Ismail Kadare, kolosi i letrave shqipe, sot feston ditëlindjen e 84-të. Ky gjeni krijues është pa dyshim shkrimtari më i begatë dhe më i larmishëm i kësaj kohe – në gjithë botën.
Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.

Mos harroni në listën tuaj ta keni “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964), ideja e këtij romani është shpirti liridashës i popullit shqiptar.
Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975).
![]()
Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978).

Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981).

Libra të tjerë me rëndësi të Kadaresë janë: “Mosmarrëveshja”, “Darka e gabuar”, “Prilli i thyer”, “Aksidenti”, “Mjegullat e Tiranës”, “Mëngjeset në kafe Rostand”.
Po ndajmë me ju disa vlerësime të kohëve për veprën e Kadaresë:
Alain Bosquet: Asnjë fushë dhe asnjë lloj gjendjeje shpirtërore nuk është e huaj për gjenin krijues të Ismail Kadaresë, që është pa dyshim shkrimtari më i begatë dhe më i larmishëm i kohës sonë. Po ç’presin vallë, ata zotërinjtë e Stokholmit?
Alain Bosquet: Ta nderosh Kadarenë me Nobel, nuk do të thotë ta emanciposh atë. Do të thotë të emancipoheni vet ju. (Letër dërguar jurisë së çmimit Nobel)
John Kerry: Kadare, një shkrimtar që mbulon një kulture të tërë… një shkrimtar universal me një traditë në të treguarin e historive që shkon pas deri në kohët e Homerit.
Rexhep Qosja: [Romanit “Kështjella”] mund t’i shtohet nga diçka, por prej tij nuk mund të hiqet asgjë: asnjë skenë, asnjë fjali, asnjë fjalë, asnjë detaj. (Panteoni i rralluar, Rilindja, Prishtinë, 1973)
Jeta dhe çmimet e kolosit Kadare
Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi.
Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.
Me veprat e tij, shkrimtari Kadare e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore.
Kadare ka nisur të shkruajë kur ishte ende i ri dhe veprat e tij janë përkthyer në mbi tridhjetë gjuhë të botës.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.
Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet.
Ndërsa në 2015-ës, Kadare ka qenë fitues i Çmimit të Jeruzalemit në Letërsi, po në këtë vit me pëlqimin e autorit, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi.
Në janar të 2016-ës Kadare dekorohet “Komandant i Legjionit të Nderit” në Francë.
Më 27 janar 2018 shkrimtari gjirokastrit është laureuar me Çmimin prestigjioz italian “Nonino”, në Distileritë Nonino në Percoto të Udineses.
Ismail Kadare është i martuar me shkrimtaren e njohur Helena Kadare, dhe kanë dy vajza.

