Kristina Kushlova nga Bullgaria është për herë të parë në Prishtinë. Ajo po ndjek ligjëratat në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. 23-vjeçarja që studion gjuhët ballkanike në Universitetin e Sofjes, thotë se është e dashuruar në letërsinë shqiptare.
Ajo thotë se gjuha shqipe është shumë interesante sepse dallon shumë nga gjuhët tjera, por në të njëjtën kohë është shumë e ngjashme me gjuhët e tjera.
“Në fakt unë fillova të mësoj gjuhën shqipe shumë vone sepse mësoja të tri gjuhët rumanisht, greqisht dhe shqip në të njëjtën kohë dhe nuk kisha kohë t’i mësoj të gjitha. U takova pastaj me shqiptarët dhe e pash sa njerëz të mirë janë dhe doja të di më shumë për kulturën edhe gjuhën”, tha ajo.
Kristinës dhe shumë studentëve të tjerë që kanë ardhur për të mësuar gjuhën shqipe, po u ligjëron profesoresha nga Rusia Maria Morozova, e cila ligjëron gjuhën shqipe në Universitetin Shtetëror të Shën Petersburgut në Rusi.
A gabojmë kur huazojmë fjalë të huaja në gjuhën shqipe?
Për dallim nga studentët, për Marian kjo është hera e dhjetë që është pjesë e seminarit.
Ajo tregon për Radion Evropa e Lirë se si kishte filluar lidhjen e saj me gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Për herë të parë e kishte dëgjuar gjuhën shqipe nga shqiptarët e Ukrainës dhe pastaj kishte filluar të studionte për të zotëruar shqipen që e flet sot.
“Gjuha që flitet ka shumë variante, kultura ka shumë variante, edhe ushqimet, edhe kostumet, dhe kjo gjithmonë më habitë. Kam shumë qejf të studiojë edhe gjuhën edhe kulturën. Më intereson më shumë jeta familjare, jeta shoqërore. Për marrëdhëniet farefisnore, për institutin e martesës. Më pëlqen si ekziston ky institut edhe pavarësisht nga zakoneve të reja, doket dhe zakonet e veçanta të shqiptarëve që më pëlqejnë”, tha Morozova.
Profesoresha nga Rusia e adhuron jugun e Shqipërisë dhe qytetin e Prizrenit në Kosovë, që janë edhe rekomandimet kryesore që kjo i ka për miqtë e saj që dëshirojnë të vizitojnë Kosovën dhe Shqipërinë.
“Kur shkova (erdha) për herë të parë në Ballkan, Kosovë-Shqipëri, madje mamaja ishte e lumtur që do të shoh një vend kaq interesant. Miqtë për shembull, janë të interesuar pse e studioj një gjuhë kaq të rrallë, një kulturë kaq të rrallë. Shumë herë më pyesin diçka për shqiptarët, për Shqipërinë, a mund të shkojmë ne në Shqipëri?- A mund ta vizitojmë edhe Kosovën?- Çfarë mund të shohim?- Dhe gjithmonë u tregoj me shumë qejf”, tha Morozova.
Rina Asani, e cila është vullnetare në këtë seminar, thotë se ligjëratat e këtij seminari, janë mundësi shumë e mirë për studentët e huaj që të njohin gjuhën dhe kulturën shqiptare.
“Në seminar studentët do ta mësojnë gjuhën shqipe nëpër kurse të gjuhës të cilat mbahen nga mësimdhënës nga Kosova dhe Shqipëria në bashkëpunim. Po ashtu kemi ligjërata nga profesorë të nderuar të gjuhës shqipe, diskutime, tryeza, referime, ka edhe promovime të librave të ndryshëm. Në vikende i kemi ekskursionet, ku studentët e huaj shëtisin nëpër gjithë Kosovën dhe kanë mundësi t’i shohin bukuritë e shtetit tonë”, tha Asani.
Në Seminarin e 38-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, po marrin pjesë rreth 70 studentë nga e mbarë bota. Seminari do t’i vazhdojë punimet deri më 30 gusht.