
Në muajin prill ish-drejtori i policisë në Mitrovicë, Nehat Thaçi është emëruar me vendim të Qeverisë në krye të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Mirëpo i pa kënaqur me procesin që është zhvilluar, një kandidat për këtë pozitë është ankuar deri te Këshilli Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, i cili edhe e ktheu në rivendosje ankesën e tij, shkruan Insajderi.
Rrjedhimisht i bie se konkursi ku është zgjedhur Nehat Thaçi në krye të burgjeve të Kosovës, mund të kthehet në pikën zero.
Gazeta Insajderi e ka siguruar vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të datës 29 qershor.
Konkursi për drejtor të burgjeve është hapur në fund të vitit të kaluar kurse në muajin shkurt ishte bërë lista me kandidatët e listës së ngushtë.
Kandidati Ali Gashi, me 28 shkurt është njoftuar se nuk është përfshirë në listën e ngushtë për këtë pozitë, me arsyetimin se ai nuk e plotëson kushtin e veçantë të përvojës menaxheriale të kërkuar, shkruan Insajderi.
Gashi i pakënaqur me mospërfshirjen në listën e ngushtë në fillim të muajit mars ka parashtruar ankesë në Komisionin për Ankesa për Pozitat e Larta Drejtuese në Ministrinë e Administranës Publike.
Komisioni i për Ankesa me 14 mars e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Gashit, shkruan Insajderi.
Kandidati Gashi i pakënaqur me këtë vendim ka ushtruar ankesë edhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës. Ky institucion pas shqyrtimi të të gjithë lëndës ka dal me vendimin se arsyetimi në vendimin e Komisionit të Ankesave për Pozitat e Larta Drejtuese nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe i qartë, pasi që nuk ka treguar as cilat prova dhe dëshmi i ka shqyrtuar kur ka vendosur që ankuesi nuk i ka pasur 5 vjet përvoje menaxheriale.
Në këtë mënyrë Këshilli i Pavarur me 29 qershor ka marrë vendim për shfuqizimin e vendimit të Komisionit për ankesa duke e detyruar atë që brenda 15 ditëve nga dita e pranimit të këtij vendimi të bëjë rishqyrtimin e ankesës së kandidatit Ali Gashi.
“Obligohet ministria e Administratës Publike që t`i ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme administrative, që zbatimi i këtij vendimi të bëhet brenda afatit të përcaktuar”, thuhet në vendimin e siguruar nga Insajderi.
Gazeta Insajderi ka shkruar për tre kandidatët që ndodheshin në listën e ngushtë për pozitën e drejtorit të Përgjithshëm në Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK), dy prej të cilëve ishin njerëz të afërt me partitë politike. /Insajderi.com
Tre kandidatë për drejtor të burgjeve – dy prej tyre të lidhur me PDK-në e AAK-në