“E bukura dhe bisha” jo vetëm film

“E bukura dhe bisha” jo vetëm film

Antihomofobia dhe antiracizmi po gjejnë gjithmonë e më shumë vend në kinema. Por ndërsa “Moonlight” fitoi “Best Picture” pikërisht përshtatur kontekstit politik dhe social më të nxehtë të këtij viti, “Disney” sjell në historinë e përrallës klasike skena në mbrojtje të homoseksualizmit, sipas regjisorit Bill Condon, në vallëzimin e dy burrave.

Edhe pse me sekonda, shpesh e padallueshme mirë, këto skena janë ato që kanë ngjallur një debat që nga Alabama e deri në Kuvajt e Malajzi, e më pas në Evropë për ndalimin e filmit.

“Në filmin ‘E bukura dhe bisha’ i ka shprehur në disa sekuenca çështjet e homoseksualizmit dhe racizmit”, thotë administratori i Kinema “Imperial”, Gjergji Gjoshe, shkruan Tch.

Problemi është se lakimi i shumtë i temës antihomofobi dhe antiracizëm nuk është një fenomen i ri. Por në një përrallë klasike, nga ana psikologjike një skenë e tillë, jo domosdoshmërisht do të thotë homoseksualizëm.

“Duhet theksuar që vendet ku është ndaluar filmi, janë vende që i përkasin një mentaliteti më të mbyllur sesa mentaliteti europian. Më shumë është propaganduar skena, sesa është vënë re. Për më tepër që flasim për një përrallë”, thotë Valbona Treska, psikologe kliniciste.

Përralla e bukur klasike në versionin e kësaj here të “Disney”-t duhet të ndiqet nga fëmijë të shoqëruar nga prindërit.

“Fakti që ka dekada që trajtohen, nuk besoj se është pikërisht kjo përrallë ose ky film që do të ndajë dhe do të bëjë të qarta këto lëvizje që ndodhin në të gjithë botën”, tha më tej psikologia Treska.