Ekskluzive: Mocioni i mosbesimit i dorëzuar nga LDK

Ekskluzive: Mocioni i mosbesimit i dorëzuar nga LDK

Gazeta Insajderi e ka siguruar mocionin e mosbesimit të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Kuvend për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit.

Mocioni është dorëzuar pak para orës 16:00, ashtu edhe siç kishin thënë nga partia e Isa Mustafës, se do të presin reflektim nga kryeministri Albin Kurti deri në fund të orarit zyrtar.

Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parashohin që: Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.

Bazuar në këto dokumente seanca për votimin e rrëzimit të Qeverisë Kurti mund të mbahet të hënën, ose më së largu  të mërkurën e javës së ardhshme.

LDK  për mocionin ka marrë mbështetje deri më tani nga tri parti opozitare, AAK, Nisma dhe AKR, PDK ende nuk është deklaruar zyrtarisht nëse do ta mbështesë ose jo mocionin e partisë së Isa Mustafës.

Për të kaluar mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti, Lidhjes Demokratike i duhen 61 vota.

Isa Mustafa e dorëzon mocionin për rrëzimin e Albin Kurtit, ja kur mbahet seanca