
Sa herë që ka një situatë jo të mirë politike-sociale, thërrasim në ndihmë, atë, vargjet e të cilit janë gjithmonë aktuale, Ali Asllanin.
Poeti, i cili jetoi 82 vite, është ndarë nga jeta në vitin 1966. Asllani ka botuar vjersha që në moshë të re. U bë i njohur me poemën “Hanko – Halla” e cila u botua në vitin 1942.
Disa nga poezitë e tij, shkëlqejnë ende edhe pse ka 53 vite që ka vdekur.
Poema “Hakërrim” krijimi, që lindi për të “goditur” korrupsionin në administratë, fenomen i cili mesa duket ka vazhduar të qëndrojë i gjallë edhe sot e kësaj dite, megjithëse, jo vetëm në vendin tonë.
Në këtë poemë, ai i hap luftë elementëve të pandershëm, që për hir të dëshirës së babëzitur të pasurimit të tyre, brenda një kohe të shkurtër ishin të gatshëm dhe bënë çdo gjë, në dëm të atdheut, kombit shqiptar.
Prandaj ai do të shkruante:
“Hani pini e rrëmbeni,mbushni xhepe-mbushni arka…
Të pabrekë-ju gjeti dreka, milioner ju gjeti darka…
Hani -pini e rrëmbeni,është koha e çakenjëve,
Hani-pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjëve…
Dallavera nëpër zyra, dallavera në Pazar,
Dallavera me të huaj, dallavera me shqiptarë…
Dhe për një kërkoni-pesë..por më mirë njëzetë e pesë
Le të rrojë batakçiu, dhe i miri le të vdesë…
Ndërkohë, “Dasma e madhe” është poezi, e marrë nga antologjia poetike “Vidi Vidi Pëllumbeshë”.
E gjithë poezia duket sikur është shkruar sot, por po shkëpusim vetëm disa vargje prej saj”
…
Perëndi, o Perënd,
bota thon’ se ti kur dashke
Bën si do e bën si di
Shenjtërin’ e vendit tën
nuk e ka edhe një tjetër
Ësht’ këtu Baba Tomorri,
kryefroni yt i vjetër
Jemi rob, kurban i tij
varfanjak edhe dervisha
Jemi rob, kurban i tij
me xhamia e me kisha
E pra, ti, o Perëndi:
pse na lë në dor’ të djallit!?
Që na shtypi na përtypi
nëpër nofulla t’çakallit.
Edhe rri e bën sehir,
bën sikur asgjë nuk di
Pra dhe ne jemi kondra;
duam një tjetër perëndi.
Duam një Zot që të na kap,
të na kap e të na tundë
Të na tund e të na shkund
Vllavrasjes t’i jap fund
Ohh, më fal o Perëndi
për k’të fjalë që e thashë
i rrëmbyer dhe i trëmbur!
Mirpo gjuha më rreh dhëmbin
atë dhëmb që më ka dhëmbur
Më rrëmben edhe më nxit
kurse shihen ca jezitë
Dikur mburren delenxhit’
Diku tallen me profit
Për të ligun flasin mirë,
për të mirin flasin keq
Gjuh’e tyre gjarpër fshihet
komb’i varfër vuan e heq
S’kemi fjalë për ca kusar’
Vidh e ha, vidh e ha
Me një bark sa dy hambar’
Ata lëri mos i ngà….
Ata kanë një vulë në ball
dhe njëqind e një dhëmballë
Dhe njëqind e një dhëmballë
çdo dhëmballë me shtatë presa
Mirpo kombi ka të tijat
Shtatëmilionë e gjysëm pjesa
Ai lipset që të rrojë
E doemos që do të rrojë
Qoft’ me hir, qoft me pahir
Se aty ku bie zjarri,
shpërthen lulja më e mirë…
Sikur poeti Ali Asllani të ishte gjallë, çdo të shkruante vallë megjithë këtë situatë politike? Apo këtu asgjë nuk ndryshon, gjithçka përsëritet! Kështu ka qënë dikur, kështu sot, shpresojmë, jo nesër!