Edhe një banesë në Gjirokastër drejt restaurimit

Edhe një banesë në Gjirokastër drejt restaurimit

Në qytetin e Gjirokastrës vazhdojnë ndërhyrjet restauruese për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e banesave karakteristike të cilat kanë histori dhe vlerë për vetë qytetin, por dhe për vizitorët.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, ndau sot foto nga punimet tek banesa “Zeko” në  Gjirokastër, ku po bëhet ndërrimi i testekëve për të vijuar më pas me pjesën e çatisë.

Margariti vuri në dukje punën e përditshme që bëhet për mbrojtjen e monumenteve.

Banesat e Gjirokastrës janë një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë dhe luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit.

Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore.

Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta, që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Kujdesi, mirëmbajtja dhe promovimi i trashëgimisë sonë kulturore është një mision i përbashkët, për t’i përçuar këto pasuri, në mënyrën e duhur, tek brezat e ardhshëm.