Farenhajt 451, libri që do të bëjë të rikujtosh se pse na duhet të lexojmë

Farenhajt 451, libri që do të bëjë të rikujtosh se pse na duhet të lexojmë

Shkruan: Flogerta Krypi, autore dhe kritike letrare

Romanin Farenhajt 451 e kam ndeshur disa herë në rrugën time, por të them të drejtën duke qenë se ishte veç në versionin pdf e kam lexuar me hope, pa i kushtuar rëndësi të madhe. Kur mora vesh që shtëpia botuese Pema e risolli në shqip për lexuesin u ndjeva entuziaste dhe menjëherë e kërkova për ta rilexuar të plotë, ashtu siç duhet ta kisha lexuar që në fillim. Ndjesia e të prekurit fizikisht një libër është e papërshkrueshme, ndaj dhe leximi online nuk më ka joshur kurrë, por tani që ky roman u bë pjesë e jetës time e di që nuk do të jem në gjendje t’i shoh librat siç i kam parë më parë. Kush e ka lexuar më kupton plotësisht, të tjerët janë thjesht në mëdyshje, për vlerën e jashtëzakonshme që mbartin faqet e këtij romani.

Një version i 1984 Gerge Orwell, kështu do e përshkruaja pa asnjë lloj ndroje peshën e çdo vargu. Një lloj parashikimi i frikshëm për atë çfarë na pret në të ardhmen nëse librat, kujtesa e gjallë e ekzistencës tonë lihet në qoshke për tu zëvendësuar nga teknologjia ose më keq nga “përtacia” për të menduar. Rëndomë lind pyetja. “Përse na u dashka të lexojmë”? Çfarë janë librat përveç se ushqim për rrjedhjen e mendimit të lirë, plot këndvështrime, ndërthurje realitetesh dhe imagjinate duke na e shfaqur botën të zhveshur nga materializmi njerëzor? Po pse na e dashka realisht të lexojmë? Dua të them pa libra mund të jetojmë gjithë jetën pa ushqim vetëm dyzet ditë. Kjo është pyetja që Farenhajt përgjigjet në çdo fletë.

Nëpërmjet historisë së Gaj Montag ne zbulojmë rrënimin shpirtëror që na pret kur leximi i librave do të shndërrohet në një krim social. Ai rrëfen nëpërmjet boshllëkut të krijuar sesi njeriu humbi kontaktin me vetë unin e tij që kur librat u konsideruan armiqtë e heshtur që i shtynin ata të mendonin përtej asaj që duket. Ndaj iu ftoj ta lexoni këtë libër. Për të bërë një revolucion, nuk na duhet luftë, na duhet të rikthemi tek leximi. Veç atëherë ku njeriu t’i rijapë vlerë shpirtit dhe ndjesisë do mund të themi me krenari që ne ia dolëm të ruanim historinë tonë.