Poeti kosovar, me origjinë nga Dibra e Madhe, akademiku Eqrem Basha, dhe poeti maqedonas, shkrimtari për fëmijë Stojan Tarapuza, janë fitues të çmimit “Skeptri letrar” për vitin 2017, që Shoqata e Shkrimtarëve të Maqedonisë e ndan për opus poetik me vlera të larta estetike.
Bashës dhe Tarapuzës çmimet iu dorëzuan sot në Shkup, në edicionin e 21-të të manifestimit ndërkombëtar letrar “Festa e blirit”, që mbahet në kuadër të aktiviteteve programore të SHSHM-së.
Në emër të Këshillit të manifestimit “Festa e blirit” foli shkrimtari Vlladimir Martinovski, i cili theksoi se botët e jashtëzakonshme poetike të laureatëve takohen dhe bashkohen ndërmjet kopertinave të edicionit disagjuhësh “Skeptri letrar 2017”. SHSHM boton publikim të posaçëm me përzgjedhje nga poezitë e laureatëve në gjuhën shqipe, maqedonase dhe angleze.
I shpërblyeri Tarapuza u falënderua duke recituar poezi të veta, ndërkaq për çmimin tha se e obligon dhe e nxit të krijojë edhe në të ardhmen.
Akademiku Ali Aliu e prezantoi krijimtarinë e Bashës, e cila me libra të posaçëm është përkthyer në disa gjuhë, angleze, franceze, gjermane dhe në disa gjuhë sllovene në shtëpitë më prestigjioze botuese.
Mbështetës i manifestimit “Festa e blirit” është qyteti i Shkupit, i cili Eqrem Bashën e shpalli edhe poet nderi të Shkupit.
Eqrem Basha është i lindur në Dibër në vitin 1948, si poet ka debutuar në vitin 1971 me përmbledhjen “Opuset e maestros”, pas çka ka botuar edhe më shumë përmbledhje tjera poetike. Poezitë i janë publikuar në më shumë antologji të poezisë shqiptare, ballkanike dhe evropiane, në më shumë gjuhë. Përveç si poet, është i njohur edhe si autor i më shumë veprave në prozë, si dhe skenareve filmike. Është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. / KultPlus.com