Çmimi kombëtar ‘Muslim Mulliqi’ për veprimtari jetësore postmortum iu nda Agim Çavdarbashës

Çmimi kombëtar ‘Muslim Mulliqi’ për veprimtari jetësore postmortum iu nda Agim Çavdarbashës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes një ceremonie ka ndarë çmimet për Artet Pamore “Muslim Mulliqi”, ku çmimi kombëtar për veprimtari jetësore iu nda profesorit të ndjerë, Agim Çavdarbasha.

Me këtë rast, ministri i Kulturës, Rinisë, dhe Sportit, Kujtim Gashi, tha se kjo është një ditë e veçantë pasi ndahen çmime në shenjë mirënjohje për një punë dhe angazhim maksimal.

Ai tha se për këtë ka vendosur juria e cila ka bëre vlerësimin profesional.

“Çmimi kombëtar për veprimtari jetësore postmortum i jepet Agim Cavdarbashës dhe çmimi për kontribut vjetor i jepet Agim Salihut. Sot ndjehuni mirë se shteti, MKRS, po e vlerëson punën tuaj”, tha Gashi.

Në emër të familjes, çmimin për veprimtari jetësore e mori Sebahate Çavdarbasha.

“Ndjehem e lumtur dhe më vjen mirë që ky çmim iu nda profesorit Agim Çavdarbasha. Ai nuk është vetëm profesor yni, por edhe i përmasave ndërkombëtare. Unë besoj se ato skulptura që gjenden në muze, do të ruhen dhe do të kenë kujdesin maksimal”, u shpreh ajo.

E profesori Agim Salihu tha se çmimi vjetor ka një rëndësi të madhe pasi po vlerësohet puna dhe kontributi i tyre.