Nga Parisi ku mori pjesë në dhënien e çmimit “Komandant i Legjionit të Nderit” shkrimtarit Ismail Kadare nga presidenti frances Francois Hollande, kryeministri Edi Rama pritet të fluturojë për në Napoli.
Në Galerinë Alfonso Artiaco do të hapet një ekspozitë me punimet e tij, të cilat deri tani i ka ekspozuar nga Bosfori në Gjermani.
Ekspozita është kuruar nga Lorenza Baroncelli dhe Joseph Grima. Ajo do të hapet sot 31 maj, në orën 19.00.
Në përshkrimin e punëve të Ramës, Galeria vlerëson se “Arti ka qenë një konstante në praktikën e tij (Ramës) gjatë gjithë karrierës së tij politike, qoftë si një sferë qendrore e punës së tij publike, qoftë si zgjatim i karrierës së tij të parë si artist. Seritë Doodles (vizatime), të prodhuara mes 2000 dhe 2012, janë vepra më e madhe e prodhimit të tij”.
Në Galerinë Alfonso Artiaco, për herë të parë punimet e Ramës bëjnë një hap më tej, duke marrë formë tre-dimensionale përmes dy strategjive të ndryshme. Në sallën qendrore, si për të krijuar përvojën një një zhytje fizike në nënvetëdijen e artistit, punimet marrin formën e letër –murit, që i kthejnë skicat në formë artitektonike.
Në dhomën e dytë janë paraqitur një sërë enësh qeramike që artikulojnë tej format përmes një materialiteti të ndryshëm që ofron mundësi të reja kromatike e formale.
Në sallat e fundit, miku i tij Anri Sala, ndoshta më mirë se çdokush tjetër sintetizon praktikën artistike dhe politike të Ramës me filmin “Më jep ngjyrat”, i cili tregon punën e tyre të përbahkët për të tranformuar qytetin e Tiranës pas zgjedhjes së parë të Edi Ramës si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe vazhdimin e kësaj linje përmes punës së kohëve të fundit në Mantova, të fotografuar nga Julia Flavia Baczynski Baczyński.