DMovies: DokuFest, fytyra e re e Kosovës në botë

“Një nga festivalet më të gjalla dhe më të larmishëm të filmit dokumentar në Evropë, këtë javë nis përsëri në qytetin e mahnitshëm dhe simpatik të Prizrenit, në Kosovë. Lexoni storien tonë për Dokufest-in”, kështu nisë platforma ndërkombëtare e filmave DMovies.org artikullin kushtuar DokuFest-it i cili do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht,

DMovies: DokuFest, fytyra e re e Kosovës në botë

‘DMovies’ Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër-DokuFest, e quan si një nga ngjarjet më të rëndësishme të filmit në Ballkan dhe më të madhin në Kosovë.

“Regjisori i famshëm amerikan, AJ Shnack kohët e fundit e përshkroi atë si një nga festivalet më të mira dokumentare ndërkombëtare në botë. Ai përfshin një program të larmishëm dokumentarësh dhe filmave të shkurtër, të cilët shfaqen në qytetin mesjetar të Prizrenit, në të cilin ka shumë kodra të gjelbra dhe një kala të fortë”, shkruan ‘DMovies’, përcjellë KultPlus.

“Prizreni është një qytet multi-etnik ku për shekuj me radhë, gjuhët, kultura dhe fetë kanë ekzistuar në harmoni, një simbol i tolerancës për Kosovën dhe rajonin. Ky qytet është i vendosur në shpatet e maleve të Sharrit, në pjesën jugore të Republikës së Kosovës, vend ky mjaft i përmendur në kohën e perandorisë Bizantine dhe Osmane”, kështu përshkruan platfotma e njohur e filmave qytetin e Prizrenit.

‘DMovies’ në artikullin kushtuar Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër-DokuFest, fokusohet dhe prezanton programin e edicionit të16-të të tij, i cili fillon nesër më 4 gusht në Prizren, rëndësia e të cilit sipas kësaj platforme është rritur çdo vit e më shumë, duke sjellë programe të ndryshme në çdo edicion të ri.

Ajo që dikur ishte një iniciativë e vogël u rrit shpejt dhe u bë katalizator për ringjalljen kulturore dhe kinematografike, si dhe një qendër për filma dokumentarë në Ballkan, duke tërhequr regjisorët nga e gjithë bota. Ndoshta edhe më shumë, DokuFest, tani është edhe një platformë për të drejtat e njeriut, mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe thyerjen e tabuve. Një festival, i cili ka ndërtuar ura të forta mes popujve të Ballkanit dhe pjesës tjetër të botës”, ka shkruar ‘DMovies’.

Sipas kësaj platformë DokuFest, përmes programit të pasur që sjellë çdo vit, tashmë ka arritur të ndryshoj edhe përceptimet e botës për Kosovën dhe i ka bërë të njohura për botën, vlerat e vendit.

“Dokufest Fytyra e re e Kosovës. Deri vonë njerëzit e kanë menduar Kosovën si një zonë lufte, por më nuk e mendojnë, kjo falë edhe rolit të madh që ka luajtur DokuFest, në ndryshimin e këtij perceptimi”. / KultPlus.com