Dy artistë ankohen se Ministria e Kulturës i futi në listë pa qenë fare në Venedik

Dy artistë ankohen se Ministria e Kulturës i futi në listë pa qenë fare në Venedik

Liridon Metushi montazher dhe Jeta Dobrunja dizajnere, ndonëse figurojnë në listën e Ministrisë së Kulturës që kanë udhëtuar si pjesë e ekipës për në Bienalen e Venedikut, ata kanë mohuar se kanë qenë në Bienale.

Pas publikimit të listës prej 31 zyrtarëve që kanë udhëtuar në Venedik në Gazetën Insajderi, këta të dy kanë mohuar se kanë udhëtuar drejt qytetit italian.

Lista e publikuar nga Insajderi është marrë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Këtë listë, e kanë dërguar tek Insajderi, pas kërkesës së gazetës për të mësuar emrat e të gjithë atyre që kanë udhëtuar në Bienalen e Venedikut, ku sivjet Pavijonin e Kosovës e ka prezantuar artisti Alban Muja.

E nervozuar që ka parë emrin e saj në listë, dizajnerja Jeta Dobrunja, ka telefonuar gazetën duke kërkuar që emri i saj të hiqet nga teksti, pasi ajo thotë se nuk ka qenë fare në Venedik. Njëjtë ka bërë edhe kolegu i saj, edituesi i videos, artisti Liridon Metushi.

Në anën tjetër, Ministria e Kulturës nuk ka dhënë ende asnjë sqarim për gazetën se pse këta persona janë në listën e udhëtimit. Ministria e Kulturës, me taksat e qytetarëve të Kosovës ka shpenzuar 220 mijë euro për udhëtimin tre ditorë dhe për pjesëmarrje në Bienalen e Venecias.

Në listën e personave që kjo ministri ka ofruar për Insajderin, figurojnë 31 persona të cilët sipas MRKS-së kanë udhëtuar. Por dy nga personat që janë në këtë listë, kanë thënë për Insajderin se kanë qenë pjesë e projektit por se ata nuk kanë udhëtuar për Venedik.

Liridon Metushi, tha se ai ka qenë i përfshirë në realizimin teknik por se nuk ka qenë asnjëherë në Venedik.

“Në listën e emrave të publikuar në artikullin në fjalë figuron edhe emri im, Liridon Metushi. Përderisa unë kam qenë i përfshirë në realizimin teknik të veprave artistike në fjalë, lajmi për udhëtimin tim në Venedik është i pavërtetë, unë nuk kam qenë asnjëherë në Venedik”, tha Metushi.

Në listë përveç Ministrit të Kulturës Kujtim Gashi, shefit të kabinetit të MKRS-së Samir Hoxha, Këshillit Drejtues të GKK-së, ishin edhe zyrtari i sigurimit, zyrtarja e personelit e shumë emra të tjerë.

Për këtë rast, Gazeta Insajderi, do të vazhdojë të ju sjellë informata të detajuara se çfarë ka ndodhur saktësisht me këtë listë dhe çfarë pune kanë kryer të gjithë këta zyrtarë në Venedik./ Insajderi.com