Dy drejtori në Komunën e Prishtinës nuk komunikojnë mes vete – rrezikohet Prishtina e Vjetër

Përçarjet politike në Komunën e Prishtinës rrezikojnë rrugët e Prishtinës së Vjetër. Drejtoria e Investimeve Kapitale e udhëhequr nga drejtori i AKR-së dhe ajo e Urbanizmit e udhëhequr nga VV-ja nuk janë dakorduar mes vete para se të nisin punimet në dy rrugë të Prishtinës së Vjetër. E kjo ka bërë që aty të rrezikohet vlera e trashëgimisë kulturore

Dy drejtori në Komunën e Prishtinës nuk komunikojnë mes vete – rrezikohet Prishtina e Vjetër

Dy prej rrugëve më të vjetra në Prishtinë, “Meto Bajraktari” dhe “Andrea Gropa” të cilat janë të shtruara me kalldrëm dhe janë nën mbrojtje të shtetit si trashëgimi kulturore, u janë nënshtruar punimeve.

Komuna e Prishtinës në maj të këtij viti ka filluar të merret me rregullimin e kanalizimit që kalon nëpër këto dy rrugë. Mirëpo dy drejtori në komunën e Prishtinës përveç që nuk janë dakorduar në mes vete për punimet në këtë rrugë, ato nuk kanë marr as pëlqimin e Institucionit Kompetent për Trashëgimi Kulturore.

Rruga “Meto Bajraktari” e cila është e shtruar në kalldrëm në pjesën ku njihet si Prishtina e vjetër, dhe gjenden tri objekte të cilat janë të listuara si monumente në listën e trashëgimisë kulturore, Komuna e Prishtinës ka filluar të merret me rregullimin e kanalizimit.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili së fundit është zgjedhur kryetar i partisë Socialdemokrate, kishte njoftuar më 13 maj të këtij viti se rruga “Meto Bajraktari”, do të mbyllet për arsye se do të filloj rregullimi i kanalizimit fakal, shkruan Insajderi.

“Nesër fillojmë me rregullimin e kanalizimit fekal dhe atmosferik në rrugën “Meto Bajraktari”, përballë objektit të Komunës së Prishtinës. Për këtë arsye, nga ora 07:00 në mëngjes, kjo rrugë do të jetë e mbyllur për qarkullimin e automjeteve. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptim, dhe i ftojmë që t’i shfrytëzojnë rrugët alternative deri në përfundimin e punimeve”, kishte shkruar Ahmeti në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Mirëpo punimet në këtë rrugë kanë filluar pa dakordimin e dy drejtorive në këtë komunë, Drejtorisë së Urbanizimit e cila nga Ardian Olluri që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Drejtorisë për Investime Kapitale që drejtohet nga Gëzim Mehmeti nga radhët e Aleancës Kosova e Re.

Ndarjet politike në Komunën e Prishtinës janë bërë problem në qeverisjen e Shpend Ahmetit, i cili dha dorëheqje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u bë kryetar i Partisë Socialdemokrate së cilës iu  bashkuan edhe grupi i të dorëhequrve nga VV-ja.

Qysh nga këto çarje politike, problemet në Komunën e Prishtinës janë bërë të mëdha. Ahmeti si kryetar nuk e ka shumicën në Kuvendin Komunal, por përtej kësaj shihet sesi këto përçarje kanë shkaktuar edhe probleme të tilla, sikurse moskoordinimi i Drejtorive brenda Komunës.

Mimoza Presteshi, Zyrtare e Lartë e Drejtorisë së Urbanizmit ka thënë për Gazetën Insajderi se Drejtoria e Urbanizmit nuk ka lëshuar leje për zhvillimin e këtyre punimeve.

LEXO EDHE: PUNIMET E KOMUNËS NË KANALIZIM RREZIKOJNË SHKATËRRIMIN E PRISHTINËS SË VJETËR

“Ju njoftojmë se kjo është në kompetencë të Drejtorisë së Investimeve Kapitale dhe njëherit ju konfirmoj se ky organ nuk ka lëshuar leje përkatëse për zhvillimin e këtyre punimeve”, ka thënë Presteshi për Insajderin.

Ndërsa Drejtoria për Investime Kapitale është përgjigjur shumë shkurt në pyetjet e Insajderi lidhur me punimet në këtë rrugë.

Adonis Tahiri, Zyrtar për Komunikim në Komunës e Prishtinës, ka dhënë përgjigje shumë të shkurta kur është pyetur për procesin e punimeve në rrugën “Meto Bjaraktari”.

Tahiri ka thënë për Insajderin se kanë marrë leje nga Drejtoria e Shërbimeve Kapitale për bllokim të rrugës për 120 ditë.

“Pas përfundimit të punimeve, pasi që kemi leje nga Drejtoria e Shërbimeve Publike për bllokim të rrugës për 120 ditë”, është përgjigjur Tahiri.

Sipas Tahirit, pas përfundimit të punimeve do të kthehet edhe kalldrëmi.

“Po kalldermi do të kthehet në gjendjen e mëparshme”, ka thënë Tahiri.

Por kompania që po kryen punët nuk ka dhënë ndonjë detaj nëse ky kalldrëm po ruhet në vend të sigurt dhe nëse heqja e tij është bërë nën vëzhgimin e ekspertëve të trashëgimisë kulturore.

Tahiri ka thënë se nuk është në dijeni nëse këto rrugë ku po kryhen punimet janë nën mbrojtje të shtetit si trashëgimi kulturore.

Edhe qytetarë të tjerë janë ankuar për mënyrën sesi po hiqet kalldrëmi nga rrugët “Meto Bajraktari” dhe “Andrea Gropa”.

Insajderi do të raportojë edhe më tutje rreth kësaj teme, nëse janë marrë lejet edhe nga Ministria e Kulturës si organi zyrtar që jep leje për ndërhyrje në trashëgiminë kulturore./Insajderi.com