekretarja e Thesarit Janet Yellen paralajmëroi javën e kaluar se Kongresi duhet të rrisë kufirin e borxhit deri më 5 qershor, ose përndryshe qeveria nuk do të jetë në gjendje të përmbushë detyrimet e saj financiare.

Ligji përfshin heqjen e kufirit ekzistues të huamarrjes deri në janar të vitit 2025 dhe një marrëveshje buxhetore dyvjeçare, që i mban shpenzimet federale të pandryshuara në vitin 2024 dhe i rrit ato me 1% në vitin 2025.