Fillon Festivali Ndërkombëtar i Prozës “ FICITION FEST”

Fillon Festivali Ndërkombëtar i Prozës “ FICITION FEST”

Njoftojmë mediet dhe të gjithë artdashësit se gjatë vjeshtës së hershme të këtij viti do ta nisë edicionin e tij të parë Festivali Ndërkombëtar i Prozës “FICTION FEST”. Është festivali i parë i kësaj natyre në vendin tonë, duke qenë se i dedikohet vetëm prozës artistike dhe jo formave të tjera të shkrimit letrar.

Në të do të marrin pjesë emra të njohur e të respektuar të letërsisë shqipe dhe asaj të përbotshme. Në edicionin e parë do të na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre këta shkrimtarë: Rexhep Qosja, Donika Dabishevci, Srdjan Tesin, Virion Graçi, Stefan Boshkoviq dhe Dimitar Samardjev.

“FICTION FEST” do t’i ketë dy net dhe do të mbahet në Prishtinë me datat 04 dhe 05 tetor, 2018, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Në natën e parë do të lexojnë këta autorë: Srdjan Tesin, Donika Dabishevci, Stefan Boskovic, Virion Graçi dhe Dimitar Samardjev.

Në natën e dytë do të lexohen fragmente nga romanet e shkrimtarit tonë të njohur, Rexhep Qosja. Pas leximit të fragmenteve nga romanet e tij, që do ta bëjnë aktorët profesionistë të vendit tonë, me shkrimtarin Rexhep Qosja do të ketë një orë diskutimi lidhur me prozën e tij dhe artin e tij të shkrimit letrar.

Rexhep Qosja është njëri nga shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, i botuar në vitin 1974, edhe sot vlerësohet si një kryevepër e letërsisë shqipe. R. Qosja ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në studimin e letërsisë shqipe, ndërsa prozës artistike shqipe i solli risi stilistike dhe trajtë të veçantë shkrimi. Ai do të jetë i pranishëm në këtë festival, duke na nderuar me pjesëmarrjen e tij. Është privilegj për secilin festival letërsie që ta ketë pjesë të tij një autor tejet të rëndësishëm, të veçantë e të vlefshëm, siç është Rexhep Qosja.

Srdjan Tesin është njëri nga emrat më të njohur të letërsisë së sotme serbe. Ai veçohet për zhanrin e tregimit, duke qenë njëri nga autorët më mbresëlënës në vendin e tij.

Donika Dabishevci është autore e vlerësuar deri tash si poete dhe studiuese e letërsisë, ndërsa në “Fiction Fest” do të prezantohet për herë të parë edhe si prozatore. Ky është një lajm që do ta prodhojë festivali ynë, duke qenë i nderuar që në të merr pjesë një emër i respektuar i letërsisë aktuale shqipe, sikurse Donika Dabishevci.

Virion Graçi është një nga prozatorët më të njohur dhe më të rëndësishëm në Shqipëri. Ai ka shkëlqyer me romanet e tij të fundit dhe me tregimet e tij, në të cilat dominon diskursi kritik dhe sarkastik me të tashmen shqiptare. Proza e tij është përkthyer në gjuhë të ndryshme të botës nga botues eminentë botërorë, ku vlen të ceket botimi i romanit të tij nga shtëpia e famshme botuese franceze “Gallimard”.

Stefan Boshkoviq është një nga emrat më të veçantë të prozës së sotme malazeze. Ai është i veçantë me stilin e tij dhe motivet tejet interesante që i trajton në tregimet e tij.

Dimitar Samardjev është një nga prozatorët më të njohur të gjeneratës së re të shkrimtarëve të letërsisë maqedonase. Ai është gjithashtu edhe albanolog dhe tregimin e ka shkruar enkas për “FICTION FEST”, dhe atë për herë të parë në gjuhën shqipe.

Koordinatore e Festivalit Ndërkombëtar të Prozës “FICTION FEST” është znj. Saranda Buzhala, kritike letrare dhe asistente e lëndëve të letërsisë shqipe, e angazhuar në Universitetin e Prizrenit.

Festivali Ndërkombëtar i Prozës “FICTION FEST” u mbështet materialisht nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS-Qeveria e Republikës së Kosovës), si dhe u sponsorua nga TELEKOMI I KOSOVËS (Telefonia Mobile “Vala”). Ndërkaq, sponsor medial i “FICTION FEST” është gazeta online “INSAJDERI”.