Çfarë ndodhi me Daenerys Targaryen?- E shpjegojnë krijuesit e “Game of Thrones”

Çfarë ndodhi me Daenerys Targaryen?- E shpjegojnë krijuesit e “Game of Thrones”

Episodi i parafundit i Game of Thrones “Këmbanat”, kishte shumë surpriza për ndjekësit e serialit. Në fund të tij, krijuesit Weiss dhe Benioff shpjeguan se si kanë mbërritur në atë që mund të jetë momenti më i debatueshëm i të gjithë sezonit.

Siç e shpjegon Tyrion Lannister, plani është që forcat e Daenerys të marrin The Red Keep dhe më pas të presin që Cercei të dorëzohet, duke shmangur kështu vrasjen e të pafajshmëve në portat e qytetit. Shpresa është që Daenerys ta marrë qytetin me sa më pak gjakderdhje, pas një shfaqje tronditëse të forcës në fillim. Nëse Cercei dorëzohet, askush tjetër nuk do të vdesë, dhe Tyrion i lutet Daenerysit që të anulojë sulmin, nëse dëgjon këmbanat, që do të sinjalizonin dorëzimin e Cerceit. 

Gjithçka  shkon sipas planit, dhe këmbanat bien. Por, për arsye të pakuptueshme, Daenerys nuk heq dorë nga luftimet. Ajo vazhdon duke bërë shkrumb e hi atë që ka mbetur nga Red Keep, duke vrarë qëllimisht këdo jashtë dhe brenda tij. Në atë moment, duket qartë se ajo është shndërruar në Mbretëreshën e Çmendur, e denjë për emrin e Targaryen që mban.

Sipas David Benioff, Daenerys shkon në luftime duke u ndjerë shumë e vetmuar. Edhe Jon Snow, personi që supozohet ta dojë më shumë nga të gjithë, nuk është i gatshëm t’i tregojë dashurinë e tij. E refuzuar, ajo i thotë Jon se e vetmja gjë që i ka mbetur për të sunduar Westeros, është frika. “Në këtë pikë, në mendimin e saj, Jon e ka tradhëtuar duke u treguar njerëzve identitetin e tij të vërtetë”, thotë Benioff.

Pavarësisht izolimit, skenaristët thonë se Daenerys në fakt nuk është nisur për në betejë me qëllimin për të shkatërruar gjithcka.

“Dhe pastaj ajo sheh The Red Keep, që për të është shtëpia që familja e saj kishte ndërtuar kur erdhën fillimisht në këtë vend, 300 vjet më parë”, thotë D. B. Weiss. “Pikërisht në atë moment, mbi muret e King’s Landing, kur ajo sheh simbolin e gjithckaje që ia kanë marrë, Daenerys merr vendimin që ta kthejë gjithcka në personale”.

Duke gjykuar nga reagimet në mediat sociale, shikuesit duken të ndarë më dysh nëse rendja e Daenerys drejt errësirës është e duhura. Por në një farë kuptimi, Dany ka patur gjithmonë një anë të çmendur të sajën, thotë Benioff, duke iu referuar momentit se si reagon ajo kur sheh vëllanë të vdesë.

“Ka diçka të frikshme në mënyrën se si Dany ka reaguar ndaj vdekjes së armiqve të saj”, thotë ai. Sipas skenaristëve, ishte e mundshme që gjërat të shkonin ndryshe, nëse Cercei nuk do të kish vrarë Missandein, apo nëse Jon nuk do të kish thënë të vërtetën. Por humbjet që ka pësuar e kanë transformuar Daenerys, pavarësisht fitores totale.