Hapet ekspozita personale e Lulzim Zeqirit në Galerinë Kombëtare të Kosovës
Që në hyrje të Galerisë Kombëtare të Kosovës duket sikur ajo është në rinovim. Tavani “mbahet” nga shtyllat. Janë tamam si trarët që përdoren në ndërtimtari. Dalëngadalë merret vesh se e kaluara dhe e ardhmja përplasen fort në veprat e Lulzim Zeqirit. Pikturat goxha naive, ku paraqiten gra të moshuara, një prej tyre edhe me një tepsi pranë, përballen me shtyllat. Bile ato ua pengojnë pamjen. Janë gra të moshuara që duket sikur meditojnë e nuk u besohet se transicioni ka shkuar deri në atë pikë. Rinia e tyre u ka ofruar amvisërinë. E tash shtyllat simbolizojnë edhe baret e striptizit. Krejt bashkë rrumbullakojnë transicionin.
“Muzeu i tri pikave” titullohet ekspozita personale e Lulzim Zeqirit, që është hapur të hënën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Pikturat me gratë i ka titulluar “Seretonin”, që është një materie që çon sinjalet midis qelizave nervore, raporton Koha Ditore.
“Duke i dhënë fund infinitit” sjell shumë fotografi. Janë pamje me imazhe veturash që gjendeshin brenda mbështjellësve të çamçakëzëve. Madje ishte bërë e njohur edhe një lojë ku varësisht nga rrotullimi i fotografive mund t’i humbisje a fitoje ato. Komunikimet e fëmijërisë me të atin, nëpërmjet letrave, Zeqiri i ka shndërruar në një vepër më vete. Letrat edhe i ka mbuluar me fara që shërbejnë për tharjen e tyre. Ka krijuar një ambient goxha kontradiktor në GKK. Çdo gjë sillet rreth transicionit.
Zeqiri ka thënë se ka paraqitur pothuajse të gjitha dilemat dhe bindjet e tij për profesionin i cili nuk ia mundëson që ta ndërrojë.