Drançolli kërkon që Serbia ta kthejë thesarin e plaçkitur nga Kosova – Janë plotë 677 objekte arkeologjike

Drançolli kërkon që Serbia ta kthejë thesarin e plaçkitur nga Kosova – Janë plotë 677 objekte arkeologjike

Profesori universitar i historisë, Jahja Drançolli, në Ditën Ndërkombëtarë të Muzeve, ka dhënë statistika se si Serbia ia ka grabitur Kosovës trashëgiminë kulturore.

Jahja Drançolli propozon që në bisedimet Prishtinë-Beograd, duhet të kërkohet thesari i plaçkitur nga pushtuesit serb.

“Është e njohur nga historia se, plaçkitja e një trashëgimie kulturore kombëtare ka për synim për të mohuar identitetin e një kombi, si dhe lëndimin e shpirtit të tij duke e privuar nga mundësia për të shprehur identitetin kulturor – kombëtar”, shkruan në Facebook profesori.

Ai përmes këtij shkrimi në Facebook, ka kërkuar nga Serbia që ta kthejë thesarin e plaçkitur nga Kosova.

“Sot, më 18 maj, në gjithë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve: Serbia duhet të kthejë thesarin e plaçkitur të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës …!

Aktualisht, Republika e Kosova duhet të rritë fushatën e saj për të siguruar kthimin e objekteve të rëndësishme kulturore që u plaçkitën jo vetëm nga Muzeu i Kosovës, para, gjatë dhe pas luftës 1989-1999, të cilat edhe sot e gjithë ditën mbahen në Beograd. Koleksioni i grabitur përmban rreth 677 objekte arkeologjike të luajtshme, të cilat sipas Serbisë janë “huazuar” nga Galeria e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Serbisë në vitin 1999 për ekspozitën “Thesari Arkeologjik i Kosovës”, si dhe 571 artefakte etnologjike. Përveç kësaj, një numër i madh i objekteve janë plaçkitur edhe nga muzetë e qyteteve të tjera të Kosovës.

Është e njohur nga historia se, plaçkitja e një trashëgimie kulturore kombëtare ka për synim për të mohuar identitetin e një kombi, si dhe lëndimin e shpirtit të tij duke e privuar nga mundësia për të shprehur identitetin kulturor – kombëtar. Megjithatë, edhe ata që kanë plaçkitur thesarin kulturor, që përcakton identitetin kombëtar të të tjerëve, gjithësesi duhet ballafaqohen me ligje ndërkombëtare që i referohën jo vetëm mbrojtjës së trashëgimisë kulturore, por dhe ligjeve që i referohën rrezikimit të një komunitetit të cakatuar shoqëror. Aq më tepër, kjo plaçkitje e thesarit muzeor të Kosovës nga Serbia përveç objektivit, që të privonte Kosovën nga ndjenja e identitetit kombëtar, ajo synonte përvetësimin e trashëgimisë historike të tjetrit për të treguar kështu dominimin e vet (serb) karshi kontinuitetit iliro-arbëror-shqiptar të zhvilluar gjatë shekujve në arealin e Kosovës, rast ky unik në botë!”, thotë ai në postimin e tij./ Insajderi.com