Foto Ekskluzive | Behgjet Pacolli në takim me kriminelin e veriut

Insajderi ka siguruar një fotografi ekskluzive nga një takim i kreut të Aleancës Kosova e Re, dhe Zëvendëskryeministrit në detyre, Behgjet Pacollit me kriminelin e rrezikshëm të pjesës veriore të Kosovës, Millan Radojqiç.

Foto Ekskluzive | Behgjet Pacolli në takim me kriminelin e veriut

Milan Radojçiq është i përfshirë në shumë vepra kriminale dhe trafiqe të paligjshme, por ka lidhje të fuqishme me politikanët e Kosovës. Ai është i lidhur edhe me multimilionerin e politikës kosovare, Behgjet Pacollin.

Insajderi ka siguruar një fotografi ekskluzive nga një takim që ky kriminel i veriut kishte edhe me Zëvendëskryeministrin dhe kryediplomatin kosovar në detyrë, Behgjet Pacollin që po ashtu është kryetar i Aleancës Kosova e Re.

Burime të Insajderit bëjnë me dije se ky takim ishte zhvilluar vitin e kaluar në një jaht që e ka në pronësi Millan Radojçiq në Budva të Malit të Zi.

Në këtë fotografi, derisa Pacolli është i ulur në tavolinë me figurën e njohur të botës së krimit në Veri. Në shoqëri të tyre janë edhe një burrë dhe një grua e paidentifikuar.

Pacolli në të kaluarën nuk e ka mohuar që mund ta ketë takuar Radojçiqin, por në prononcime publike ishte arsyetuar se ai takon shumë njerëz.

Millan Radojçiq nga Prokuroria Speciale në Kosovë dyshohet si i përfshirë në vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç. Ivanoviç u vra para zyrës së tij në veri të Mitrovicës më 11 janarit të vitit 2018 derisa urdhër arresti për Radojçiqin ishte lëshuar shtatë ditë më vonë. Nga ajo kohë ai ndodhet në arrati.

InDoks, prodhim i Insajderit, kohë më parë ka transmetuar dokumentarin “Mafia e Veriut”, hulumtim që zbulon lidhjet e shumta kriminale të Millan Radojçiq dhe Zvonko Veselenoviç me botën e krimit dhe të trafiqeve në Veri të Kosovës.

Millan Radojçiq që dyshohet të jetë i përfshirë edhe në vrasjen e politikanit Oliver Ivanovic i ka ikur drejtësisë, derisa miku dhe bashkëpunëtori i tij, Zvonko Veseljenoviç ka kohë që është larguar për afarizëm në Serbi. Së paku zyrtarisht.

Madje edhe një raport i shërbimit sekret serb, BIA që ishte pjesë e dosjes së Vesjeljenoviçit e që e ka siguruar InDoks, thotë se ky shërbim ka fakte se Veselinoviq është lider i grupit kriminal në veri të Kosovës e që ka lidhje të fuqishme me shumë persona nga Serbia dhe bota e jashtme dhe për një periudhë të gjatë kohore ndërmerr aktivitete të tregtisë ilegale me narkotik, kontrabandë me armë, municion shpëlarje të parave.

Si anëtarë të grupit BIA e përshkruan edhe Millan Radojçiqin, për një kohë nënkryetar i partisë parlamentare në Kosovë, Lista Serbe.

Radojiçiq është babai i gruas se Zvonko Veselinoviqit, i hetuar një kohë të gjatë në Kosovë dhe i dënuar në Serbi. Pas burgosjes së Veselinoviqit në Serbi, kontrollin në veri të Kosovës e ka marrë Radojiç.

Sipas informatave të Insajderit brenda Policisë, ai është njeriu kryesor që kontrollon pakicën serbe në veri të Kosovës, përfshirë subjektin politik Lista Serbe.

Insajderi posedon dosje të Njësisë kundër krimit të organizuar të EULEX-it që kanë hetuar Veselinoviqin, përfshirë vjehrrin e tij, Radojiçiq. Mes krimeve të tij siç është kontrabanda e naftës, drogës, e mallrave tjera, Radojiçiq ka kërcënuar dhe rrahur në shumë raste policë të Kosovës.

Ai ka qenë i dënuar në vitin 2003 me vendim të formës së prerë me gjashtë muaj burgim për vjedhje të rëndë.

Ndërkohë, shumica e këtyre veprave të kryera prej tij janë amnistuar me miratimin e ligjit për amnisti vite më parë. Ky ligj ishte pjesë e marrëveshjeve në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.

Burime nga Prokuroria në Mitrovicë i kanë thënë Insajderit se Milan Radojiçiq ka mbi 50 dosje kriminale.

Insajderi posedon një dosje të EULEX-it që kishte hetuar grupin kriminal të Veselinoviqit. Provat e shoqëruara me përgjime dhe video, ishin dërguar në Prokurori. Por, këto vepra janë amnistuar me ligj. Kësisoj, grupi ka mbetur i pagjykuar./Insajderi.com